Ka ndodhur

Tentuan të kalonin lumin Osum me makinë dhe i mori rrjedha para, shpëtohen 3 persona

Gazeta Si- Një tragjedi është shmangur në fshatin Malinat në Poliçan, ku një automjet tip “Ford Fuoristradë”, në përpjekje për të kaluar lumin midis fshatit Mbrakull dhe Malinat, ka ngecur në ujë.

Rrymat dhe rrjedha lumit e kanë marrë fuoristradën përpara. Mësohet se shoferi i mjetit ka mundur të dalë nga mjeti dhe me not ka shkuar breg për të kërkuar ndihmë.

Ndërkohë që dy shtetasit e tjerë që udhëtonin me të në mjet, Ilir Ballolli dhe Taulant Bakushi kanë mbetur të kapur mbi baxhën e makinës.

Pas sinjalizimit të marrë për ngjarjen në orën 02:30 të mëngjesit të kësaj të hëne, në zonë kanë shkuar efektivë të shumtë të Repartit Zjarrfikës të Beratit dhe efektivë të policisë, që kanë bërë të mundur shpëtimin e banorëve të bllokuar në mes të rrjedhës së lumit Osum.

Dy shtetasit e bllokuar janë lokalizuar fillimisht nga zjarrfikësit, që kanë hyrë në lumë me not, i kanë lidhur ata me litar dhe më pas kanë filluar tërheqjen e tyre nga uji.

Gjatë aksionit për shpëtimin e dy shtetasve, një efektiv i zjarrfikësve të Beratit ka rrezikuar seriozisht jetën, pasi rrymat e forta të lumit e kanë tërhequr drejt rrjedhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë