Shkencë

Si po e shkatërron neuroshkenca mitin e trurit të mashkullit dhe femrës 

Burrat janë të zotë në leximin e hartave; gratë nuk mund të parkojnë makinat. Burrat janë më të zotë të ndreqin gjërat – por një nga një, me radhë. Gratë, krejt në të kundërt, mund të bëjnë disa gjëra njëherësh dhe janë më të mira në ndjeshmëri dhe intuitë, gjithashtu. Vetëm mos u kërkoni të mendojnë me logjikë,  gjatë një krize. Kështu të paktën thonë stereotipat. Është një ide e përhapur se burrat dhe gratë janë ndryshe,  jo vetëm nga gjenitalet dhe karakteristikat e lidhura seksuale, por gjithashtu edhe në tru. Kini parasysh memon  e brendshme të Google, më 2017, në të cilën ish-punonjësi James Damore pohoi se kishte më shumë burra në forcën punëtorë të kompanisë,  për shkak të nivelit të lartë të ndjeshmërisë së grave dhe interesit më të ulët në kodime,  që i bënte ato më pak të përshtatshme për llojin e punës në Google.

Sipas kësaj mënyre të të menduarit, projekti biologjik që përcakton dallimet fikse dhe të pashmangshme në aparatet tona riprodhuese,  gjithashtu përcakton ngjashëm dallimet fikse  dhe të pashmangshme në strukturën e truve tanë dhe  mënyrën,  sesi ata funksionojnë. Nëse doni të dini se çfarë i përforcon dallimet mes grave dhe burrave në aftësi, sjellje, temperament dhe madje edhe në zgjedhjet e stilit të jetës, do t’i gjeni përgjigjet tek gjenet, gjenitalet dhe gjëndrat. Pranimi i  ngadaltë se identiteti gjinor e madje edhe karakteristikat seksuale biologjike,  nuk futen në një ndarje të pastër dyjare, i ka vënë këto hamendje në pikëpyetje. Së fundi, gjithashtu, kemi nisur të kuptojmë sesa elastikë janë trutë tanë, të aftë të formësohen në gjithfarëlloj mënyrash të ndryshme,  gjatë gjithë  jetës. Pra,  ku e lë kjo idenë e dallimeve të paracaktuara, të programuara  në trurin e femrave dhe të meshkujve – dhe arsyetimin për pritshmëritë, rolet dhe arritjet e secilit në shoqëri?

"Truri ynë është produkt i jetës që kemi jetuar,  përvojave që kemi pasur, edukimit, punëve, sporteve dhe pasioneve"

Gjuetia për dallimet gjinore në tru ka traditë të gjatë, që nis në shekullin e 19-të, me absurditetet e matjes së kafkës, apo frenologjinë, për të shpjeguar tipare të personalitetit. Pak a shumë, ideja se burrat dhe gratë kanë tru të ndryshëm ishte  e dhënë. Synimi i kërkimit ishte të fiksohej natyra e këtyre ndryshimeve dhe të zbulohej sesi përktheheshin në listën e gjatë të ndryshimeve të “mirënjohura” mashkull-femër; sistematik vs.empatik, lexues hartash vs. aftësi shumëfishe, logjik vs. intuitiv e kështu me radhë. Shpjegimet e hershme të dallimeve të trurit shpesh janë përqendruar në fenomenin e “mungesës së 140 gramëve”. Trutë më të mëdhenj mendoheshin se ishin trutë më të mirë. Duke qenë se trutë e grave janë, mesatarisht ( një term i rëndësishëm që do t’i kthehemi më vonë ), afro 10 përqind me të lehtë se ata të burrave, deri në 140 gramë, ata janë cilësuar si inferiorë.

Shpjegime të mëvonshme  u përpoqën të fiksojnë dallime në strukturat specifike në tru. Në fillim të viteve 1980, përshembull, doli ideja e corpus callosum, ura e fibrave të nervave,  e vendosur saktë në konceptin para-ekzistues të trurit “të djathtë” dhe “të majtë”: se gjysma e majtë e trurit të njeriut është përgjegjës për gjuhën si edhe për llojet analitike dhe logjike të të menduarit, ndërsa gjysma e djathtë menaxhon përpunimin emocional dhe krijimtarinë. Kështu aftësia e famshme  me shumë funksione njëherësh tek gratë dhe vetëdija më e madhe emocionale,  mund të kornizohej në termat e lirihyrjes më të theksuar dhe thuajse simultane në të dy anët e, falë corpus callosum-it  të tyre, të zmadhuar.

"Po sikur këto dallime të mirënjohura” të mos jenë aq të shënjuara, sa janë pretenduar dhe të kenë ndryshuar me kohë, ose në kontekste apo kultura të ndryshme?"

Mbërritja e teknologjisë së imazherisë së trurit në fund të shekullit të 20-të, bashkë me modelet e sofistikuara kompjuterike të funksionimit të trurit dhe sistemeve më të mira për analizimin e të dhënave, bënë më në fund të mundur gjenerimin e provave të nevojshme për të testuar siç  duhet mënyrat,  në të cilat truri i meshkujve dhe i femrave ndryshon. Por, po ashtu edhe disa kërkime pioniere dhe tronditëse, lëshuan një farë dallge oqeanike të absurditetit nervor. Hartat e koduara me ngjyra të aktivitetit të trurit që kërkuesit mund ta prodhojnë tani me lehtësi shumë të dukshme, ishin shumë joshëse. Shumë njerëz nuk vlerësuan, sidoqoftë, se këto nuk ishin fotografi në kohë reale të trurit në veprim, por produkti final i një zinxhiri të gjatë përpunimi matematikor. Kodimi me ngjyra u  zgjodh nga programet e imazherisë për ta bërë sa më reale, por dallimet ishin  pambarimisht të vogla mes mesatares – prapë kjo fjalë – së aktivitetit –mes  grupeve apo detyrave.

Me një pjesë të mirë të agjendës në kërkimin e trurit , që ende udhëhiqet nga gjuetia për dallimet mes burrave dhe grave, pohimet e llojit “Burrat janë nga Marsi, Gratë nga Venusi” ishin një produkt përfundimtar i drejtuar gabim. Një studim, i botuar më 2014-ën, ilustron problemet e lidhura me këtë qasje. Kërkuesit në Universitetin e Pensilvanisë, matën shtigjet e ndërlidhjeve të trurit, në një grup të madh burrash dhe grash. Ata raportuan lidhje më të forta brenda secilës hemisferë të trurit tek burrat dhe lidhje më të forta mes hemisferave tek gratë. Kjo, pretenduan ata, tregonte se “trutë mashkullorë janë të strukturuar për të lehtësuar lidhen  mes perceptimit dhe veprimit të koordinuar, ndërsa trutë femërore janë të hartuar për të lehtësuar komunikimin mes mënyrave të përpunimit analitik dhe intuitiv.

Një nga stereotipat e trurit femëror është se mund të kryejë disa detyra njëherësh.

Por studimi nuk maste nëse subjektet e tij shfaqnin vërtet këto tipare të hamendësuara, si  tipike mashkullore dhe femërore. Matjet e lidhjeve të trurit po filtroheshin përmes bindjeve stereotipike,  të formuara qysh  herët. Për më tepër, shumë nga dallimet e raportuara ishin fare të vogla dhe kishte shumë më shumë krahasime të mundshme të shtigjeve,  që nuk tregonin fare dallime. Studimi raportonte vetëm ato që kishin. E megjithatë rezultatet u raportuan ethshëm në shtypin popullor, me tituj si “Dallimet e programuara mes trurit të meshkujve dhe të femrave mund të shpjegojnë se përse burrat janë “më të zotë në leximin e hartave.” Ka arsye të mira për të menduar se studime të tilla ishin në ndjekje të hijeve. Si fillim, korrigjimi i të dhënave për masën e trurit mund të bëjë që dallimet e dukshme në strukturat e trurit mes grave dhe burrave, të zhduken. Dallimi i pretenduar në masën e corpus callosum është vetëm një viktimë e këtij rishqyrtimi.

Jo të lindur kështu

Fakti është se, njerëzit më të mëdhenj kanë tru më të madh, pavarësisht gjinisë. Trutë më të mëdhenj  janë të ndryshëm nga trutë më të vegjël, si në strukturat bazë, ashtu  edhe në shtigjet lidhëse mes tyre. Por nuk ka prova për të sugjeruar se trutë më të mëdhenj  janë tru më të mirë. Në fund të fundit, njerëzit janë (mesatarisht) konjiktivisht  superiorë ndaj specieve me tru shumë më të mëdhenj, përfshi edhe balenën spermë apo elefantin afrikan, sa për të përmendur disa. Më thelbësore, ideja e truve të ndryshëm femërorë dhe mashkullorë varet nga pika fundore se kur fiksohet zhvillimi i trurit, në moshën madhore, pra destinacioni i paracaktuar. Shkencëtarët dikur mendonin se përtej ndryshimeve që ndodhin gjatë viteve të hershme shumë elastike të trurit dhe duke përjashtuar devijimet e shkaktuara nga dëmtimet, sëmundjet apo mungesat, zakonisht përfundon me trurin me të cilin ke lindur, vetëm më të madh dhe të ndërlidhur më mirë.

Tani e dimë se nuk është ky rasti. Trutë tanë janë një produkt i jetëve që kemi jetuar,  përvojave që kemi pasur dhe edukimit, punëve, sporteve dhe pasioneve. Mënyra sesi i kryejmë detyrat pasqyron jo vetëm funksionimin e softuerit të brendshëm të paracaktuar, por edhe inputeve të jashtme. Një shembull i famshëm u raportua tek shoferët e taksive të Londrës,  që kanë bërë “The Knowledge”, e cila u  kërkon të memorizojnë rrugë të ndryshme,  përmes mëse 25 mijë rrugëve të Londrës, brenda një rrezeje 6 miljesh nga stacioni  Charing Cross. Trutë e tyre janë të ndryshëm nga ata të shoferëve të trajnuar të taksive, shoferëve të dalë në pension dhe madje edhe shoferëve të autobusëve, që ngasin në rrugët e përcaktuara.

Me memorizimin e rrugëve, truri i shoferëvve të taksive pëson ndryshim

Në mënyrë thelbësore, përvojat tru-ndryshuese mund të dallojnë nga burrat tek gratë. Ndoshta, ishte ky efekt që kërkuesit e hershëm, të fokusuar vetëm tek ndarja e grupeve të pjesëmarrësve në burra dhe gra, ishin duke prekur. Merrni një nga më të fuqishmit e dallimeve të truve: në të menduarit hapësinor, aftësia që fikson aftësitë lundruese apo leximet e hartave. Më 2005-ën, psikologët  Melissa Terlecki nga Kolegji Cabrini dhe Nora Newcombe nga Universiteti Temple, të dy në Pensilvani, treguan se të luaje në kompjuter dhe në video-lojëra është një parashikues më i mirë i aftësive hapësinore, sesa seksi biologjik. Kishte nivele më të larta të këtyre përvojave mes pjesëmarrësve meshkuj, por gratë me të njëjtin nivel përvoje,  kishin njësoj aftësi të mira hapësinore.

Çdo lloj aktiviteti i rregullt, qoftë loja Tetris apo Super Mario, xhonglimi,  ose origami, mund të na e ndryshojë trurin. Kështu, nëse një grup ka më shumë gjasa të angazhohet në një aktivitet sesa në një tjetër, kjo do të përcaktonte  aftësinë e tyre, më shumë sesa çdo lloj karakteristike tjetër. Për më tepër, stereotipat rreth aftësive të lindura të secilit grup, mund të bëhen profeci vetë-përmbushëse. Nëse dikush është i vetëdijshëm rreth stereotipit negativ të  grupit, të cilit i përket, kjo mund të dëmtojë performancën e tyre në një detyrë të lidhur. Për shembull, nëse një gruaje i thuhet se gratë janë dobëta në një aftësi të caktuar matematikore, ka një rënie të mëpasshme të performancës,  në testimet e asaj aftësie.

Studimet e këtij rreziku të ashtuquajtur sterotipik ka treguar se,  nëse një detyrë paraqitet në kontekst më pozitiv, atëherë edhe truri i shoqërizuar përpunon dhe fakti,  por edhe performanca do të jetë e ndryshme,  nga koha kur iu paraqit një kontekst negativ. Nuk janë vetëm përvojat që ndryshojnë trurin tonë; sjelljet, veçanërisht stereotipat e fuqishëm socialë, mund ta bëjnë gjithashtu. Duhet edhe  të sfidojmë hamendjet  pas gjuetisë për dallime mes truve të grave dhe të burrave. Origjinën e ka tek hamendjet se burrat dhe gratë janë thellësisht të ndryshëm në aftësitë, sjelljet dhe parapëlqimet e tyre. Por, po sikur këto dallime “të mirënjohura” të mos jenë aq të shënjuara,  sa  janë pretenduar dhe të kenë ndryshuar me kohë,  ose në kontekste apo kultura të ndryshme? Kjo me siguri do të sfidonte nocionin se janë të pashmangshme apo të bazuara në karakteristikat fikse të trurit.

Rishikimi i provave sugjeron se gratë dhe burrat janë më të ngjashëm, sesa janë të ndryshëm. Më 2015-ën, në recencë e më shumë se 20 mijë studimeve në dallimet e sjelljes, duke mbledhur të dhëna nga 12 milionë njerëz, ka zbuluar se, në total, dallimet mes burrave dhe grave në një gamë të gjerë karakteristikash si impulsiviteti, bashkëpunimi dhe emocionaliteti,  ishin tejet të vogla. Ndoshta gozhda e fundit në arkivolin e “trurit femëror dhe trurit  mashkullor” si koncept shkencor, mund të gjendet tek studimi i Daphna Joel nga Universiteti i Tel Avivit, Izrael. Bashkë me kolegët e saj, ajo shqyrtoi karakteristikat e më shumë se 100 strukturave të trurit,  në më shumë se 1400 skanime dhe zbuloi se, ishte e pamundur të ndaje aq saktë në dy komplete të ndara  trurin “tipik femëror” dhe “tipik mashkullor”.

Secili tru ka një mozaik me karakteristika të ndryshme, disa të konsideruara “femërore”, disa “mashkullore”. Vetëm afro një në njëzet nga këta tru kishin komplete karakteristikash që mund të përshkruheshin si mbizotërues të njërit apo tjetrit. Aplikimi i analizave të ngjashme të kompleteve të të dhënave,  të variablave psikologjikë si; angazhimi në sporte, impulsiviteti apo rezultatet në testime të mashkullore-femërore kanë zbuluar të njëjtën mungesë të grupimeve binare: asnjë individ nuk ka tendenca krejt femërore apo krejt mashkullore. Më së fundi, përdorimi i teknikave të të mësuarit të makinerive,  në të dhënat prej më shumë se 2000 truve treguan se asnjë nuk përputhej  në njërin  prej dy kompleteve të sakta, të pa mbivendosura,  që mund të etiketoheshin “tru nga gratë” apo “tru nga burrat.”

Couple Arguing About Map --- Image by © Creasource/Corbis

Ku na çon e gjitha kjo? E gjejmë veten duke folur rreth diferencave mesatare mes burrave dhe grave që, në përgjithësi, pasqyrojnë një dallim të vogël mes dy kompleteve të të dhënave, që mbivendosen ngushtë.  Jo vetëm kjo, por ndryshueshmëria dhe gama brenda secilit komplet hamendësisht homogjen,  është zakonisht shumë më i madh sesa dallimet mes sekseve. Mund të nisni të pyesni veten se përse po flasim ende rreth këtyre dallimeve.

Me siguri, seksi biologjik mund të konsiderohet si një nga variablat,  në shqyrtimet brenda dallimeve të trurit. Kështu,  mund të kuptojmë gjëra si reagimi ndaj mjekimeve të ndryshme apo ndjeshmëria ndaj problemeve të shëndetit mendor si depresioni, problemet fizike si sëmundja e Alzheimerit apo çrregullimet imunitare. Këto mund të hedhin  dritë në arsyet e vërteta për përfaqësimin e ulët të grave në fushat e shkencës dhe të teknologjisë. Por fokusimi në seksin biologjik, si i vetmi burim i këtyre dallimeve,  është i paplotë dhe mund të çojë në drejtime të gabuara. Të menduarit e gjendjes,  bazuar tek truri,  se i përket vetëm grave apo burrave mund të çojë në humbjen e indicieve të ofruara nga, për shembull masa e trurit apo pesha e trupit apo tek përvojat tru-ndryshuese të jetës.

Nuk janë vetëm përvojat që ndryshojnë trurin tonë; sjelljet, veçanërisht stereotipat e fuqishëm socialë, mund ta bëjnë gjithashtu.

Në disa prej kërkimeve të ekipit tim mbi autizmin, po nisim të kuptojmë se të mbahesh tek bindja se është një gjendje “mashkullore” , do të thotë se po humbasim shumë gra dhe vajza që hyjnë qartë në diagnozë. Mjetet diagnostifikuese janë mashkullorizuar me shembuj  të interesave të pazakontë të fëmijëve dhe fiksimeve të anuara,  kundrejt atyre të shoqërizuar më zakonshëm me djemtë. Jo vetëm që kjo do të thotë se vajzat e padiagnostikuara nuk po marrin ndihmën për të cilën kanë nevojë, por kërkimi po humbet burim të pasur të provave shtesë: shumë studime të imazherisë së trurit autik,  kanë vetëm pjesëmarrës meshkuj.

Kjo nuk është vetëm një çështje e rëndësishme tek individët, sidoqoftë. Të besosh se vetëm një lloj truri është i aftë për aftësi të caktuara bazike,  mund të çojë në një humbje të pamasë të kapitalit njerëzor, në dëm të shoqërisë më të gjerë. Kush e di sa shumë inxhinierë softuerësh mund të kishin gjetur firmat teknologjike, nëse do të kishim pranuar se ka pak arsye për të besuar se kjo është një fushë, ku përshtaten vetëm burrat. Ka ardhur më në fund koha të hedhim poshtë këtë gështenjë të vjetër. Koncepti i trurit femëror apo mashkullor është i tejkaluar dhe i pasaktë. Truri i çdo personi është unik. Vlera vjen nga njohur se nga vijnë këto dallime individuale dhe ç’kuptim kanë për pronarët e atyre truve.

*Gina Rippon/ New Scientist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë