Shkencë

Shkencëtarët krijojnë pajisje me ultratinguj që monitoron foshnjat në barkun e nënës

Shkencëtarët kanë krijuar një pajisje të re me ultratinguj që mund të vishet nga gratë shtatzëna dhe që monitoron vazhdimisht foshnjën në bark, me shpresën se teknologjia do të ndihmojë në zbulimin e hershëm të komplikimeve gjatë shtatzënisë dhe në parandalimin e lindjeve të vdekura.

Ekipi që qëndron pas projektit thotë se metodat aktuale të monitorimit kanë kufizime të mëdha. Monitorimi i vazhdueshëm i rrahjeve të zemrës së foshnjës dhe kontraksioneve të mitrës shpesh prodhon alarme të rreme, ndërsa pajisjet tradicionale të ultratingullit përdoren vetëm në disa kontrolle gjatë shtatzënisë dhe kërkojnë operatorë të trajnuar.

“Pajisjet aktuale japin vetëm një pamje të momentit se çfarë po ndodh me foshnjën”, tha profesori Sheng Xu nga Universiteti Stanford, një nga autorët kryesorë të studimit.

Sipas Xu, pajisja e re mund të monitorojë vazhdimisht foshnjën, kudo që ndodhet pacientja.

“Nuk humbet asnjë e dhënë dhe kjo ndihmon në analizimin e ndryshimeve dhe modeleve të sinjaleve për secilin pacient individualisht”.

Pajisja e re, e quajtur “UPatch”, është një ultratingull që vishet në trup dhe mund të përdoret për orë të tëra. Ajo krijon imazhe të vazhdueshme të fetusit dhe monitoron rrjedhjen e gjakut në kohë reale, përfshirë edhe në struktura që lëvizin si kordoni i kërthizës.

Edhe pse aktualisht është vetëm një prototip dhe lidhet ende me pajisje të jashtme elektronike, studiuesit thonë se kjo është teknologjia e parë e këtij lloji.

“Kjo punë shënon një hap shumë të rëndësishëm dhe tregon se diçka e tillë mund të realizohet praktikisht”, tha mjekja Antoniya Georgieva nga Universiteti i Oxfordit, gjithashtu autore e studimit.

Në studimin e publikuar në revistën “Nature Biotechnology”, ekipi shpjegon se përdori komponentë elektronikë dhe algoritme të avancuara për të zgjidhur sfida të mëdha, si humbja e sinjalit kur foshnja lëviz në bark dhe dobësia e sinjaleve për shkak të thellësisë së enëve të gjakut.

Pajisja u testua në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në një nga testet, ku morën pjesë 62 gra shtatzëna, studiuesit krahasuan matjet e rrjedhjes së gjakut nga UPatch me ato të ultratingujve tradicionalë.

Studiuesit përdorën gjithashtu pajisjen për të monitoruar vazhdimisht rrahjet e zemrës së fetusit dhe rrjedhjen e gjakut te 52 gra shtatzëna. Në një rast, pajisja ndihmoi në shmangien e një tragjedie.

Aktualisht, ekipi po punon për zhvillimin e një versioni pa kabllo të teknologjisë.

Profesori Xu shtoi se pajisjet e tilla mund të jenë veçanërisht të dobishme në vendet me më pak burime shëndetësore, ndërsa Georgieva theksoi se përfitimet e tyre mund të jenë të gjera për kujdesin ndaj shtatzënisë në të gjithë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë