Mendim

Si i demonizoi shqiptarët media greke (me ndihmën e policisë)

Nga Mentor Kasa - Misteri i vrasjes së 20-vjeçares britanike Caroline Crouch, nënë e një fëmije të vogël në ngjarjen e rëndë që tronditi për ditë me radhë Greqinë u zgjidh me rrëfimin e bashkëshortit të viktimës, pilotit grek, Charalambos Anagnostopoulos, 32-vjeç.

Ky i fundit është rrëfyer ditën e enjte duke pranuar vrasjen e gruas së tij në sy të foshnjes. Shkaku se pse e bëri: ajo po mendonte që ta linte!

32-vjeçari u përpoq deri në fund që të luante rolin e bashkëshortit të pikëlluar nga vrasja e gruas së tij dhe para se t’i vendoseshin prangat shihet teksa përqafohet me vjehrrën, mamanë e të ndjerës Caroline.

Policia greke kishte dyshime që prej fillimit se bashkëshorti ishte autor i ngjarjes. Dyshimet kishin lindur nga një orë me puls që mbante në dorë viktima. Momenti i ndalimit të kësaj ore nuk korrespondonte me orën që sipas rrëfimit fillestar të pilotit “grabitësit kishin hyrë në shtëpi për ta grabitur dhe i kishin vrarë gruan mizorisht në sy të vajzës”.

Por, për të hequr çdo dyshim se mund të akuzohej për vrasjen e gruas së tij, policia zgjodhi që të luajë lojën e nisur prej bashkëshortit vrasës. Në dëshmitë e dhëna ai i përshkroi autorët (imagjinarë) si të huaj, që flisnin një greqishte të mirë, por që në momentin që u larguan njëri prej tyre foli në gjuhë të huaj, që besonte se ishte shqip.

Menjëherë u hap lajmi fillimisht për një “bandë të rrezikshme grabitësish” shqiptarë në mediat greke. Shkrimet pasqyroheshin me ngjyrime nga më horror se sa mizore ishte kjo bandë, se si e kishin vrarë pashpirtësisht nënën e një foshnje në sy të vetë foshnjes dhe bashkëshortit të saj.

Kur u pyet për herë të dytë nga hetuesit, bashkëshorti vrasës nuk ishte më i sigurtë se “banda e grabitësve mizorë (që kishte sajuar) ishte shqiptare”. Pas këtij rrëfimi nisi “sajesa” e radhës. Këtë herë banda mizore ishte “shqiptaro-gjeorgjiane”. Lajmi në mediat greke mori sërish dhenë me të njëjtat ngjyrime horror e mizorish e dyshime “se si kjo bandë mund të kishte grabitur, vrarë e rrahur sa këtu e sa atje”.

E gjitha kjo sajesë e pilotit greke u kushtoi jo pak shqiptarëve, jo vetëm në Greqi. Ata u demonizuan në mediat greke, e si të mos mjaftonte kjo edhe në mediat britanike që e ndoqën rastin hap pas hapi. Në të gjithë këtë proces demonizimi të shqiptarëve me apo pa dashje ndihmuan edhe autoritetet greke.

Ndoshta me idenë për të mos prishur hetimin dhe për të mos i lënë asnjë fije dyshimi bashkëshortit vrasës se ishte pista kryesore e hetimit, autoritetet greke ndoqën lojën e tij. Në mediat greke dilnin “lajme e detaje”, herë ekskluzive e herë me burime nga grupi hetimor se si një automjet që ishte filmuar pranë shtëpisë së çiftit ishte përdorur edhe në grabitje të tjera nga banda, ku diku thuhej vetëm shqiptare e diku tjetër edhe shqiptare, edhe gjeorgjiane.

Përballë këtyre lajmeve të rreme demonizuese heshtja e autoriteteve greke u mor si pohim, aq sa të gjithë po bindeshin se “vrasësit mizorë e gjakftohtë nuk mund të ishin përpos se shqiptarë”.

Prandaj sot, autoritetet greke janë të parat që duhet të dalin e të kërkojnë falje për të gjithë këtë demonizim, e pas tyre edhe pjesa dërrmuese e mediave vendase që duhet të kapërdijnë çorbën e urrejtjes që e gatuan vetë përgjatë të gjithë këtyre javëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë