Bota

“Më torturuan për 4 ditë”, gjeorgjiani i arrestuar për vrasjen e Caroline akuzon policinë greke

Një shtetas nga Gjeorgjia ka akuzuar policinë greke për tejkalim të kompetencave dhe përdorim të dhunës, në lidhje me vrasjen e britanikes Caroline Crouch.

Giorgio Khardzeishvili, 36 vjeç u akuzua për vrasjen e 20-vjeçares, por u lirua, pasi bashkëshorti i saj grek pranoi krimin. Gjeorgjiani u ndalua në kufirin greko-bullgar teksa po përpiqej të largohej nga vendi. Sipas tij në momentin e ndalimit, policia i kërkoi të pranonte krimin dhe pasi ai refuzoi, u dhunua prej tyre.

“Unë isha i lidhur në një karrige për katër ditë. Ata më rrahën shumë, unë e humba mendjen. Kishte shumë prej atyre që më godisnin. Më erdhi një tronditje në tru. Nuk kishte asnjë pyetje. Kur më sollën në Athinë, menjëherë ata më rrahën. Dhe thjesht thanë: ‘Na thuaj, si e vrave, si u futët, si dolët?’ Nuk kishte pyetje të tjera”, - thotë Khardzeishvili.

“Nuk e dija për cilën vajzë po flisnin. Ata më thanë: ‘Ti e vrave atë’. Pastaj zbulova se ajo ishte vrarë nga burri i saj, ndërkohë që unë akuzohesha për grabitje. Unë nuk kam asnjë lidhje me grabitjen. Unë thjesht kisha dokumente false”, deklaroi ai.

Një ditë më parë, përfaqësuesit e diasporës gjeorgjiane, me anë të një deklarate, fillimisht shprehën ngushëllime për familjen e Caroline dhe përgëzuan policinë që po hetonte krimin. Por ata shprehën keqardhjen për mbulimin mediatik që iu bë ngjarjes, duke kërkuar një reagim nga ana e shtetit helen.

Sipas tyre, “mbulimi mediatik i ngjarjeve, vetëm shkaktoi panik dhe zemërim, duke nxitur urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke. Ne presim që media greke të hedhë poshtë shpifjen e përsëritur publike ndaj komunitetit gjeorgjian në Greqi, duke kryer propagandë pa ndonjë informacion zyrtar”.

Ambasada gjeorgjiane në Greqi, gjithashtu disa herë u bëri thirrje mediave lokale të përmbahen nga përkeqësimi i situatës dhe të presin përfundimin e hetimit.

Caroline Crouch u vra në 11 maj në prani të vajzës të saj 11-muajshe. Pas një muaj hetimi, u vërtetua se vrasësi i 20-vjeçares ishte burri i saj, Babis Anagnostopoulos, 32 vjeç, i cili inskenoi një skenë vjedhjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë