Ngjarje

Britanikja u vra nga burri i saj grek, shqiptarët në Greqi: Media të na kërkojë falje!

Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi u kërkon mediave greke që të kërkojnë falje publike për të gjitha shpifjet ndaj shqiptarëve me propagandë të vazhdueshme dhe informacione të pabazuara për rastin e vrasjes së britanikes, Caroline Crouch.

“Kërkojmë nga media greke të kërkojë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar. Ndodh shumë vite tashmë, ka ardhur koha që ky kapitull të mbyllet njëherë e përgjithmonë, duke dënuar ashpër çdo autor përgjegjës!”, thuhet në deklaratën e Komunitetit.

Emigrantët shqiptarë thonë se ky është një rast i përsëritur i kultivimit me vullnet e pasion të jashtëzakonshëm të stereotipit të kriminelit të huaj dhe kjo nxit urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.

“Le të mos kultivojmë urrejtjen në shoqërinë tonë që është dëmtuar mjaft, por ku mund dhe duhet të bashkëjetojmë të gjithë harmonikisht. Le të jemi të bashkuar kundër çdo forme dhune, sulmi ndaj të pafajshmit e vulnerabëlit, akti kriminal, për një të nesërme më të begatë për të gjithë”, vijon deklarata.

Reagimi i komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi mbërriti pas rrëfimit të Charalambos Anagnostopoulos, bashkëshorti i britanikes së vrarë. Ai pranoi autorësinë duke dhënë si shkak se ajo kishte ndërmend që ta linte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë