Edi Rama humbi përmes një procesi të stërzgjatur dhe të kontestuar në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tiranës përballë Lulzim Bashës, por pak kilometra më tej, një emër i panjohur deri në atë kohë për publikun shqiptar, por i njohur për qytetin e Kavajës fitonte në zonën që deri në atë periudhë konsiderohej bastion i demokratëve.
Elvis Rroshi pasonte në këtë post Refik Rrugejan. Dy vitet e para qeverisi pa u shqetësuar. Në 2013, në koalicion me LSI-në, socialistët fituan edhe zgjedhjet vendore. Një prej premtimeve të Edi Ramës në fushatë ishte edhe shndërrimi i qyteteve kryesore të vendit, që deklaronte se ishin lënë në harresë.
Programi u quajt “Rilindja Urbane” dhe përmes tij do të përfitonte edhe Bashkia e Kavajës. Qyteti do të shndërrohej falë parave të hedhura nga qeveria qendrore dhe në zgjedhjet e 2015, edhe me LSI-në në krah, Elvis Rroshi fiton sërish.
Por, gjatë fushatës mes shumë emrave të akuzuar nga demokratët si persona me rekorde kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, që kandidonin e zgjidheshin nën siglën e PS ishte edhe ai i Elvis Rroshit. Partia Demokratike këmbëngulte në akuzat e saj dhe deklaronte se Rroshi ka përdorur disa emra nëpër vendet e Europës, si Ervin, Elvis, Bashkim dhe Enver. Akuzat e PD ironizoheshin nga Kryeministrit.
“Hajde këtu ti Ervin, Elvis si e ke emrin ti?!”, deklaronte ai gjatë një takimi elektoral në Kavajë, ku ftonte kandidatin e tij të ngjitej në skenë.
Me një gjuhë të varfër, Rroshi mohonte akuzat e opozitës.
“Janë akuza politike, sepse mposhta Sali Berishën në Kavajë”, u përgjigjej kryebashkiaku i Kavajës akuzave të opozitës.
Krahas betejës së akuzave dhe kundërakuzave në publik, në Parlament demokratët dhe socialistët diskutonin ligjin e dekriminalizimit. PD e vendosi këtë ligj në prioritet të punës së saj. U gjet gjuha e përbashkët dhe në janar të 2016 ligji hyri në fuqi.
Ndëshkimet që parashikonte ligji ishin aq të ashpra sa fillimisht ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin dhe më vonë edhe Kryeministri Edi Rama e quajtën në kufijtë e një ligji që shkel të drejtat e njeriut.
Që të dy i referoheshin faktit që në disa raste personave që preken nga ky ligj jo vetëm që u ndalohet e drejta për t’u zgjedhur, por edhe ajo për të votuar, një e drejtë themelore e Konventës së të Drejtave të Njeriut, që Shqipëria e ka ratifikuar.
“Ligji nuk shkel asnjë të drejtë themelore, por është një praktikë e zbatuar edhe në vendet e tjera të Europës”, deklaronte Oerd Bylykbashi, deputeti i PD bashkëhartues i dekriminalizimit.
Veç nevojës reale që kishte vendi për një ligj të tillë, PD e shihte atë edhe si një instrument për të goditur kundërshtarët. Por, Edi Rama ishte i bindur në “ndershmërinë” e të tijëve.
“Ligji është punuar për një kohë të gjatë nga të dyja partitë. I është dhënë mundësia opozitës që të fusë çfarë të dojë dhe të shqyrtojë çfarë të dojë nga ato që kishim shtuar ne. Por meqë kanë dalë blof dhe kanë kuptuar se asnjë deputet i PS-së nuk përfshihet nga ky ligj, duan të bëjnë ndryshime që të thonë se ja e kapëm një deputet”, deklaronte ai një muaj pasi hyri në fuqi ligji.
Viktima e parë e dekriminalizimit ishte Armando Prenga. Ai u përfshi në atë kohë në një sherr me armë në qytetin e Laçit, ku mbetën të plagosur shtatë persona. Sipas, asaj që u mësua më pas, zënka kishte ndodhur për të drejtën e shfrytëzimit të Luginës së Patokut.
Por, gjatë hetimeve të Prokurorisë rezultoi se Armando Prenga ishte i dënuar për vjedhje dhe falsifikime dokumentash në Itali dhe nuk i kishte pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin këtë pjesë.
Në qershor të 2016 sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme njoftoi marrjen nën hetim të Elvis Rroshit. Pak ditë më vonë Prokurorët u paraqitën në gjykatë me një kërkesë konkrete për arrest me burg për kryebashkiakun e Kavajës.
“E mirëpres ballafaqimin me drejtësinë e Sali Berishës dhe do të provoj të gjithë pafajësinë time për këtë poshtërsi. Kam angazhuar avokatë të njohur italianë që janë skandalizuar me gjithë këtë sulm ordinerësh ndaj meje. Ata më kanë siguruar se kjo është diçka e pabesueshme dhe betejën, sado e gjatë të jetë do ta fitojmë”, reagonte përmes rrjeteve sociale vetë Elvis Rroshi.
Pavarësisht hetimeve dhe kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e tij, Rroshi mbetej kryetar i Bashkisë së Kavajës.
“Pse nuk e shkarkon Edi Rama Elvis Rroshin? Nuk i mjafton Edi Ramës ajo që Elvis Rroshi ka bërë? Nuk i mjafton dënimi nga drejtësia europiane për përdhunim dhe trafik droge? A e ka menduar Edi Rama se duke mbrojtur Elvis Rroshin po inkurajon dhunuesit e grave dhe të fëmijëve? A e ka menduar Edi Rama se duke mbrojtur Elvis Rroshin po inkurajon drogën dhe trafikantët? Çfarë tjetër duhet të ndodhë që kryeministri të mbajë një qëndrim?”, deklaronte PD në dhjetor të 2017.
Pak ditë më vonë, ashtu siç parashikohej nga ligji i dekriminalizimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhej të shprehej për kërkesën e Prokurorisë, që e akuzonte Rroshin për “falsifikim dokumentash” duke mos deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënimin e marrë në Itali.
KQZ e shpalli të pavlefshëm mandatin e Rroshit, ndërsa në përfundim të mbledhjes, avokati i tij, Theodhori Sollaku paralajmëronte ankimimin në Kushtetuese. Kryeministri Rama e shkarkoi pas vendimit të KQZ-së, por ky shkarkim do të mbetej pezull deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Rroshit nga Kushtetuesja.
Në mars të 2017 dilemat u shuan edhe nga Gjykata Kushtetuese, që e shkarkoi përfundimisht Elvis Rroshin. Vendimi i hapi rrugë dekretimit nga ana e Presidentit të zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Kavajës, që u përcaktuan në të njëjtën ditë me zgjedhjet qendrore të 25 qershorit.
Ndërkohë, Rroshi vazhdonte larg prozhektorëve të mëdhenj mediatikë e publikë betejën e tij me drejtësinë deri ditët e fundit, kur pranoi akuzën e Prokurorisë për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
“Ka ardhur si pasojë e neglizhencës”, është shprehur ai, duke kërkuar gjykim të shkurtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.