Drejtësia

GJKKO urdhëron SPAK-un të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshin

Gazeta Si- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar që SPAK të nisë hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, i cili u largua nga detyra për shkak të ligjit të dekriminalizimit, ku akuzohej se kishte fshehur rekordet kriminale jashtë vendit.

Roshi u hetua nga Prokuroria e Durrësit, e cila vendosi pushimin e hetimeve, por Durrësi ia transferoi çështjen Gjykatës së Posaçme.

GJKKO rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit që kërkonte pushimin e procedimit penal të nisur në vitin 2017 për Roshin lidhur me një kallëzim të bërë nga KLSH në vitin 2015 për shpërdorim detyre.

“Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal”, thuhet në vendim.

Gjytarja e GJKKO, Rudina Palloj, e konsideroi në pavlefshmëri absolute kërkesën e Prokurorisë Durrës dhe vendosi që dosjen t’ja kalojë SPAK-ut për hetim.

KLSH e kallëzoi ish-kryebashkiakuan e Kavajës dhe 10 zyrtarë të tjerë në atë kohë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera në lidhje me disa investime publike, duke i shkaktuar dëm shtetit në vlerën 220 mijë euro.

Në 19 janar 2023, Roshi u paraqit në SPAK me kërkesë të prokurores Enkeleda Millonai për t’u pyetur për tenderët e dhëna në kohën kur ai ka drejtuar Bashkinë e Kavajës në cilësinë e personit që ka pasur dijeni, por pa një akuzë zyrtare.

Në vitin 2018, ai ka qenë i akuzuar për falsifikimin e formularit të ligjit të dekriminalizimit. Roshi qëndroi 4 muaj në "arrest shtëpie" gjatë hetimit të çështjes në atë periudhë. Në përfundim, u dënua me 5 muaj heqje lirie, por që iu konvertua me 60 orë pune në interes të publikut.

Gjatë procesit, ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës pranoi se kishte falsifikuar formularin, por kjo sipas tij kishte ndodhur nga pakujdesia dhe se para plotësimit të saj, ai nuk ishte konsultuar me një avokat.

Sipas prokurorisë, Elvis Roshi nuk kishte deklaruar një dënim në Itali me 1 vit e 4 muaj burg për akuzën e përdhunimit në grup.

Gjithashtu, në formular mungonin disa masa arresti dhe dëbime që Roshi kishte nga vende të tilla si Gjermani dhe Zvicër.

Në korrik 2018, Gjykata vendosi të mos e dënojë me 7 muaj e 15 ditë burg, siç kërkoi Prokuroria, por vendosi konvertim të burgut me punë në komunitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë