Qytetarët e Kosovës dhe Malit të Zi do të kenë mundësinë të ndikojnë në përzgjedhjen e dizajnit të euros, pavarësisht se këto dy vende nuk janë pjesë e eurozonës.
Banka Qendrore Europiane (BQE) ka përzgjedhur 10 propozime finaliste për dizajnin e ri të kartëmonedhave, të frymëzuara nga temat “Kultura evropiane” dhe “Lumenjtë dhe zogjtë”.
Përzgjedhja është bërë pas një konkursi në mbarë Bashkimin Europian, ku u dorëzuan më shumë se 1.200 propozime.
Përpara se të merret vendimi përfundimtar, BQE do të organizojë një anketë publike ku do të mund të marrin pjesë qytetarë nga e gjithë Europa, përfshirë edhe ata nga vendet që nuk janë pjesë e eurozonës.

Kjo nënkupton se të drejtë vote do të kenë edhe qytetarët e Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat e përdorin euron si valutë zyrtare, si dhe banorët e Andorrës, Monakos, Vatikanit dhe San Marinos.
Megjithatë, rezultatet e anketës publike nuk do të jenë faktori i vetëm në përzgjedhjen e dizajnit fitues.
Sipas Bankës Kombëtare të Kroacisë, Banka Qendrore Europiane do të zhvillojë paralelisht edhe një hulumtim me një mostër përfaqësuese të qytetarëve të vendeve të eurozonës.

Vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Drejtues i BQE-së, i cili do të shqyrtojë rezultatet e të dyja anketave, së bashku me vlerësimet profesionale dhe teknike të propozimeve për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje