Gazeta Si – Një vatër zjarri është regjistruar pasditen e kësaj të marte në zonën e Rribanit në Mallakastër. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve të aksesueshme.
Një helikopter i angazhuar në operacion po kryen hedhje uji mbi vatrat aktive, ndërsa në tokë vijojnë përpjekjet e forcave zjarrfikëse, shërbimit pyjor dhe strukturave të emergjencave civile.
Përmes një njoftimi, Policia e Fierit bën me dije se ka evakuuar 15 familje, si dhe bagëtitë e kafshët shtëpiake të tyre.
Në operacion janë angazhuar forcat e Policisë, zjarrfikësit, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile, si dhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avion Canadair për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Flakët janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe era e fortë, duke u përhapur me shpejtësi në një terren të vështirë dhe duke komplikuar ndërhyrjen e ekipeve.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit dhe identifikimin e autorëve nëse konstatohet zjarrvënie e qëllimshme.
Vatra zjarri u regjistruan edhe në Nivicë, në Bashkinë Himarë, ku flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi. Zjarret nuk po prekin vetëm sipërfaqet pyjore, por gjithnjë e më shpesh edhe banesat.
Në Fiershegan, flakët, që dyshohet se u shkaktuan nga një kondicioner, shkrumbuan thuajse plotësisht shtëpinë e një çifti të moshuarish. Dy të moshuarit arritën të dilnin në kohë dhe të shmangnin tragjedinë, falë edhe ndërhyrjes së fqinjëve.
Më herët, në Mallakastër u arrestua në flagrancë një 54-vjeçar, i cili dyshohet se ndezi qëllimisht një zjarr që dogji rreth 400 pemë ulliri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje