Gazeta Si – Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e ciklosporiazës në Miçigan, SHBA. Bëhet fjalë për viktimat e para të regjistruara në epideminë më të madhe në SHBA të këtij infeksioni të zorrëve, i cili u shkaktua nga sallata e kontaminuar e shërbyer në një zinxhir të njohur restorantesh me ushqim meksikan.
Sipas të dhënave mjekësore, të dyja viktimat vuanin nga probleme serioze shëndetësore para-ekzistuese, të cilat mund të jenë përkeqësuar nga ciklosporiaza dhe dehidratimi, si pasojë e diarresë së rëndë që shkakton ky infeksion. Departamenti Shtetëror i Shëndetësisë ka nisur një hetim.
Miçigani është një nga shtetet e goditura më rëndë nga shpërthimi i sëmundjes, me 11.234 raste të konfirmuara, përfshirë afro 200 shtrime në spital.
Në nivel kombëtar, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë raportuar një rritje të vazhdueshme të rasteve të kësaj sëmundjeje të zorrëve gjatë muajve të fundit.
Deri më 28 korrik, CDC kishte regjistruar 6.707 raste të konfirmuara të ciklosporiazës, si dhe më shumë se 11.500 raste të dyshuara që prisnin konfirmim ose hetime të mëtejshme.
Vdekjet nga ciklosporiaza janë shumë të rralla, megjithatë, ekspertët vënë në dukje se episodet e zgjatura të diarresë mund të jenë të rrezikshme për grupet vulnerabël, përfshirë foshnjat, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe individët me sistem imunitar të dobësuar.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara po shtohet frika lidhur me lloje të caktuara ushqimesh – kryesisht perime.
Një nga prodhuesit kryesorë të vendit të perimeve të freskëta u detyrua të tërhiqte nga tregu sallatën “iceberg”, e cila lidhej me shpërthimin e infeksionit dhe deklaroi se ka ndërmarrë “masa proaktive”.
Me të ardhura vjetore që kalojnë 7 miliardë dollarë, kompania kultivon prodhime bujqësore në më shumë se një duzinë shtetesh, si dhe në Meksikë e Kanada, ndërsa menaxhon 30 objekte përpunimi me një fuqi punëtore prej 25,000 punonjësish.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje