Histori

Si e ndryshoi kafeja Britaninë

Nëse kaloni rrugëve me kalldrëm të Leadenhall Market deri në Cornhill në Londër (Britani e Madhe) dhe drejtoheni në rrugicën prapa klubit të kthyer në bankë ‘The Crosse Keys’, mund të dalloni një shenjë të vogël në kornizë që paralajmëron ardhjen e një pijeje që ndryshoi përgjithmonë Britaninë.

"Këtu ka qenë kafeja e parë nga Pasqua Rosee, 1652” lexon në një pllakë jashtë mureve të Shtëpisë së Verërave Viktoriane.

Pasqua Rosee ishte një shërbëtor me origjinë armene i një tregtari britanik me emrin Daniel Edëards i punësuar nga Kompania Levant, e cila dikur monopolizoi tregtinë e Anglisë me Perandorinë Osmane. Në 1652, Rosee hapi një tezgë ku shërbehej kafe në oborrin e kishës së Shën Michael për të argëtuar të ftuarit e Edwards. Edwards, i lodhur nga mysafirët, e ktheu tezgën në një qendër ku shkonin tregtarët çdo ditë.

Brenda një ose dy vitesh, Rosee kishte fituar të ardhura të mjaftueshme nga shitja e kafesë sa hapi një dyqan në një rrugicë.

Udhëtimi i gjatë i kafesë për në Londër filloi qindra vjet më parë në kodrat e Afrikës veri-lindore. Sipas librit të Jeanette M Fregulia, “Historia se si kafeja u lidh me botën”, në shekullin e 9, një shitës nga Etiopia me emrin Kaldi vuri re se kafshët e tija kishin pikasur diçka në një ferrë dhe Kaldi vendosi të shikonte vetë se çfarë është. Kur ai provoi bimën, ndryshoi gjithçka.

Sipas Judith Hawley, pedagog në Universitetin e Londrës, ka disa variante të tjera për këtë histori por përfundimi ishte i njëjtë. Ajo bimë ishte çudibërëse!

Nga Shekulli i 16, kafeja kishte arritur në Konstandinopojë dhe u bë një element kryesor në kulturën e mikpritjes së Perandorisë Osmane, ku kishte plot kafene që ishin një hapësirë për burrat që të takoheshin dhe të relaksoheshin pasditeve.

Si një nga pijet më të hershme jo-alkoolike në Perandorinë Osmane, kafeja shërbehej kudo që burrat negocionin dhe tregtonin dhe konsumimi i saj u përhap gradualisht në perëndim. Dekada më vonë, kur kafeja arriti për herë të parë në Europën Lindore, Itali dhe më vonë në Angli, ajo u përdor si një ilaq për një sërë sëmundjesh.

Jonathan Morris, pedagog i historisë moderne në Universitetin e Hertfordshire, tregon se kafeja e konsumuar fillimisht në Angli në Shekullin e 17-të ka të ngjarë të ishte e ngjashme me kafenë moderne turke.

Pavarësisht shijes së hidhur, njerëzit që e pinin kafenë e shikonin si një pije që të ringjall.

Biznesi i Rosee kishte një sukses të madh dhe të menjëhershëm sepse ndodhej në zemrën e qytetit.

Libri i Morris shpjegon sesi mbajtësit e tavernave fqinje pretenduan se Rosee po vidhte biznesin e tyre pasi të gjithë mblidheshin në dyqanin e tij për të konsumuar kafe.

Në vitin 1663, më pak se një dekadë pasi u hap për herë të parë tezga e Pasqua Rosee, kishte 83 kafene në Londër. Këto kafene kishin një klientelë pothuajse ekskluzivisht vetëm meshkuj.

"Unë mendoj se kjo lindi nga një dëshirë e burrave për të folur për biznesin ndërkohë që pinin diçka jo domosdoshmërish alkoolike. Kafenetë ishin ato që jua mundësonin këtë.” thotë Morris.

“Shpërthimi” i kafeneve në të gjithë Londrën përkoi me ndërtimin deri në periudhën e hershme të iluminizmit dhe kafenetë luajtën një rol kryesor në këtë.

Ngadalë kafenetë filluan të përdoreshin si një vend ku burrat mblidheshin për të diskutuar për biznes, për të ndarë mendimet e tyre për fusha të caktuara. Shumë njerëz e përdornin si një vend frymëzimi ku shiheshin shkrimtarë që uleshin duke pirë kafe ndërkohë që shkruanin.

Në fund, kafenetë në Londër ishin vendi kryesor ku mund të merrje vesh çdo lajm dhe çdo gjë.

Sidoqoftë, disa menduan se gjithë kjo situatë ishte një kërcënim për monarkinë.

Në 1675, ministrat e Mbretit Charles II u përpoqën të mbyllnin kafenetë për shkak të "efekteve të tyre të këqija dhe të rrezikshme". Mbreti kishte frikë se kafeja mund të provokonte nxitje ose komplot të dhunës kundër fronit dhe urdhëroi "mbylljen e kafeneve krejt", megjithëse më vonë ai e tërhoqi ndalimin dy ditë para se ajo të vihej në fuqi.

Përtej Londrës, kafenetë u përhapën në qytetet si Bristol, York dhe Norwich, ku lulëzoi një kulturë në rritje e leximit dhe shkrimit brenda kafeneve.

Përveç kërcënimit politik të perceptuar të kafesë, njerëzit filluan dhe ta shihnin si diçka që i bënte burrat më dembelë pasi ato donin të rrinin në kafene shumë kohë dhe të mos bënin gjë.

Ndërsa kafeja vazhdoi përhapjen e saj në të gjithë Europën në Shekullin 17, shumë vende filluan prodhimin e saj për të përmbushur kërkesën në rritje.

Sipas Morris, Franca u bë një nga prodhuesit më të mëdhenj, duke mbjellë kafe nëpër Saint-Domingue. Në vitet 1760, në Saint-Domingue u prodhua më shumë se gjysma e kafesë së botës.

Në Haiti, punonjësit e skllavëruar filluan të bënin thirrje për të drejtat e tyre, duke çuar në revolucionin haitian dhe pavarësinë e vendit në 1804.

Kjo ishte një pikë kthese për kafenë në të gjithë botën. Me 1000 plantacione të shkatërruara, industria e kafesë në Haiti u prish, sipas Morris. Pirja e kafesë më pas ra në Britani, veçanërisht pasi u përhap pirja e çajit. Fillimi i Shekullit 19 pa Britaninë duke zgjeruar prodhimin e kafesë në Ceilon (Sri Lanka) dhe Indi por një shpërthim i kërpudhave Hemileia vastatrix shkatërroi plantacionet e kafesë në të dy kolonitë gjatë një dekade dhe në këtë mënyrë, filloi të prodhohej më shumë çaji.

Kafenetë gjithsesi ishin të pranishme dhe u bënë më gjithëpërfshirëse, por njerëzit filluan të akuzonin kafenë dhe kafenetë se ju harxhonin kohën, se është diçka që harxhonte shumë paratë e qytetarëve si dhe filluan ta shikojnë si diçka pa asnjë vlerë ushqyese.

Këto të gjitha u bënë arsye që britaniket të fillojnë të urrejnë kafenë.

Rënia drastike e konsumit të kafesë në Britaninë e Shekullit 19 ndodhi pikërisht kur kafeja u ngrit në Amerikën e Veriut, me rritjen e Brazilit si një prodhues vendimtar nga puna e skllevërve afrikanë.

Popullariteti i kafeneve britanike të stilit italian ka bërë që kafeja të bëhet pije e zakonshme britanike. Në dekadën e kaluar, shumë klube nate kanë filluar të shërbejnë kafe gjatë ditës për të konkurruar në këtë treg relativisht të ri.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë