Para

Si do të procedohet me TVSH-në për makineritë bujqësore stok?

Të gjithë fermerët që kanë gjendje inpute dhe makineri bujqësore të blera deri në 31 dhjetor 2018 dhe u është paguar TVSH-ja në blerje, kjo shumë do të kontabilizohet në llogarinë e shpenzimeve dhe do të njihet si shpenzim i zbritshëm për efekt fiskal, mbasi të kryhet rregullimi i TVSH-së së zbritshme.

Tatimet shpjegojnë se tatimpaguesi nuk e gëzon këtë të drejtë të kreditimit të TVSH-së, nëse këto blerje i shërbejnë furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja.
Sipas bazës ligjore në fuqi, personi i tatueshëm ka të drejtë të zbresë nga TVSH-ja e llogaritur për transaksionet e tatueshme, TVSH-në e paguar apo për t’u paguar në import për mallrat e importuara, në funksion të realizimit të transaksioneve të tatueshme me të drejtë zbritje.

Furnizimi i inputeve dhe makinave bujqësore është furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja. Për këto furnizime, sipas ndryshimeve ligjore, ka ndodhur kalimi nga një furnizim i tatueshëm i tij me të drejtë të zbritjes së TVSH-së, në një furnizim të përjashtuar pa të drejtë të zbritjes së TVSH-së. Për këtë, tatimpaguesit që kryejnë këto furnizime, duhet të kryejnë rregullimin e TVSH-së së zbritshme.

Gjithashtu, konsiderohet furnizim kundrejt pagesës, kur një person i tatueshëm përdor një mall në një sektor aktiviteti të përjashtuar pa të drejtë zbritje, në rastin kur ky mall ka pasur të drejtë të plotë ose të pjesshme zbritje të TVSH-së në momentin e blerjes apo përdorimit të tij. Për kryerjen e saktë të procedurës, në rastin kur ka ndryshim në përdorimin e një malli në kuadër të veprimtarisë së personit të tatueshëm, nga një veprimtari e tatueshme me të drejtë të zbritjes së TVSH-së, në një veprimtari të përjashtuar pa të drejtë të zbritjes së TVSH-së, duhet të kryhet rregullimi i TVSH-së së zbritshme.

Tek “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, është përcaktuar se, TVSH e zbritshme nuk kontabilizohet në llogarinë e shpenzimeve, por redukton TVSH-në e llogaritur në shitje, duke u kontabilizuar në llogarinë e TVSH-së. Përjashtimisht rastet kur TVSH-ja në blerje nuk kreditohet sipas Ligjit “Për TVSH-në” dhe udhëzimit në zbatim të tij, në këto raste kjo shumë e TVSH-së do të kontabilizohet në llogarinë e shpenzimeve dhe do të njihet si shpenzim i zbritshëm për efekt fiskal.

 

Më Shumë