Mendim

Shtresa e mesme, loja e re e sezonit politik

Nga Ilir Hysa- Në përkufizimin më të thjeshtë të përdorur gjërësisht, referenca kategorike “shtresë e mesme” ka të bëjë me një grup qytetarësh në mesin e hierarkisë sociale të një vendi. Por një përcaktim i tillë është i paqartë dhe, jo rrallë, përdorues të tij mund të kenë parasysh gjëra të ndyshme si pozitën profesionale, të ardhurat, arsimimin ose statusin shoqëror. Pra, koncepti i shtresës së mesme është subjekt interpretimesh.

Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar- Ekonomist Senior pranë Moody's Corporation

Tani le të kthehemi tek përkufizimet gjuhësore të shtresës së mesme. Fjalori prestigjioz Merriam Webster Dictionary ka dy përkufizime kryesore: i pari thotë se shtresa e mesme është një grupim i “karakterizuar nga një standard i lartë material i jetesës, moralitet seksual, dhe respekt për pronën”. Përkufizimi i dytë e përcakton shtresën e mesme si “një grupim socio-ekonomik i rrjedhshëm dhe heterogjen i përbërë kryesisht nga njerëz profesionistë, nëpunës, dhe disa fermerë dhe punëtorë të aftë që ndajnë karakteristika dhe vlera të caktuara”.

Ky i dyti është edhe përkufizimi ku duhet të ndalemi. Përkufizimi në përgjithësi, dhe përcaktimi “i rrjedhshëm” në veçanti, nënkuptojnë një shoqëri dinamike në të cilën qytetarët që edukohen mirë, punojnë fort, ose kanë shpirt inovator dhe ngjisin shkallët e piramidës shoqërore. Ndërkohë, ata më pak të aftë dhe me më pak fat mbeten në pjesën më problematike sociale më të theksuar të shoqërisë.

Nga pikëpamja teknike, përcaktimet ekonomike se cilat familje i takojnë shtresës së mesme dhe cilat mbeten jashtë saj, bëhen zakonisht në bazë të të ardhurave familjare. Për shembull, si rregull të përgjithshëm, disa studiues të ekonomisë amerikane konsiderojnë si pjestarë të klasës së mesme individët me të ardhura nga dy të tretat deri në dyfishin e të ardhurave mediane. Në bazë të kësaj llogjike, shtresa e mesme përbëhet nga amerikanë me të ardhura nga $40,500 deri në $122,000 në vit. Në fakt, ky rregull i parapërcaktuar lejon qytetarët të kuptojnë pozicionin e tyre në ekonominë amerikane. Për më shumë, Pew Research përllogarit se 52% e individëve në moshë madhore jetuan në familje me të ardhura të mesme në vitin 2018. (https://www.pewresearch.org/fact-tank/2020/07/23/are-you-in-the-american-middle-class/)

Tani le të fokusohemi në pyetjen më të rëndësishme: Pse shtresa e mesme  konsiderohet si çelësi i zhvillimit ekonomik të një vendi? Së pari, shtresa e mesme përbën pjesën më të pazëvendësuseshme të fuqisë punëtore por edhe bazën e gjerë konsumatore të shoqërisë, kërkesa e së cilës nxit prodhimin dhe punësimin. Së dyti, inovatorët më të mëdhenj të një shoqërie vijnë nga shtresa e mesme. Së treti, edukimi dhe aftësitë profesionale të individëve të shtresës së mesme janë çelësi i rritjes së produktivitetit në ekonomi. Së katërti, stabiliteti i shtresës së mesme rrit stabilitetin social dhe krijon kushtet optimale për investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë. Për këto arsye, vendet me prosperitet dhe stabilitet më të madh ekonomik kanë edhe pjesën më të madhe të popullsisë në moshë madhore në shtresën e mesme. Për shembull, 70% deri 80% e të rriturve në Danimarkë, Norvegji, Hollandë, Luksemburg, Gjermani, dhe Francë i takojnë shtresës së mesme.

A ka shtresë të mesme në Shqipëri? Përgjigjja varet nga konteksti. Në kontekstin e vendeve perëndimore, Shqipëria nuk ka shtresë të mesme. Pra, mjerisht, jo, të paktën në kuptimin e potencialit ekonomik. Sa herë që duket se ajo po lind, një krizë e re godet dhe gjthçka e nisur humbet në eter. Shtresa e mesme në Shqipëri mbahet peng nga politika dhe shërben më tepër si top futbolli për argumenta politikë sesa si një realitet ekonomik. Pew Research vlerësonte në vitin 2011 se vetëm 11% e shqiptarëve kishin hyrë në shtresën e mesme pas dekadës së dytë të tranzicionit, dhe nuk duhet harruar se një pjesë e mirë e tyre janë larguar tashmë nga Shqipëria. Kush i ka harruar bluzëbardhët zemërplasur që lanë Shqipërinë për Gjermaninë?! Ata ishin kandidatë për shtresën e mesme. Politika vazhdon ti normalizojë largimet për të mbuluar dështimet, për të larguar vëmendjen nga vrasja e shpresës, por kjo nuk e rrit shtresën e mesme. Duhet thënë se jo vetëm emigracioni, por edhe polarizimi i ekonomisë shqiptare në dekadën e tretë të tranzicionit e ka tkurrur këtë shtresë. Rritja ekonomike sjell përfitime vetëm për një grusht njerëzish dhe të tjerët ndajnë thërrimet. Plot 37% e shqiptarëve jetonin në varfëri në Prill 2020, sipas Bankës Botërore, dhe pandemia globale COVID-19 ka vazhduar ti përkeqësojë shifrat. Dhe jo vetëm që kontrasti i shtresës së mesme me vendet perëndimore është i qartë, por edhe ai në raport me vendet e tjera lindore, madje edhe me fqinjët si Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e bën Shqipërinë të duket keq. Kjo reflektohet qartazi në faktin se një pjesë e mirë e kompanive më të mëdha në vendet fqinje janë entitete prodhuese, ndërsa në Shqipëri asnjëra nga kompanitë më të mëdha nuk është e tillë. Veprimtaria prodhuese dhe kreativiteti vijnë nga stabiliteti politik dhe shoqëror, elementë që Shqipërisë i kanë munguar dhe vazhdojnë ti mungojnë. Shqipëria mbetet vendi ku tregtarët e qenieve njerëzore iu serviren qytetarëve si njerëz të biznesit dhe zënë vende si deputetë në parlament.

E bëra këtë analizë për të ilustruar se histeria mbi shtresën e mesme nuk serviret për arsye tjetër përveç se si temë interesante për sezonin e nxehtë politik që ka filluar. Pra, potenciali që mbart forcimi i klasës së mesme është kuptuar edhe nga politika, e cila nuk po vonon të vrapojë me flamurin e zhvillimit ekonomik. Duhet thënë qartazi se përdorimi për qëllime politike i shtresës së mesme në Shqipëri është në vazhdën e poshtërsive të pafundme të politikës shqiptare përgjatë tre dekadave të tranzicionit. Qytetarët shqiptarë nuk duhet t’iu besojnë fjalëve por veprave. Ata duhet të pyesin kandidatët për planet e tyre për arsimin, shëndetësinë, punësimin, trainimin professional, shpresën dhe moslargimin e rinisë. Deri tani, përveç retorikës boshe, ka pak plane konkrete për forcimin e shtresës së mesme në Shqipëri. Qytetarët që deri tani kanë votuar për një thes miell duhet ti thërrasin mendjes dhe të votojnë propozimet, idetë, vizionin për të ardhmen. Nëse mbeten tek thesi i miellit, ata do ti garantojnë vetes mjerimin perpetual dhe nuk do të kenë të drejtë morale të ankohen. Sa për politikën, le të mos jemi shumë ambiciozë! Politika duhet të fillojë të ecë para sesa të vrapojë. Ajo duhet të japë prova se është serioze para se të forcojë shtresën e mesme. Shtresa e mesme do të forcohet vetëm kur të krijohen kushtet minimale për jetesë dhe të ulet ndjeshëm shkalla e varfërisë në vend.

*Ilir Hysa është ekspert i ekonomisë pranë Moody's Corporation. Ky opinion është shkruar posaçërisht për Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë