Para

Shqiptarët jetojnë momentin, preferojnë më shumë të shpenzojnë se sa të kursejnë

Me një ekonomi të varfër, ku paga minimale është 26 mijë lekë në muaj, pa një minimum jetik të standartizuar me ligj, me një punësim jo cilësor ku peshën më të madhe të ekonomisë e mbajnë bizneset e vogla dhe shërbimet janë ato që dominojnë, me interesa të papërfillshme të depozitave, me një kulturë të dobët financiare, shqiptarët e “kanë harruar” traditën e të kursyerit.

Nëse në memorien tonë, të brezit përpara 90”-ës fanepsen gjyshet me shami të bardhë a të zezë në kokë dhe një trastë të vogël prej lecke, të cilën e fshihnin në gjoks a nën jatëk, kjo tingëllon një përrallë nga e kaluara.

Një hulumtim i Bankës së Shqipërisë për sjelljen financiare të shqiptarëve, në këtë rast të marrëdhënies së tyre me paranë ku si kampion janë marrë 1000 persona nga zona të ndryshme të vendit gjatë 2015 dhe i botuar pak ditë më parë, tregon se shqiptarët preferojnë të mendojnë për momentin se sa për nesër.

Hulumtimi është bazuar mbi tre pyetje ndaj të intervistuarëve; “Paratë janë bërë për t’u harxhuar”, “Preferoj t’i harxhoj paratë se sa t’i ruaj ato për të ardhmen”, “Jam i/e prirur të jetoj momentin, pa u shqetësuar shumë për të nesërmen”.
Nga përpunimi i përgjigjeve të të intervistuarve për pyetjet që matin qëndrimet e tyre financiare, rezulton se: 42% e kampionit janë dakord ose plotësisht dakord me pohimin “Paratë janë bërë për t’u harxhuar”, kundrejt vetëm 1 në 3 individë (36%) që shprehen kundër ose plotësisht kundër tij.

Vetëm 16% e individëve shprehen më të gatshëm t’i shpenzojnë paratë, dakord dhe plotësisht dakord me pohimin “Preferoj t’i harxhoj paratë se sa t’i ruaj ato për të ardhmen”, kundrejt 67% që shprehen se preferojnë t’i ruajnë ato për të ardhmen (kundër ose plotësisht kundër).

Vetëm 22% e individëve janë dakord ose plotësisht dakord me pohimin “Jam i/e prirur të jetoj momentin, pa u shqetësuar shumë për të nesërmen”, kundrejt 61% të cilët priren të shqetësohen më tepër për të ardhmen (kundër ose plotësisht kundër).

Rezultatet e përftuara mbi tre pohimet që synojnë të matin qëndrimet financiare të të intervistuarve, analizuar sipas karakteristikave demografike apo nivelit të njohurive financiare, tregojnë se ky i fundit është në marrëdhënie të zhdrejtë me prirjen për t’i harxhuar paratë.

Pra sa më të arsimuar dhe me njohuri të konsiderueshme financiare janë njerëzit, aq më pak priren për të harxhuar, krahasimisht me kursimin.

Gjithashtu, në përgjithësi, të intervistuarit: femra, individët e moshës 35-59 vjeç, banorët e zonave urbane si dhe ata me nivel të lartë të ardhurash familjare shprehen më të kujdesshëm ndaj parasë dhe më të prirur për t’u shqetësuar për të ardhmen.


Sa i përket zhvillimit të qëndrimeve financiare të shqiptarëve në periudhën 2011-2015, pra se si kanë ndryshuar qëndrimet e tyre nisur nga tre pyetjet e mësipërme, të dhënat dëshmojnë se përqindja e qëndrimeve të duhura ka pësuar rënie për pohimet “Paratë janë bërë për t’u harxhuar” dhe “Jam i prirur të jetoj momentin, pa u shqetësuar për të ardhmen”, me respektivisht 8% dhe 5%, dhe rritje me 6% për pohimin “Preferoj t’i harxhoj paratë se sa t’i ruaj ato”.

Të treja këto pohime synojnë të masin qëndrimet e kujdesshme ose jo ndaj parasë dhe rezultatet e vrojtimeve nxjerrin në pah një rënie të përgjithshme të përqindjes së qëndrimeve të duhura nga viti 2011 në atë 2015, që megjithëse e vogël (3%) tregojnë për një ndryshim në kohë në kahun e padëshiruar, që sipas Bankës së Shqipërisë duhet marrë parasysh gjatë hartimit të politikave në të ardhmen.

 

Më Shumë