Mendim

Shqipëria, hera e parë që Këshilli i Europës tërhiqet nga vëzhgimi i zgjedhjeve

Për herë të parë që nga viti 1991, Këshilli i Europës nuk do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Shqipëri, për shkak të paqartësive në procesion zgjedhor. Në njoftimin e Këshillit të Europës thuhet se misioni vëzhgues nuk do të vijë në Shqipëri edhe prej risqeve që mund të vijnë prej mungesës së sigurisë në zona të caktuara.

Ky vendim i papritur është në fakt edhe një hap i paprecedentë i ndërmarrë nga Këshilli i të Europës, pasi është hera e parë që nga krijimi i saj në vitin 1949 që KiE-ja vendos të mos monitorojë zgjedhjet e mbajtura në një vend anëtar. Përgjatë këtyre dekadave, misionet ndërkombëtare të vëzhguesve të Këshillit Europian nuk janë tërhequr asnjëherë nga monitorimi i zgjedhjeve në vendet europiane, edhe pse situata në vende si Ukraina apo Rusia ka qenë herë pas herë tejet e tensionuar.

Deri më tani, Këshilli i Europës ka ndjekur nga afër të gjitha proceset zgjedhore të vendeve anëtare, përveçse në vitin 2016 në Rusi, kur Moska zyrtare nuk i lejoi të merrte pjesë.
Grupi prej 35 vëzhguesish të KiE-së ështrë përjashtuar nga pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ruse, për shkak të përplasjeve Moskë-Bruksel pas aneksimit të gadishullit të Krimesë. Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë ndaloi në momentin e fundit vëzhguesve ndërkombëtarë hyrjen në vend, edhe pse një vendim i tillë u prit më kritika nga ana e Këshillit të Europës. Rusia ka qenë anëtare e Këshillit të Evropës që nga viti 1996, por pas aneksimit të Krimesë, delegacionit rus iu hoq e drejta e votimit. Kjo ishte edhe arsyeja pse qeveria e Vladimir Putin u ndaloi vëzhguesve europianë pjesëmarrjen.

Megjithatë, tërheqja nga zgjedhjet lokale në Shqipëri shënon pa dyshim herën e parë që KiE-ja merr një vendim të tillë ndaj një vendi anëtar.

Edi Rama

Monitoruesit e Këshillit të Europës janë një mjet tejet i rëndësishëm për vëzhgimin dhe legjimitetin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në të gjitha vendet Europiane. Misioni i tyre i parë ishte monitorimi i procesit zgjedhor në Greqi në vitin 1974.

I themeluar më 5 maj të vitit 1949 nga dhjetë shtete, Këshilli i Europës pranoi dhjetëra vende të reja në vitin 1989 në Europën Juglindore, të cilat e nxitën Kongresin e KiE-së krijonte një vëzhgim sistematik të zgjedhjeve. Shqipëria u bë pjesë e Këshillit të Europës në vitin 1992, por vëzhguesit e KiE-së kanë monitoruar të gjitha zgjedhjet mbajtura në vendin tonë që nga pranvera e vitit 1991.
Mekanizmi monitorimit të zgjedhjeve të vendeve anëtare të Këshillit, i njohur ndryshe ai PACE, ishte institucioni i parë që lidhi anëtarësinë e Këshillit të Evropës me respektimin e parimeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zbatimi i këtij kushti demokratik nuk do të ishte e mundur pa informacionet e mbledhura gjatë misioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve në vendet anëtare të Këshillit. Pas monitorimit të zgjedhjeve , misioni i vëzhguesve i prezanton raportin e tij Kongresit të Këshillit, i cili e diskuton më pas me përfaqësuesit e vendeve anëtare.

Që nga viti 1989, PACE ka monitoruar mbi 140 zgjedhje parlamentare, lokale dhe presidenciale në Europë. Vëzhguesit mund të vendosin nëse është e nevojshme të formojnë vetëm një mision vëzhgimi zgjedhjesh apo edhe një vizitë parazgjedhore dhe një pas zgjedhjeve për t’u siguruar për mbarëvajtjen e procesit. Pas vëzhgimit, kryesuesit e delegacionit hartojnë raporte për procesin e zgjedhjeve, të cilat i dorëzohen Byrosë dhe më pas Kongresit, i cili ia bën të ditura vendeve anëtare.

Për shembull, zgjedhjet më problematikë kanë qenë ato në Turqi, të cilat janë bërë shkak jo vetëm për kritika të ashpra ndaj qeverisë turke, por edhe për diskutime të ashpra në Kongresin e Këshillit, pasi disa vende anëtare kanë kërkuar t’i heqin Ankarasë të drejtën e votës, si “ndëshkim” për manipulimet e shumta zgjedhore.

Megjithatë, pavarësisht trazirave të mëdha zgjedhore pas grushtit të shtetit në vitin 2016, vëzhguesit e KiE-së kanë marre pjesë në të gjitha proceset zgjedhore që kanë pasuar në Turqi, përfshirë edhe referendumin nëpërmjet të cilit presidenti Erdogan i dha vetes të tjera fuqi kushtetuese.

Kur tërhiqen vëzhguesit ndërkombëtarë?

Edhe pse Këshilli i Europës nuk ka deri më tani asnjë rekord të tërheqjes nga vëzhgimi i zgjedhjeve në vendet anëtare, përveç Shqipërisë, misionet e tjera ndërkombëtare për monitorimin e votimeve, si OSBE ODHI apo ai i Bashkimit Europian i kanë tërhequr gjithnjë mbikëqyrësit në rast rreziku për përplasje civile.

Rasti i fundit ishte në vitin 2017, kur BE-ja ka tërhequr vëzhguesit e saj nga zgjedhjet në Kenia, duke thënë se stafi i saj ishe në rrezik për jetën.

Në një deklaratë, misionet ndërkombëtare vëzhguese kanë treguar se kishte kërcënime ndaj stafit, pasi një pjesë e kenianëve ishin kundër zgjedhjeve dhe kundërshtari kryesor i Presidentit ishte tërhequr nga gara. (Pra në një situatë të ngjashme me atë në vendin tonë).

Zgjedhjet u mbajtën më 26 tetor dhe u karakterizuan nga një sërë përplasjesh civile pasi opozitra jo vetëm që nuk mor pjesë por as nuk lejojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në qarqet ku kishte më shumë influencë.

Po ashtu në vitin 2015, BE-ja tërhoqi vëzhguesit e zgjedhjeve nga Burundi. Në një deklaratë, Shefja e çështjeve të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini tha se procesi zgjedhor ishte dëmtuar nga kufizimet e medias, dhuna kundër demonstruesve dhe frikësimi i partive politike.

Ajo tha se vendimi i Burundit për të shkuar përpara me këto zgjedhje, kishte detyruar BE-në të pezullonte misionin e saj të vëzhgimit për të mbrojtur zyrtarët europiane.

Një situatë e ngjashme u paraqit në vitin 2002 në Zimbabve, ku Brukseli jo vetëm që tërhoqi misionin e vëzhguesve, por edhe vendosjen e sanksioneve ndaj presidentit të vendit për rrezikimin e jetës së tyre. Udhëheqësi i misionit të BE-së, Pierre Schori u deportua pasi qeveria e akuzoi për abuzimin me vizën e tij turistike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë