Futboll

Video/ Prodani tërhiqet nga gara për Shoqatën e Tiranës: Zgjedhje të manipuluara

Eduard Prodani, një nga kandidatët për kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë, është tërhequr nga gara. Sapo ka dalë nga ambientet e FSHF-së, ku po zhvillohen zgjedhjet për kreun e kësaj shoqate, Prodani ka akuzuar për shkelje nga ana e FSHF-së dhe konkretisht për shtim të numrit të delegatëve.

“Në sallën e asamblesë gjetëm më shumë se numri i duhur i delegatëve. Kam insistuar që të jepej numri i delegatëve, por ka pasur një manipulim të listës së delegatëve, ku ditët e fundit janë shtuar pa fund delegatë. Kishte fytyra që nuk i kishim parë asnjëherë. A kishin ardhur nga hëna, a ishin alienë nuk e di njeri.

Ishte asamble e manipuluar. Nuk mund të qëndronim në të dhe do të flasim me ekspertët tanë ligjorë për masat e mëtejshme. Mbledhja drejtohej nga njerëz të federatës, që nuk kanë lidhje. Dhe në këtë godinë nuk duhej të bëhej mbledhje, është pa sens. Shoqata nuk ka staf, përgatitja është bërë nga FSHF. Konflikt i pastër interesi. nuk mund të marrim pjesë në një asamble ku nuk dimë nga vijnë njerëzit, i bie të bëheshim ortakë në këtë estradë”, - tha Prodani. Kandidati tjetër për kreun e shoqatës rajonale të Tiranës është Krenar Alimehmeti.

E gjithë lufta po bëhet për zgjedhjet e presidentit të ri të FSHF-së, që zhvillohen më 2 mars, ku drejtuesit e shoqatave rajonale kanë votën e tyre. Pak ditë më parë u bë publik rasti i shoqatës rajonale të Durrësit, ku pati edhe një hetim të Prokurorisë, pasi përfaqësuesit e Erzenit kishin marrë pjesë në mënyrë të jashtëligjshme.

Presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, i cili kërkon mandatin e 6-të, ditët e fundit është akuzuar ashpër nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë