Futboll

Presidenti i FSHF-së zgjidhet më 2 mars, Armand Duka kërkon mandatin e 6-të

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka zyrtarizuar në mbledhjen e sotme datën e zgjedhjeve të ardhshme për president të këtij institucioni. Asambleja zgjedhore do të zhvillohet më 2 mars, pra pas më pak se një muaji e gjysmë.

Presidenti aktual, Armand Duka, do të kërkojë mandatin e 6-të në krye të FSHF-së. Ai është zgjedhur për herë të parë në krye të futbolit shqiptar në vitin 2002 dhe më pas është rizgjedhur në zgjedhjet e 2006-ës, 2010-ës, 2014-ës dhe 2018-ës. Është kandidati kreyesor në zgjedhjet e ardhshme, ku përballë do të ketë komentatorin Dritan Shakohoxha, deri tani rivali i vetëm.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-se. Gazeta Si, 22 janar 2022

Fushata në fakt ka kohë që ka filluar për këto zgjedhje dhe polemikat, sidomos ditët e fundit, nuk kanë munguar. Ka një luftë të ashpër për personat që do të kenë të drejtën e votës veçanërisht në shoqatat rajonale, që kanë përfunduar edhe në Prokurori, pas shkeljeve të konstatuara për shoqatën rajonale të Durrësit.

Politika ndërkohë nuk mund të rrinte jashtë këtyre zgjedhjeve edhe këtë herë. Në zgjedhjet e 2018-ën Duka fitoi përballë ish-deputetit socialist, të ndjerit Bashkim Fino. Tashmë është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka dalë hapur kundër Dukës, të cilin e akuzon se nuk ka bërë asnjë investim për të shtuar fushat në kryeqytet. Sulmet vijnë edhe për faktin se Armand Duka është vëllai i Agron Dukës, një politikan i njohur i krahut të djathtë.

Për hir të së vërtetës, gjatë zgjedhjeve të fundit gjithmonë ka pasur akuza për parregullsi në votim, apo vota të blera. Në opinionin publik, por edhe shumë spsecialistë të fushës mendojnë se FSHF është një institucion i centralizuar në duart e Dukës. Tani mbetet të shihet, nëse ai do të fitojë edhe mandatin e 6-të, apo do të kemi një ndryshim pas 20 vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë