Biznes

Shoku kinez 2.0- Vërshimi i produkteve ‘high-tech’ që do të ndryshojë botën

Nga Gazeta ‘Si’- Produkti i Huang Xian është sa grushti i dorës: një sensor që zbulon rrjedhjet e rrymës elektrike dhe vendoset te karikuesit e makinave elektrike si mbrojtje mes automjetit dhe rrjetit.

Por kjo pajisje e vogël nuk simbolizon vetëm suksesin teknologjik të Kinës.

 Ajo pasqyron edhe një prirje që po trondit industrinë e avancuar në mbarë botën: valën e re të konkurrencës kineze që po godet prodhimin e nivelit të lartë.

Shpërthimi i makinave elektrike i ka çuar dërgesat e sensorëve të kompanisë Mega-Senway Electronic Technology në rreth 10 milionë copë këtë vit, nga vetëm 20 mijë në vitin 2019.

Kur hyri në treg, sensorët shiteshin nga kompani gjermane e zvicerane për rreth 30 dollarë copa. Mega-Senëay i prodhoi fillimisht me kosto rreth 40 juanë dhe i shiti për 100. Sot, pas hyrjes së një morie rivalësh kinezë, disa sensorë shiten për vetëm 10 juanë.

“Kurrë nuk e kishim menduar se çmimet do binin kaq shpejt,” thotë Huang.

Historia e tij është shembull i asaj që ekonomistët po e quajnë “shoku i dytë kinez”: jo më mallra të lirë konsumatorë si dikur, por sulm ndaj industrive më të sofistikuara- makina elektrike, panele diellore, bateri, turbina ere, robotikë.

Kombinimi i konkurrencës së ashpër brenda Kinës, subvencioneve masive shtetërore, fuqisë së madhe prodhuese dhe mijëra inxhinierëve të kualifikuar ka krijuar kompani kineze jashtëzakonisht konkurruese.

Por i njëjti model ka sjellë edhe mbikapacitet: prodhim shumë më tepër sesa kërkon tregu, marzhe fitimi që zhduken dhe luftë çmimesh që po përhapet në botë.

Në Kinë, kjo quhet neijuan- një spirale ku të gjithë punojnë më shumë për të fituar gjithnjë e më pak.

Huang tregon se si iu desh të ulte kostot, bleu fabrikën që i prodhonte sensorët, përmirësoi linjat e testimit dhe kaloi nga puna manuale te robotët.

“Përditësonim proceset dy ose tre herë në vit. Presioni vinte aq shpejt,” thotë ai.

Edhe gjigantët e makinave elektrike po e ndiejnë: BYD ka parë rënie të çmimit mesatar të makinave,  Nio ka ulur ndjeshëm çmimet e modeleve premium.

Megjithatë, lart në zinxhirin e furnizimit, furnitorët si Mega-Senway po shkojnë drejt fitimeve zero.

Sipas kritikëve, avantazhi kinez nuk vjen vetëm nga efikasiteti; kursi i nënvlerësuar i juanit, kreditë e lira nga bankat shtetërore dhe subvencionet e larta lokale, e bëjnë konkurrencën pothuajse të pamundur për rivalët perëndimorë.

Në Gjermani, Volkswagen po zhvendos më shumë zhvillim produkti në Kinë për të mbijetuar. Në Zvicër, LEM ka humbur marzhe dhe po përshtatet me ritmin kinez.

Ndërkohë, eksportet kineze po rriten me ritme të forta, sidomos drejt Europës dhe Azisë Juglindore.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka quajtur këtë një çështje “jete a vdekjeje” për industrinë europiane.

Në fund, paradoksi është ky: Kina po fiton tregje globale, por shumë nga kompanitë e saj po mbyten nga i njëjti model që i bëri të fuqishme.

“E nisëm këtë kompani sepse donim të krijonim produkte të reja,” thotë Huang. “Tani çdo vit pyes veten: sa mund të shtrydhim që të na mbetet diçka për të investuar në risi?”

Marrë nga Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë