Nga Gazeta ‘Si’- Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj deklaroi për mediat se më 1 korrik nis programi “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, dedikuar bizneseve vendase.
“Bizneset do financohen me normë interesi nga 2 deri në 3%. Bizneset të informohen mbi potencialet që kanë programet, që të rrisim produktivitetin, që të rrisim eksportet dhe me qëllim aksesi në tregun europian. Qeveria do të vijojë të mbështesë bizneset. Ne rishikuam Strategjinë Kombëtare të Punësimit, që të zgjerojmë aktivitetin e garancisë rinore, që iu dedikohet të rinjve dhe të rejave, që duan të punësohen. Nëse nuk kanë një aftësi, kanë mundësi që të aftësohen.
Programi Hospitality Albania është program, që parashikon menaxhimin e Strukturës Qeveritareve në Vlorë dhe në Velipojë. Qëllimi i programit është që asetet shtetërore të rikualifikohen dhe të shfrytëzohen me qëllim fitimi, në bashkëpunim me privatin. Prona shtetërore në asnjë rast nuk i transferohet privatit”, tha Ibrahimaj.
Ministrja foli edhe për çmimin e naftës dhe kritikat ndaj Bordit të Transparencës.
“Bordi i Transparencës nuk ka shërbyer vetëm tani, por edhe gjatë 2022, kur çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm. Është një mekanizëm, që ne si politikë nuk e përdorim, sepse kemi zgjedhur të jemi një ekonomi e hapur, por në disa situata, kemi zgjedhur të mbrojmë interesin publik. Kur publikohen çmimet, ka një formulë, e cila lejon kompanitë që të kenë një fitim, qoftë dhe të vogël dhe që qytetarët të mos rëndohen shumë. Ne shpresojmë që kriza në Lindjen e Mesme të mbarojë sa më parë”, tha ministrja.
Më tej, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë Enea Karakaçi njoftoi se qeveria ka miratuar një projektligj të ri, që do rregullojë sektorin e energjisë elektrike.
“Kemi miratuar një projektligj shumë të rëndësishëm për sektorin e energjisë elektrike, që do bëjë të mundur rregullim e sektorit të energjisë elektrike. Ligji i mëparshëm ishte i vitit 2015 që bëri transformimin e sektorit dhe iu përgjigj sfiudave të kohës. Kishte ardhur koha për një projektligj të ri”, tha Karakaçi.
Ky projektligj i ri sipas ministrit, që pritet të futet shumë shpejt edhe në agjendën e Parlamentit, “e fut Shqipërinë në një koncept të ri”. Ai shprehet se ky rregullim në ligj vjen si një moment shumë domethënës për etapën ku ndodhet sot Shqipëria sa i takon procesit të integrimit.
Karakaçi theksoi se projektligji i ri e ka kaluar fazën e konsultimeve me grupet e interesit, shqetësimet dhe sugjerimet e të cilëve janë dëgjuar dhe marrë parasysh.
“Elementi i dytë që dua të theksoj është ai i integrimit europian. Ishte detyrim i Shqipërisë në kuadër të integrimit Europian dhe Planit të Rritjes, një nismë shumë e rëndësishme ku Shqipëria do marrë fonde nga BE.”, shton ministri.
Po ashtu, ministri njoftoi edhe një tjetër nismë që sipas tij përsëri lidhet me ndryshimet dhe transformimet e sektorit të energjisë elektrike.
Fjala është për ndërtimin e një impianti të ri energjie fotovoltatike me kapacitet 96 megavat.
Ministri foli edhe për Aeroportin e Vlorës, duke thënë se është lënë një afat 30-ditor që të zgjidhet mosmarrëveshja.
“Jemi ofruar që të negociojmë edhe ne si qeveri. Aeroporti ka ecur mirë sa i përket avancimit të punimeve. Do të marrim masat që të përfundojë sa më shpejt sipas afateve që vetë kompanitë kanë vendosur. Çdo ditë vonesë ka penalitete dhe kemi lëshuar faturat e para të penaliteteve”, tha Karakaçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje