Nga Gazeta ‘Si’- Malajzia ka qenë prej kohësh një nga prodhuesit më të mëdhenj të gomës në botë. Vendi nuk përfaqëson më aq shumë të furnizimit global sa në kohën e sundimit kolonial britanik, por një pasojë e rreth 150 viteve përvojë në punën me këtë material është se aty ndodhet prodhuesi më i madh në botë i prezervativëve.
Karex, e cila prodhon gjithashtu doreza gome, ndër të tjera, prodhon më shumë se 5 miliardë prezervativë çdo vit- rreth një e pesta e totalit global.
Ajo shet produktet e saj dhe gjithashtu furnizon marka të tjera si Durex dhe Trojan, si dhe shërbime të shëndetit publik.
Megjithatë, kohët e fundit kompania po “venitet”.
Çmimi i aksioneve të saj ka rënë me një të tretën që nga fillimi i vitit. Më 25 maj ajo raportoi humbjen e dytë tremujore operative radhazi. Shitjet në tre muajt e parë të vitit 2026 ishin më shumë se një e pesta më të ulëta se një vit më parë.
Karex mund ta fajësojë Donald Trump për performancën e dobët. Shpenzimet për kontraceptivë nga agjencitë ndërkombëtare të shëndetit janë tkurrur për shkak të shkurtimeve në buxhetin amerikan të ndihmave. Tarifat dhe dobësimi i dollarit gjithashtu e kanë dobësuar kompaninë.
Më së fundmi, lufta e Trump me Iranin e ka lënë kompaninë të ekspozuar.
Në prill, drejtori i firmës, Goh Miah Kiat, paralajmëroi se kostot për disa lëndë të para- përfshirë vajin e silikonit, që përdoret si lubrifikant, dhe aluminin për paketim- po rriteshin për shkak të konfliktit. Për t’u mbrojtur, ai tha se kompania do të rriste çmimet me 20–30%, megjithëse kjo mund të largojë klientët.
Karex sapo kishte filluar të rimerrte veten. Në fillim të pandemisë së COVID-19, disa menduan se izolimet do të sillnin një rritje të shitjeve të prezervativëve.
Në vend të kësaj, ato sollën probleme në zinxhirët e furnizimit që rritën kostot dhe ulën fitimet. Karex pësoi humbje në vitet fiskale 2021 dhe 2022.
Megjithatë, kompania ka gjasa të ngrihet sërish. Ajo së fundmi ka hedhur në treg prezervativët e parë të bërë nga nitril sintetik, të cilët kanë më pak gjasa të shkaktojnë reaksione alergjike dhe do të jenë më të lirë për t’u prodhuar se goma tradicionale (edhe pse kostoja e tyre është rritur sepse nitrili është me bazë nafte). Investitorët do të gabonin nëse do të tërhiqeshin tani./ The Economist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje