Drejtësia

‘Revanshi’ / SPAK kërkon 98 vite burg për 7 të pandehur, mes tyre Durim Bami dhe Aldo Avdyli

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 98 vite burg për 7 të pandehur të dosjes “Revanshi”, të akuzuar për vepra të ndryshme të rënda penale.

Struktura e Posaçme ka kërkuar 10 vite burg për Aldo Avdylin, i cili me gjykim të shkurtuar i ulet në 6 vite e 8 muaj burg.

Për Durim Bamin, i ekstraduar para pak muajsh nga Dubai, SPAK kërkoi burgosjen me 21 vite heqje lirie. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u kërkua përfundimisht vuajtja e 14 viteve burg.

Nga hetimet, SPAK ka arritur në përfundimin se disa grupe kriminale kanë kryer vepra të ndryshme të rënda penale.

Ata dyshohet se kanë kryer vrasje, tentativë vrasjeje, kultivim kanabisi. Në mesin e të pandehurve ka edhe punonjës policie, që kanë dhënë informacione për grupet kriminale, me qëllim që të mos bëhen kontrolle.

Pretenca e SPAK për dosjen Revanshi

Aldo Avdyli 10 vite burg, 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

E.J. 15 vite burg, 10 vite me gjykim të shkurtuar

O.Z. 20 vite burg, 13 vite e 4 muaj  me gjykim të shkurtuar

H.M 9 vite burg, 6 vite burg me gjykim të shkurtuar

A.M 13 vite e 6 muaj burg, 9 vite me gjykim të shkurtuar

J.K 10 vite burg, 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Durim Bami 21 vite burg, 14 vite me gjykim të shkurtuar

Para një muaji, Prokuroria e Posaçme, për një tjetër fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkoi në total 56 vite burg për 5 të pandehur. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, në total dënimi për të pestë ulet në 37 vite burg.

Sipas pretencës së paraqitur në gjykatë, SPAK ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për A.N., 6 vite burg për E.N., 6 vite burg për E.M., 8 vite burg për D.B. dhe 7 vite burg për A.P. Këto dënime janë llogaritur pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Të pesë të pandehurit akuzohen për veprat penale “grup i strukturuar kriminal”, “kultivim i bimëve narkotike”, “armëmbajtje pa leje” dhe “sigurim i kushteve për të kryer vrasje”.

Sipas organit të akuzës, grupi kriminal u zbulua përmes komunikimeve të siguruara nga platforma e koduar Sky ECC.

Sipas SPAK, të pandehurit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në disa veprimtari kriminale gjatë viteve 2020-2021, përfshirë tentativën për vrasjen e Durim Bamit dhe E.K., në Urën e Tapizës, sigurimin e mjeteve për vrasjen e Hamza Terziut, kultivimin dhe trafikimin e 243 kilogramëve kanabis në Lezhë, si dhe tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve. Për A.Z., i përfshirë në të njëjtën çështje, hetimet po vijojnë në një procedim të veçuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë