Libra

Shkrimtarja franceze Annie Ernaux rrëmben çmimin Nobel në Letërsi 2022

Nga Gazeta Si - Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2022 i jepet autores franceze, Annie Ernaux. Ajo u konsiderua si favorite e çmimit prestigjioz këtë vit.

Në motivacionin e akademisë shkruhet se shkrimtarja Ernaux vlerësohet “për guximin dhe për mprehtësinë klinike me të cilën zbulon rrënjët dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.

Në rrëfimet e saj, Ernaux vazhdimisht dhe nga këndvështrime të ndryshme, shqyrton një jetë të karakterizuar nga pabarazi të forta në lidhje me gjininë, gjuhën dhe klasën. Rruga e saj drejt autorësisë ishte e gjatë dhe e mundimshme. Ernaux është shkrimtarja e parë franceze që fiton Nobelin që nga Patrick Modiano në 2014.

Në karrierën e saj ajo ka shkruar 23 libra, si dhe ka fituar 14 çmime të ndryshme letrare anembanë botës.

Kush është Annie Ernaux?

Romancierja franceze, Annie Ernaux, lindi në 1940 dhe u rrit në Yvetot në Normandi nga prindër të klasës punëtore. Ajo është e njohur për punën e saj kryesisht autobiografike, të tilla si “A Woman's Story”, “A Man's Place” dhe “Simple Passion”.

Romani “Pasion i thjeshtë” ka ardhur edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Dudaj”.  

Romani "Pasion i Thjeshtë"

Ernaux e filloi karrierën e saj letrare në vitin 1974 dhe puna e saj është aq e rrënjosur në fakt, saqë disa kritikë dhe botues anglishtfolës janë tunduar ta kategorizojnë punën e saj te “Kujtimet”. Megjithatë, vetë Ernaux ka qenë gjithmonë e bindur se ajo shkruan letërsi

Debutimi i saj ishte “Les armoires vides”, botuar në 1974 në Francë dhe si “Cleaned Out” në anglisht në 1990. Ishte libri i saj i katërt, “La place” ose “A Man’s Place”, që ishte zbulimi i saj letrar.

“A Man’s Place” dhe “A Woman's Story”, të cilat u botuan fillimisht në 1988 në frëngjisht, janë bërë klasike bashkëkohore në Francë. Ernaux fitoi çmimin Renaudot në Francë në vitin 2008 për autobiografinë e saj “The Years”, e cila u përfshi në listën e ngushtë për çmimin Man Booker International në 2019 kur u përkthye në anglisht nga Alison L Strayer.

Kritikja Ankita Chakraborty i tha “The Guardian” se “Getting Lost” e Ernaux një libër që regjistron lidhjen e saj obsesive me një diplomat rus, do të “bëhej një lloj totemi për të dashuruarit: një manual për t’i ndihmuar ata të gjejnë qendrën e tyre kur, si Ernaux, ata janë të humbur në dashuri”.

Chakraborty shkroi: “Cilësia që e dallon shkrimin e Ernaux mbi seksin nga të tjerët në mjedisin e saj është mungesa totale e turpit. Dëshira në të sjell më shumë dëshirë, impuls të vdekjes, lumturi, madje edhe trauma të kaluara, si aborti i saj, por kurrë poshtërim. Leximi i saj do të thotë të pastroni plotësisht veten nga ideja se turpi mund të jetë një rezultat i mundshëm i dëshirës për seks”.

Anders Olsson, kryetar i komitetit të Nobelit, tha se Ernaux “beson në mënyrë të dukshme në forcën çliruese të shkrimit”.

“Puna e saj është pa kompromis dhe e shkruar në gjuhë të thjeshtë, e pastër”, vazhdoi ai. Dhe kur ajo me guxim të madh dhe mprehtësi klinike zbulon agoninë e përvojës së klasës, duke përshkruar turpin, poshtërimin, xhelozinë ose paaftësinë për të parë se kush jeni, ajo ka arritur diçka të admirueshme dhe të qëndrueshme.

Çmimi Nobel në letërsi vlen 10 milionë krona suedeze (840,000 £) dhe i shkon shkrimtarit që konsiderohet, sipas testamentit të Alfred Nobelit, “personi që do të ketë prodhuar në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejtim ideal”.

Vitin e kaluar çmimi iu dha Abdulrazaq Gurnah, për “depërtimin e pakompromis dhe të dhembshur të efekteve të kolonializmit dhe fatit të refugjatit në gjirin midis kulturave dhe kontinenteve”. Fituesit e mëparshëm përfshijnë Bob Dylan, i cituar për “krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të këngës amerikane” dhe Kazuo Ishiguro “i cili, në romanet me forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën nën ndjenjën tonë iluzore të lidhjes me botën”.

Edhe këtë vit në listën e kandidatëve të dërguar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për çmimin Nobel në Letërsi ishte dhe shkrimtari shqiptar, tashmë i njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë