Editorial

Shifrat kokëfortë, a duhet konsideruar seriozisht vaksinimi i detyrueshëm?

Vendimi i qeverisë për të lënë të hapur vaksinimin për të gjitha moshat mbi 18 vjeç duhet të sillte optimizëm për arsyen e vetme se Shqipëria i ka aq vaksina në inventar sa t’i asistojë të gjithë. Por argumentet pararendëse të këtij vendimi të dhëna nga ministrja e Shëndetësisë të martën në një video-mesazh  dhanë efekt të kundërt. Ato rritën shqetësimin në raport të drejt me numrin e infektimit që sipas zonjës Manastirliu vetëm dy javët e fundit janë 5- fishuar.

Zgjatja e afatit për vaksinim të hapur deri në fund të shtatorit shtron pikëpyetjen e madhe, po më pas çfarë do të ndodhë?

Çfarë do të ndryshojë në strategjinë e vaksinimit?

A mos vallë kjo ndërhyrje publike e zonjës Manastirliu është një provë se mënyra se si kemi kërkuar të imponojmë shtyrjen përmes vaksinës nuk po funksionon. Përtej përshtypjes,  kemi disa shifra që na e rritën shqetësimin.

Të martën sipas Our World In Data ( deri në 17 gusht që janë hedhur të dhënat) Shqipëria ka të mbuluar me dy doza  rreth 20% të popullsisë. Më pak së gjysma e mesatares së Bashkimit Europian, shumë më larg vendeve të para që raportojnë mbi 70 %, dhe ndër të fundit në rajon duke lënë pas vetëm Kosovën dhe Bosnjën dhe sigurisht vendet e Afrikës dhe Azisë të përfshira në konflikte dhe varfëri ekstreme.

 Edhe nëse do t’ju referoheshim të dhënave zyrtare nga vetë ministria vërejmë me në një llogaritje të thjeshtë se sot me dy doza kemi të vaksinuar rreth  595 mijë shqiptarë, shifër kjo  shumë larg edhe me numrin pensionistëve që ka sot vendi (rreth  818 mijë) kategoria e cila kishte përparësi në vaksinimin.

Kjo diferencë tregon se as shtresën më të prekshme ndaj infeksionit dhe vdekjeve nuk kemi arritur të vaksinojmë me dy doza.

Edhe sikur të shtonim dozën e optimizmit dhe të llogarisim të gjithë ata që kanë marrë një dozë janë zyrtarisht sipas ministrisë rreth  1.4 milion të vaksinuar, që nuk përfaqësojnë as gjysmën e popullsisë ( përfshirë edhe fëmijët)

Por sikur të llogarisnim sipas INSTAT vetëm popullsinë mbi 18 vjeç që janë të lejuar të marrin vaksinën, janë rreth 1,98 milion shqiptarë, që rezulton se gati mbi 600 mijë vetë nuk kanë marrë asnjë dozë?!!!

Vaksinimi i shqiptarëve nisi nga mesi i muajit janar i këtij viti. Që atëherë kanë kaluar 7 muaj dhe vetëm 595 mijë shqiptarë kanë marrë dy doza.

A do të mundet që pjesa e mbetur prej 600 mijë shqiptarësh, apo një pjesë e mirë e tyre të “kapen” në një muaj, përgjatë shtatorit?

Shifrat thonë jo. Vetëm në fillim të procesit kemi mundur të vaksinonim 20 mijë në ditë. Sot mesatarja është 7-8 mijë vaksina në ditë

Ndërkohë duhen llogaritur disa fakte të reja. Varianti “Delta” që po dominion të infektuarit është më i rrezikshëm dhe më i shpejtë.

Ai ka transmetueshërinë më të lartë tek fëmijët të cilët janë të pavaksinuar dhe në fund të shatorit do të nisin të popullojnë shkollat në hapësira shumë më të ngushta e të vogla sesa shtëpitë apo plazhet ku janë sot shumica e popullsisë.

Tek të vaksinuarit e hershëm po afron koha e skadencës së efektit të mbrojtjes së vaksinës. Studimet thonë se  efekti zgjat 6 muaj tek Pfizer dhe vetëm tre deri në katër muaj tek vaksina kineze Sinovac më të cilën janë vaksinuar një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve.

Ndaj, jo më kot mjekët po hedhin idenë për një dozë të tretë, pikërisht tani në vjeshtë që pritet  me shumë gjasë një valë tjetër infektimesh siç tha edhe zonja Manastirliu. 

Për sa kohë të rinjtë në Shqipëri, siç të paktën tregojnë shifrat, janë moskokëçarës ndaj kësaj beteje që shoqëria po bënë për të mbrojtur shëndetin, atëherë fatet e saj nuk duhet të mbeten vetëm në dorë të tyre pavarësisht se komiteti i ekspertëve beson “tek mençuria e tyre”.

Ndoshta do duhej një vaksinim i detyruar për të mbrojtur grupe të ndryshme shoqërore si psh arsimtarët, punëtorët e vijës së parë etj. 

Është më i vlefshëm sesa strategjia e deritanishme e një vaksinimi të hapur dhe vullnetar. Kjo ide ka nisur të zërë vend në shumë vende ndaj dhe Shqipëria nuk duhet të këtë ndrojtje të paktën për ta diskutuar publikisht këtë çështje.

Përtej debateve morale për të mos qenë i detyruar për vaksinën, neglizhenca dhe paaftësia për të mbrojtur shëndetin e publikut është një rrezik kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë