Editorial

Turi kryeministror për buxhetin më shumë do të heshtë sesa do të flasë

Turi i kryeministrit për t’u shpjeguar qytetarëve buxhetin e ri më shumë do t'i shtojë pikëpyetjet sesa do t'i sheshojë ato.

Zoti Rama ndihet zot i komunikimit të drejtpërdrejtë publik në sheshet e qyteteve dhe nuk është çudi që ai të organizojë forma të tilla edhe për çdo çështje tjetër.

Për buxhetin, i cili në vetvete është i vështirë për t’u kuptuar nga çdokush dhe ka shumë herë më pak kërshëri sesa një replikë politike, kjo është hera e parë. E megjithatë, ai, as entuziazmin e herës së parë nuk premton të ngjallë.

Sepse buxheti i vitit të ardhshëm nuk është asgjë më shumë sesa një fotokopje e buxheteve të mëparshme dhe publiku nuk gjen aty gjëra të reja që si fillim t’i ngjallin kërshërinë për të dëgjuar.

Ai nuk ndryshon status-quonë e një buxheti rutinë dhe nuk qaset agresivisht ndaj problemeve të mprehta të ekonomisë, mirëqenies së shqiptarëve apo fenomeneve sociale që lidhen me nivelin e ulët të saj.

Pak gjëra i interesojnë publikut në një buxhet: vendet e reja të punës që do të hapen, rritja e të ardhurave personale, taksat dhe nëse nga këto taksa që mblidhen a do t’i kthehen mbrapsht si të mira publike përmes investimeve buxhetore apo do të shkojnë për përfitime të zyrtarëve të lartë dhe bizneseve të lidhura me qeverinë, siç po dëgjon shumë raste së fundmi.

Me një rritje ekonomike që parashikohet të jetë 3.9 për qind, asgjë e veçantë nuk do të ndodhë për sa kohë që inflacioni tek ushqimet, që zënë rreth gjysmën e shpenzimeve të të ardhurave të një familjeje, është dy herë më i madh se rritja ekonomike. Duhet të paktën një rritje ekonomike sa inflacioni që fuqia blerëse e shqiptarëve të mos gërryhet nga çmimet dhe ata të kenë mundësi që të paktën të mund të konsumojnë po aq sa një vit më parë. Pra, të mbeten po aq të varfër sa më parë. Premtimi për rritje pagash, që me gjasë do të jetë lajtmotivi i këtij turi, nuk mbush dot boshllëkun e krijuar nga shtrenjtimi i jetës. Pagat do të shërbejnë sa për të rritur paska imunitetin e dëmtuar financiar të familjeve, por nuk u japin siguri atyre për sa kohë vendet e reja të punës të hapura kohët e fundit ishin për të arsimuarit me 9-vjeçare, siç raporton INSTAT.

Në buxhetin e ri nuk do të ketë ulje taksash por përkundrazi qytetarët do të paguajnë më shumë vitin tjetër. Tjetër fakt ky që gërryen pagën/të ardhurat e qytetarit.

Detajet e këtij buxheti siç është prezantuar në draftin e shpërndarë, nuk kanë vlerë sepse në asnjë gërmë të tij nuk shikon se si do të korrigjohet pabarazia e tejskajshme në shpërndarjen e të ardhurave pavarësisht rritjes së pagave të parashikuar. Nuk gjenë që do të rritet numri i vendeve të reja të punës të paktën në vlerën e rritjes ekonomike. Nga një histori buxhetesh me suficit për disa vite nuk merr shpresa që investimet publike që do të mund të kryhen dhe përmes tyre do të mund të ndryshojnë cilësisht shërbimet dhe të mirat e tjera publike.

Buxheti dhe paketa e re fiskale ende mbrojnë fort statusin e të përkëdhelurve në taksa psh; tvsh për hotelet është 6 për qind, për shtëpitë me qira për turistë do të jetë 20 për qind?!!.

Mbetet e njëjta qasje buxhetore ku të pasurit mund të pasurohen, ndërsa më të varfrit në shumicë dërrmuese do të paguajnë barrën.

Buxheti i ri nuk jep shenja se mund të jetë një moment kthese drejt një ekonomie prodhuese për sa kohë ndërtimi dhe sektorë që punësojnë pak, do të udhëheqin rritjen e vogël ekonomike. Ky buxhet do të vazhdojë të mbështesë një ekonomi ku punohet shumë e qytetarët fitojnë pak.

Buxheti 2024 jo vetëm që nuk mbështet me financime reformat e reja e të thella, por as premton një shpejtësi më të lartë. Për pasojë shqiptarët do të vazhdojnë të notojnë në të njëjtat ujëra me të njëjtat dallgë të mëdha.

Ky buxhet për të cilin pritet të flasë kryeministri kokë më kokë me qytetarët nuk është më i keqi për sa kohë nuk shkakton kriza të reja ndonëse i mban pa zgjidhur të vjetrat.

Por që ai të jetë i dobishëm aq sa të meritojë vëmendjen e publikut kërkon së pari përkushtimin e qeverisjes që do ta jetësojë atë.

Por sot kemi një administratë e cila ka pak besim tek lidershipi sepse nëpunësi më i thjeshtë në administratë deri tek drejtuesi më i lartë politik në qeveri mendojnë se e Ai, i Gjati (nënkupto Rama), të shet. 

Ka të tjerë që hezitojnë të përfshihen se gjykojnë se firma e tyre përdoret nga eprorët për përfitime korruptive e ata në këmbim rrezikojnë burgun.

Sot socialistët kanë një ish-zv.kryeministër në arrati duke iu fshehur drejtësisë për korrupsion dhe pastrim parash, ka ministra në hetim me akuza të rënda përvetësimi të pasurisë dhe fondeve publike, ka dosje korrupsioni të mëdha si inceneratorët që mund të djegë këdo që ka afruar gishtin në këto dosje, ka kryebashkiakë me vepra penale dhe dyshime të forta për korrupsion.

Në të gjitha këto raste, të gjithë këta njerëz brenda maxhorancës kanë zhytur turpazi dorën, pikërisht në buxhetin e shqiptarëve, atë për të cilin do t’u flasë kryeministri ditët në vijim.

Administrata dhe ekzekutivi aktual sot ka frikë dhe duket më njollosur se më parë, ndoshta edhe për shkak se drejtësia po funksionon dhe mbi ata që dikur ishin të paprekshëm.

Aty ku ka frikë ka pak vend për besim dhe entuziazëm. Frika zgjon instiktet e mbrojtjes dhe ngjall luftën brenda llojit.

Nëse zoti Rama ka si qëllim të parë t’u prezantojë buxhetin qytetarëve dhe të meritojë prej tyre vëmendje, më së pari duhet të ndryshojë panoramën politike brenda qeverisjes.

Sepse është kjo tablo që paracakton edhe qasjen e publikut ndaj buxhetit. Shtyrja e Kongresit dhe zëvendësimi i tij me takimet për buxhetin nuk ndihmon dot turin dhe as turi nuk e zgjidh problemin për sa kohë zoti Rama ende do t’i qëndrojë larg thelbit.

Përtej dëshirës dhe vullnetit të kryeministrit, ky buxhet për të cilin ai do t’u flasë qytetarëve mbart me vete njollat e pamundësisë dhe fajësisë së ngjarjeve që kanë ndodhur më parë. Zoti Rama është i detyruar të shkojë drejt vendimeve të qarta dhe të forta politike pa humbur kohë siç është turi për buxhetin!

Ndoshta ky kuvendim i ri mund të jetë thjesht një manovër politiko-elektorale e kryeministrit e kushtëzuar nga rrethanat e reja politike.

Dhunimi dhe uzurpimi i turpshëm dhe i papranueshëm i parlamentit nga opozita e ka bërë të pamundur komunikimin e maxhorancës me publikun përmes formave klasike nëpër komisione apo seanca plenare, si një detyrim politik i atij që qeveris.

Nga ana tjetër, zoti Rama mund të përdorë turin e buxhetit për të fituar në avancë kredite elektorale duke u treguar shqiptarëve sesa ndryshon maxhoranca e tij si dialoguese dhe dëgjuese e publikut me opozitën zhurmëmadhe dhe anarkike të nongratave.

Asnjë ose të gjitha këto qëllime që parapërmendëm mund t'i mbartë me vete ky tur i kryeministrit, por të vetmen gjë që nuk ka, është fuqia, zëri dhe interesi për të dëgjuar rreth buxhetit. Tjetër gjë pritet!

Ky buxhet më shumë hesht se sa flet, sado ton t’i japë kryeministri. Ndaj, dhe turi për të duket si një kapak i stisur përkohësisht për të shtyrë ballafaqimin me shqetësimin më të madh për të gjithë...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë