Politike

Rama: Vaksinimi për studentët dhe pedagogët mund të bëhet i detyrueshëm

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se  mund të vijë koha që vaksinimi për studentët dhe pedagogët të jetë i detyrueshëm.

"Duhet t'ia shpjegojmë rektoratit, vaksinimi për studentët mund jetë i detyrueshëm, që ta dinë që nëse vjen momenti, e të mos thonë "duam, s'duam", është përgjegjësi, s'mund të t'i marrin të tjerët në qafë. E pamundur që të lejojmë që të kemi një përshkallëzim të pashmangshëm të numrave dhe të shkojmë në masa që s'duhen kthehen pas. Edhe me pedagogët e njëjta gjë", tha Rama.

Më tej nga Rezidenca Universitare Studentore numër 2, kryeministri deklaroi se vaksinimi është një nevojë nëse duam të vazhdojë rrjedha normale e jetës akademike, e kjo praktikë është ndjekur dhe nga vende të tjera botërore sipas kryeministrit.

“Vaksina nuk të heq rrezikun e infektimit, port ë bën që kur të infektohesh ta kalosh më lehtë,” tha Rama.

Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi të mërkurën se ka një rritje rastesh me pesë herë më shumë se dy javë më parë, por pavarësisht këtyre fakteve masat mbetën të pandryshuara.

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico u shpreh se mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 nga 291 që ishte dy javë më parë.

“Pozitiviteti i mostrës, mbetet në shifrën 7.8%. Raporti i infeksionit mes femrave dhe meshkujve mbetet 52% me 48% dhe raporti i fataliteteve është 1.8%. Grup moshat 35-64 vjeç kanë një rritje në numër të konsiderueshëm të rasteve të reja”, tha Fico.

Ndërkaq në lidhje me vaksinimin e detyruar  Fico shpjegoi se nuk do të kalohej në strategjinë e vaksinimit të detyruar në vendin tonë. Ajo tha se ka mënyra alternative që një person të punojë brenda parametrave të punës, pa arritur tek strategjia ku duhet të vaksinohen me detyrim.
“Vaksinimi nuk është i detyruar, e kemi ndjekur dhe do të vijojmë ta ndjekim. Ka disa element siç janë mjekët, arsimtarët, që përpos detyrës qytetare kanë detyrë të mbrojnë komunitetet. Nuk detyrojmë, por ka mënyra alternative që një person të punojë, por të jetë brenda parametrave të punës. Nuk detyron njeri, por mund të kërkosh statusin jo infektiv të vetin, ’deklaroi më tej Fico.

Gjithashtu, ekspertët shpjeguan se nën këto shifra nuk diskutohet mbyllja e shkollave. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se shkollat do të hapen atëherë kur është përcaktuar, në bazë të protokolleve të përcaktuara.
“Tashmë kemi stafe të vaksinuara, por edhe një pjesë e mirë e familjarëve të nxënësve janë vaksinuar. Në shifrat që jemi sot, nuk diskutohet fare hapja e shkollave”, shtoi Rakacolli.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu tha se jemi ende në mes të pandemisë dhe se në vjeshtë me shumë gjasë pritet një valë e re infeksionesh.

Mesazhet e ministres u përcollën përmes një video dhe se pse nuk u bë shumë e qartë pse kjo dalje pa prani gazetarësh; por ajo ka preferuar një përballje me publikun pa ndërhyrje. Shkaku janë shifrat e larta të infeksionit. “Ka një rritje me rreth 5 herë të rasteve të infektimeve krahasuar me dy javë më parë, kjo për shkak të pranisë së variantit Delta, ndërsa shkalla e trasmetueshmërisë mbetet e lartë”, tha ajo.




Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë