Shendet

Problemet e shëndetit mendor në Shqipëri janë shtuar në numër dhe në shumëllojshmëri

Nga Gazeta Si - Ekspertë thonë se problemet e shëndetit mendor në Shqipëri janë shtuar në numër dhe në diversitet. Ata pohojnë se në këtë përfundim kanë arritur nga puna e tyre individuale, duke qenë se në vendin tonë ka pasur disa përpjekje për të monitoruar prevalencën e depresionit në grupe të ndryshme të popullsisë, por pa sukses.

Elton Kuqja, psikolog, thotë për Gazetasi.al se problemet e shëndetit mendor që janë më të shpeshta janë çrregullimet emocionale, ankthi dhe depresioni.

“Shkaqet janë multifaktorial, të kombinuar ambienti me predispozitën gjenetike, postCovid apo dhe mungesa e stabilitetit psiko-social në të cilën është Shqipëria”, thotë psikologu.

Gjithashtu, një vrojtim i Organizatës Together For Life ka zbuluar se burrat dhe gratë I përjetojnë ndryshe problemet mendore.

“Ka një diferencë të madhe mes dy gjinive”, thotë Redina Çanaku, përfaqësuese e Organizatës.

Nga studimi që është realizuar në 2023, “Shqipëria rezulton me normat më të ulëta në përdorimin e shëndetit mendor.

Sipas Çanakut, gratë shkojnë deri tek mjeku i familjes për të marrë një shërbim për problemet e shëndetit mendor që mund të vijnë për shkak të dhunës ndërkohë që janë vetë mjekët që kanë prirjen t’i anashkalojnë rastet e dhunës dhe abuzimit duke shprehur se nuk kanë dokumentacionin e duhur për t’i mbajtur ato raste ndërkohë që ekziston një dokumentacion për mbajtjen e të dhënave të dhunës.

“2 herë më shumë meshkuj diagnostikohen me depresion klinikisht ndërkohë që gratë vuajnë më shumë nga problemet e shëndetit mendor dhe kjo tregon se ka një hendek të madh mes dy gjinive”, thotë Çanaku.

Disa lloje të çrregullimeve mendore përjetohen vetëm nga gratë. Për shembull, sëmundjet mendore të lidhura me jetën riprodhuese si depresioni perinatal, çrregullimi disforik premenstrual dhe depresioni i lidhur me menopauzën janë unike për gratë. Faktorët biologjikë luajnë një rol në prevalencën më të lartë të çrregullimeve depresive dhe ankthit tek gratë. Ndryshimet e humorit mund të lidhen me ndryshimet hormonale si pjesë e ciklit menstrual. Nga ana tjetër, në rastin e depresionit para lindjes dhe pas lindjes, ndërveprimi i faktorëve psikosocialë me faktorët hormonalë, mund të rezultojë gjithashtu në një rrezik të lartë.

Për shembull, problemet në familje, mbështetja e pamjaftueshme sociale dhe situata e dobët financiare shoqërohen me një rrezik të shtuar të depresionit pas lindjes.

Situatat e tjera, si çrregullimi post-traumatik që lidhet me dhunën seksuale ose dhuna nga partneri, janë më specifike për gratë. Gjithashtu çrregullimet e të ngrënit dhe sindromat dismorfike të trupit mund të jenë më të shpeshta tek femrat.

Raporti i vitit 2022 i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregon që 970 milion njerëz vuajnë nga problemet e çrregullimit mendor, pra 13% e popullsisë botërore. Nga ky numër, 52.4% janë meshkuj dhe 47.6% janë të gjinisë femërore. Nga kjo shifër totale, 52,4 milionë njerëz janë fëmijë dhe adoleshentë të grupmoshës 1-14 vjeç, ose 5,3% e personave me shqetësime të shëndetit mendor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë