Analize

Serbia nuk po i vaksinon shqiptarët për solidaritet!

Serbia është bërë vendi i parë që ka nisur vaksinimin e qytetarëve të huaj falas, duke joshur në fundjavë qindra qytetarë shqiptarë të niseshin drejt Beogradit me dy avionë, autobusë apo makina. Gazeta Si mëson se dhjetëra biznesmenë shqiptarë, të cilët aplikuan për vaksinimin përmes Dhomës së Tregtisë, si dhe dhjetëra gazetarë nga disa televizione kanë marrë të dielën dozën e parë të Astrazeneca në Serbi, duke preferuar të mos e bënin këtë ngjarje publike.

Ata kanë qenë në mesin e 22,000 shtetasve të huaj që kanë marrë në fundjavë vaksinën britanike në Serbi. Mijëra biznesmenë dhe qytetarë të tjerë nga Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, por edhe disa vende të Europës Perëndimore iu përgjigjën ftesës së Dhomës së Tregtisë Serbe për vaksinim. Autobusët autokolonat e makinave formuan radhë të gjata kalimi në pikat kufitare me Serbinë. Pvr ata që janë vaksinuar, ky është një akt solidariteti nga ana e Serbisë, por e vërteta qendron ndryshe.

Kryeministrja Serbe Ana Brnabić këmbënguli se "nuk ka asnjë arsye politike prapa vaksinimit të qytetarëve të huaj, por realiteti është se Beogradit i kanë mbetur stok mijëra doza të vaksinës së Astrazeneca, të cilat skadojnë në fillim të prillit. Pas shumë pikëpyetjesh, qeveria pranoi se Serbia do të duhej të shkatërronte  25,000 mijë doza të AstraZeneca përpara se të skadonin dhe shtoi se Serbia vendosi të ndihmonte rajonin duke ftuar qytetarë të vendeve të tjera që të vaksinohen. Deklarata e saj u prit ashpër në rrjetet sociale, me qindra qytetarë serbë që i kërkonin qeverisë të dhuronte dozat në vendet fqinje, në vend që të vaksinonte qytetarët e huaj në Serbi.

Qytetarë të huaj qëndrojnë në radhë për t'u vaksinuar në Beograd. Gazeta Si, 2020

Por skadimi i vaksinës anglo-suedeze mund të mos jetë për momentin arsyeja e vetme pas “solidaritetit” të Beogradit me fqinjët.  Serbia ka një problem edhe më të madh: blerjen e më shumë vaksinave se sa numri i real i popullsisë.

“Është absurde ”, thotë epidemiologu serb Zoran Radovanović. "Ne jemi i vetmi vend në botë ku furnizimi i vaksinave e tejkalon kërkesën."

Ndërsa shtypi botëror i bën jehonë me admirim fushatës së shpejtë të vaksinimit në Serbi, të dhënat e publikuara këto ditë  sinjalizojnë se Serbisë do t’i mbesin një pjesë e vaksinave kineze, ruse dhe perëndimore nëpër depo.

Qytetarë të huaj qëndrojnë në radhë për t'u vaksinuar në Beograd. Gazeta Si, 2020

Në Serbi, ka rreth dy milion të vaksinuar dhe shpërndarja e dozave po ecën me ritme të shpejta, por mjekët po përballen kohët e fundit me skepticizmin e qytetarëve që nuk duan të vaksinohen. Nga rreth 5.5 milion të rritur, vetëm rreth një e katërta e tyre aplikuan për imunizim në mënyrë elektronike. Vaksinimi masiv në Serbi filloi në mes të janarit dhe rreth 2.35 milion doza janë dhënë deri më tani, ndërsa 920,000 njerëz janë rivaksinuar.

"Ju lutem telefononi për të bërë vaksinën. Ne kemi dhe do të kemi vaksina, ju lutem vaksinohuni, "apeloi Presidenti Aleksandër Vuçiç në fund të javës së kaluar.

Sipas zyrtarëve, Serbia tashmë ka marrë ose porositur rreth pesëmbëdhjetë milion doza, e cila është pothuajse e mjaftueshme që një e gjithë popullsia serbe të marrë dy doza. Sipas shifrave, edhe sikur të vaksinojë të gjithë popullsinë e rritur Serbisë teprojnë të paktën katër milionë doza. Sidoqoftë, tani problemi më i madh i vendit fqinj është të gjejë njerëz të gatshëm për të marrë vaksinën. Në këto kushte, Serbia po vaksinon qytetarët e Ballkanit.

Qytetarë të huaj qëndrojnë në radhë për t'u vaksinuar në Beograd. Gazeta Si, 2020

Kryeministrja serbe deklaroi se "fundjava e vaksinimit" ishte "një sukses i ri i politikës rajonale të vaksinimit" të Serbisë, e cila sipas ishte bërë e mundur nga dërgesat e mëdha nga Kina dhe Rusia.

Por “DW Serbie” raporton se qeveria serbe është e bindur se së shpejti do të ketë një tepricë vaksinash, sidomos pas nisjes së prodhimit të vaksinës ruse. “Qeveria serbe po shqyrton madje sanksionet e mundshme shtetërore kundër njerëzve që nuk duan të vaksinohen. Ajo do të lejojë vetëm njerëzit e vaksinuar të hyjnë në restorante ose të marrin pjesë në ngjarje publike," shkruan DW”.

"Njerëzit hezitojnë të vaksinohen. Atyre nuk iu dha informacioni i duhur. Teoritë konspirative në internet mundën Ministrinë e Shëndetësisë. Një infodemi është duke u zhvilluar ”, thotë epidemiologu Radovanovic. "Shumë thonë që unë nuk jam kundër vaksinimit, por dua të pres, për të parë se çfarë do të ndodhë me ata që morën vaksinën e parë."

Radovanović beson se shteti serb është vonë me "edukimin shëndetësor" të qytetarëve dhe në kushtet që ka blerë sasi të mëdha vaksinash, nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’i dhurojë për fqinjët në nevojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë