Analize

Rreziku nga "Antishpifja"

Brenda pak ditësh qeveria ka ndryshuar pesë herë draftin për paketën anti-shpifje. Kjo nismë po kundërshtohet nga gazetarët, aktivistët, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat për lirinë e medias. Sipas këtij drafti të ri, i cili duket se ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme edhe nga OSBE-ja dhe Këshilli i Europës, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA. merr fuqinë e një gjykate për të gjykuar mediat që publikojnë në internet lajme të rreme, duke çuar jo vetëm në gjobitjen, por edhe mbylljen e tyre.

Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve, i tha Gazetës Si në një intervistë se do të vazhdonte rezistencën kundër miratimit të kësaj pakete, pasi sipas tij, se ky është një draft që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë parimet universale të lirisë themelore të njeriut.

“Në kartën universale të etërve amerikanë thuhet se asnjë qeveri nuk ka të drejtë të ndërmarrë ligje apo nisma ligjore që cenojnë fjalën e lirë”, i thotë ai Gazetës.

“Kurrë ndonjëherë në historinë e parlamentit shqiptar nuk ka patur një draft kaq të kontestuar sa ky i Anti-Shpifjes”, thotë Çipa, duke shtuar se tentativa për mbylljen e një mediumi nuk është asgjë tjetër veçse shkelje e lirisë së medias dhe lirisë së fjalës.

Ky ligj ka ngjallur reagime të shumta pasi, kufizimi i mediave online (media jo audiovizuale) nuk është në përputhje as me standardet e Këshillit të Europës as me praktikat europiane, të cilat ia kanë lënë në dorë rolin e “rregullatorit” të medieve elektronike komisioneve të etikës apo shoqatave të gazetarëve.

Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve, Gazeta Si, 2019

“Si mund të ngresh një ent, apo një agjenci censure, madje në këtë rast mund ta quajmë edhe polici censure, brenda AMA-,s”, pyet Çipa.

Ndryshimet e propozuara nga qeveria sugjerojnë që Këshilli i Ankesave të AMA-s, një grup prej 5 personash do t'i vlerësonte brenda një afati jashtëzakonisht të ngushtë prej 72 orësh nëse një media ka shpikur lajm. Por kjo paketë duket se nuk parashikon se çfarë do të ndodhë në një kontekst kur mund të ketë ankesa të shumta në lidhje me platforma të ndryshme, pasi afati prej tre ditësh është i pamjaftueshëm.

“Historinë se bordi apo Këshilli i Ankesës në fakt do të përbehet nga gazetarë profesionistë dua ta marr me rezerva. Në fakt historia 28 vjeçare se si janë zgjedhur anëtarët e bordit për monitorimin e medias ka qënë një histori ku janë zgjedhur persona që në kontributin personal nuk mund te mos ta kishin kontributin për mediat partiake”, thotë ai.

Ndërkohë, Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias për Ballkanin thotë në një intervistë se paketa “antishpifje” synon të fuqizojë dy mekanizma rregullatorë (AMA dhe AKEP) që ato të ndërmarrin sanksione kundër mediave online dhe të mund t’i mbyllin ato pa urdhër gjyqësor.

Flutura Kusari, Gazeta Si, 2019

“Ai vetë (kryeministri) është një ndër personat fajtorë, sepse është duke kontrolluar televizionet dhe duke ndërhyrë se si të raportohet… Në Shqipëri më shumë ka nevojë për një ligj që të mbrojë gazetarët nga fushatat denigruese dhe shpifëse të orkestruara nga zyra e Kryeministrit Edi Rama, se sa për ligje për të mbrojtur kryeministrin. Në Shqipëri, ka bazë të mjaftueshme ligjore për të ndjekur gazetarët nëse ata bëjnë shpifje,” tha zonja Kusari për “Zërin e Amerikës”. “Kryeministri kontrollon një numër të madh televizionesh. Ajo që i ka shpëtuar kthetrave të tij janë mediat online. Puna e mediave online po e pengon televizionin e tij ERTV.” Ai përpiqet të japë përshtypjen se ka miratimin e OSBE-së dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse zoti Harlem Désir (Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias) sapo ka publikuar opinionin e tij ligjor, me të cilin i kërkon zotit Rama që të përmirësojë draft-ligjet para se t’i miratojë. Pra, duhet të jetë e qartë se zoti Rama nuk e ka absolutisht miratimin e komunitetit ndërkombëtar”,shton ajo,

Por përse shkel kjo paketë, sipas kreut të Unionit të Gazetarëve, ligjin për të drejtën e informimit?

“Bordi i AMA-s do të zgjedhë këshillin e ankesave dhe këshilli i ankesave për çdo rast të penalitetit do t\ia propozojë masat AMA-s. Nëse bordi i AMA-s e gjykon se një subjekt mediatik duhet të penalizohet financiarisht, ai automatikisht merr masën administrative dhe urdhëron sektorin përmbarimor të bëjnë vjeljen financiare, duke mos i dhënë mundësi të shkojë në Gjykatë”, i thotë Çipa Gazetës Si, duke thënë se medias së prekur i duhet të kalojë nëpër një kalvar të gjatë burokratik duke rrezikuar edhe falimentimin.

Sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, një nga themelet thelbësore të një
shoqëri demokratike është se çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pasur, lexuar dhe shpërndarë informacione dhe ide pa ndërhyrje nga autoriteti publik. Sipas këtij neni, ushtrimi i kësaj lirie është edhe përgjegjësi dhe mund t'u nënshtrohet kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj në interes të sigurisë kombëtare. Por propozimet për kontrollin apo ndryshimin e përmbajtjes së mediave në internet, sipas Gjykatës Europiane është jashtë sferës së autoritetit të mediave audiovizive.

Për këtë arsye, paketa “Antishpifje” u kundërshtua nga OSBE-ja në vitin 2018, pasi në vende perëndimore, funksionimi i medieve online është zgjidhur përmes vetë-rregullimit dhe shoqatave të medias. Gjykimi i medieve online për shpifje shkel sipas ekspertëve nenin 10 të Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut duke kufizuar lirinë e shprehjes.

Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, juristja Erida Skëndaj, thotë se “Antishpifja” do të ketë pasoja për funksionimin e medias në Shqipëri, nisur nga masa ndëshkimore për gjobitjen në vlera monetare, apo nga “shmangia” e gjykatave sa u përket ankimeve gjyqësore.

Në nenin 132/1 të projektligjit parashikohen masat për shkeljet e kryera nga operatorët e mediave. Vendimet e Këshillit të Ankesave bëhen të ekzekutueshme menjëherë, pavarësisht nëse është ushtruar e drejta e ankimit në Gjykatë. “Kjo mund të cenojë reputacionin e medias, në rast se kjo media rezulton të jetë fituese në shkallët e tjera të ankimit gjyqësor dhe rrjedhimisht mund të dëmtojë apo ndikojë negativisht në lirinë e shprehjes së sanksionuar në nenin 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në rastet kur jepet dënim administrativ me gjobë ndaj operatorëve të medias, vërehet një nivel tepër i lartë gjobash në kontekstin shqiptar po t’i krahasojmë këto gjoba me nivelin mesatar të pagave dhe standardin e varfër të jetesës në vendin tonë”, shprehet Skëndaj.

Por më e vështirë duket të jetë edhe ankimimi i vendimit të AMA-s në Gjykatë, në rast se një media e cilëson këtë vendim si të padrejtë.

“Pas marrjes së aktit të formës së prerë nga Gjykata në rast të provohet se vendimi i AMA-s ka qënë i padrejtë, duhet ta çosh dokumentacion tek bordi i AMA-s. Ti futesh kështu në një kalvar burokratik që nuk të mundëson shlyerjen e gjobës në momentin që ti e do, duke penalizuar financiarisht redaksisë e vogla online, por edhe personin që ka tagrin e administratort apo poseduesit të medias online. A është kjo mbyllje e gojës dhe mbyllje e një mediumi? Po”, i thotë Çipa gazetës.

“Përkundret pretendimit të kryeministrit se gazetarët nuk e kanë lexuar draftin, me duhet të konfirmoj faktin se ne kemi lexuar disa drafte, janë pesë të tilla, të ndryshuara herë pas herë dhe kundërshtojmë përsëri mënyrën sesi do të merren masat administrative ndaj një subjekti mediatik apo një individi për shkak të publikimeve në internet nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i AMA-s”, thotë Çipa.

Erinda Skëndaj

Sipas pikës 8 të kësaj paketë, në qoftë se shkeljet e bëra nga një media nuk përbëjnë vepra penale, ato do të gjobiten me kundërvajtje administrative, të cila variojnë nga 100 000 lekë deri në 1 milion) lekë. Por niveli i këtyre gjobave është i lartë në krahasim me kapacitetet më të ulëta ekonomike të mediave në internet. Veç këtyre shkeljeve, një tjetër që do të ndëshkohet me gjobë është edhe ajo kur mediat nuk i japin të drejtën e përgjigjes personave, dinjiteti apo reputacioni i të cilëve është prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të saktë. Për këtë shkelje masa e gjobës do të jetë 800 mijë lekë. Në të gjitha rastet, sipas draftit, gjoba vendoset nga inspektorët e Autoritetit të Medias Audivizive dhe arkëtohet përmes shërbimit përmbarimor.
Veç gjobave AMA do të ketë të drejtën, që për portalet të cilat kryejnë tre kundërvajtje administrative të parashikuara në ligj të pezullojë për 24 orë aksesin në internet. Në rast se numri i shkeljeve është më i lartë, atëherë pezullimi i aksesit në internet shkon deri në 7 ditë.

Çipa ndërkohë ngre shqetësimin se AKEP dhe bordi i AMA-s që do të monitorojnë median online po marrin atribute që në vendet perëndimore i mban komuniteti i gazetarëve profesionistë, duke penguar kështu median të zgjerojë kapacitetet vetë-rregulluese.

“Kjo paketë e përjashton komunitetin e gazetarëve nga ky proces”, thotë Çipa.“Pasojat kryesore mbi median lidhen me një lloj alibie të censurës që merr Autoriteti i Medias Shqiptare, si kundër quhet në draftin e ri. Që do të thotë se enti rregullator, pavarësisht se cilësohet publik, siç e dimë edhe nga praktika e 28 viteve të fundit, është një ent që ka ndikim nga grupet e interesit dhe politik nga dy palët politike, partia e shumicës në pushtet dhe partia kryesore e opozitës, pavarësisht rotacionit. Ky ent merr disa atribute të cilat i përkasin sipas modeleve perëndimore, mekanizmave vetë-rregullues të medias”, shprehet kreu i Unionit të Gazetarëve.

Ai thotë se të gjitha organizatat e gazetarëve në Shqipëri janë bashkuar si asnjëherë tjetër kundër Paketës Anti-Shpifje, duke paralajmëruar dy ditë rresht protesta përpara parlamentit.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që janë të interesuar për mbrojtjen e lirisë së fjalës të na bashkohen. Në pikëpamjen tonë ky draft mbart një pengesë dhe një tendencë autoritare për kontrollin e komunikimit në internet dhe më së shumti për mediat e reja në përgjithësi”, thotë Çipa.

Kreu i Unionir të Gazetarëve shprehet se shpifja në mediat online, por edhe ato tradicionale kalojnë nën shqyrtimin që parashikon Kodi i Etikës. “Ne kemi një Kod Etike që është ndër më të mirët edhe në krahasim me vendet e BE-së”, shprehet Çipa.

Duke iu kundërpërgjigjur gazetarëve, qeveria tha të hënën se në fakt ky model për mediat online ishte marrë nga Krocia dhe Serbia, por sipas zotit Çipa kjo nuk është e vërtetë.

“Në mënyrë eksplicite mund të them që nuk janë ato modele. Ne si Unioni i Gazetarëve se në kushtet e Shqipërisë duhet të gjejë vlerë implementuese modeli midis rregullimit dhe vetë-rregullimit. Kjo paketë është një deviacion, e përsëritur disa herë në historinë e vendit tonë”, thotë Çipa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë