Paketa “Antishpije” refuzohet të dekretohet nga presidenti Ilir Meta, i cili ia kthen mbrapsht Parlamentit për ta rishqyrtuar. Vetëm një ditë përpara skadimit të afatit ligjor, presidenti bëri publike vendimin mosfirmosjen e dy nismave të miratuara më 18 dhjetor nga mazhoranca, për të cilat pati shumë kontestime. Presidenti rendit të paktën katër pika kryesore se pse e ka kthyer për rishqyrtim paketën ligjore që prek ligjet për “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe "Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Disa nga konstatimet e presidentit janë se ligjet shkelin parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik; të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit; në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese; skel standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Arsyet për kthimin e ligjeve
Presidenti për sa i përket projektligjit të AMA vlerëson nismën për regjistrimin e medieve online dhe të marrjes së masave për mbrojtjen e fëmijëve për efektet negative që sjell publikimi i lajmeve në median onlione, por se vlerëson se nga ana tjetër, nga studimi i thelluar dhe krahasues i ligjit të miratuar në tërësi, konstatohet se disa dispozita të tij dhe konkretisht nenet 14, 15, 29, 30, jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bie ndesh me katër parimet e sipërcituara. Për kreun e shtetit miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias.
“Kjo gjendje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë, masa që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilat në kundërshtim të hapur me rendin e brendshëm kushtetues dhe ligjor, u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimmarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre.
Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurt ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar”, thuhet në argumentin e presidentit. Ky ligj, për shkak të këtyre dispozitave shumë problematike, jo vetëm që nuk sjell rregullimin e pritshëm, por për disa çështje thelbësore ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese. “Presidenti i Republikës në vlerësim të të gjithë problematikave të impaktit të lajmeve dhe medias në tërësi, krahasuar me rregullimet e parashikuara në ligjin, vlerëson se ky ligj nuk i përgjigjet nevojave të zhvillimit dhe pritshmërive të publikut dhe komunitetit të gazetarëve dhe medias, si dhe nuk garanton mirëfunksionimin e tyre. Ky ligj, për shkak të këtyre dispozitave shumë problematike, jo vetëm që nuk sjell rregullimin e pritshëm, por për disa çështje thelbësore ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese”, shprehet kreu i shtetit.
Në arsyetimin e tij presidenti thekson se tenton vendosjen nën kontroll politik të operatorëve mediatikë, veçanërisht medias elektronike, gjë e cila do të përbënte cenim të rëndë të së drejtës për t`u shprehur dhe për informim. Nëse norma ligjore e sapomiratuar nuk përmirësohet, atëherë problematika, sipas kreut të shtetit, kryesisht ajo e ndikimit politik, do të krijonte efektin e kundërt, pikërisht atë të krijimit të shqetësimeve dhe problematikave të reja, duke bërë të pamundur jo vetëm zgjidhjen e atyre që tashmë ekzistojnë, por për më tepër do të krijonte një kakofoni të vërtetë në një fushë që po has vështirësitë e veta rregulluese.
Argument tjetër i kreut të shtetit me këtë paketë është fakti se Kuvendi tashmë kontrollohet totalisht nga mazhoranca dhe se zgjedhja e anëtarëve të AMA-s është një proces që varet vetëm nga votat e socialistë. Gjithashtu, në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë që prej më se1 viti po funksionon përmes një numri të kufizuar të deputetëve 122 nga 140, si dhe kur përbërja aktuale e tij, nuk përfaqëson plotësisht vullnetin e popullit dhe ku mekanizmat e kontrollit brenda tij nuk janë funksionalë, tregon qartë se ky organ ka rënë nën kontrollin e ekzekutivit, ndërkohë që do të duhej të ishte e kundërta. Duke vlerësuar edhe situatën aktuale dhe përbërjen pothuajse monopartiake të Kuvendit të Shqipërisë, ndryshimet e miratuara përmes ligjit, në tërësi rrezikojnë të kthehen në një mjet edhe më të rrezikshëm të cenimit të fjalës së lirë dhe vet demokracisë”, thuhet në argumentin e kreut të shtetit.
Pra ky ligj, do të sillte si pasojë, uljen e rasteve korruptive dhe fenomeneve negative të denoncuara nga media, gjë e cila është një cenim i pamatshëm dhe i drejtpërdrejtë të zbulimit dhe denoncimit i së vërtetës dhe që shkon në favor të qeverisjes dhe në disfavor të interesit publik. Kreu i shtetit gjithashtu ka vërejtje edhe për mënyrën e përzgjedhjes së Bordit të Ankesave, që sipas tij nuk është një procedurë e mirëpërcaktuar. Pra ky ligj, për Presidencën do të sillte si pasojë, uljen e rasteve korruptive dhe fenomeneve negative të denoncuara nga media, gjë e cila është një cenim i pamatshëm dhe i drejtpërdrejtë të zbulimit dhe denoncimit i së vërtetës dhe që shkon në favor të qeverisjes dhe në disfavor të interesit publik. Gjithashtu për kreun e shtetit ka një paqartësi ligjore sa i përket dispozitës së sanksioneve financiare dhe mënyrës së vendosjes së tyre, krijon jo vetëm pasiguri juridike, por edhe hapësira reale që këto sanksione të aplikohen në mënyrë jo objektive dhe jo proporcionale.
“Vendosja e aktorëve publikë e politikë, në qendër të kritikës apo të informacioneve të padëshiruara, është përmbushje e parimit të transparencës dhe një mjet kontrolli për të bërë publik mënyrën se si ata e ushtrojnë pushtetit publik që zotërojnë. Pikërisht në kushtet kur mazhoranca aktuale ka mundur që të monopolizojë thuajse të gjithë pushtetet legjislativ, ekzekutiv, pushtetin vendor dhe po bën të gjitha përpjekjet për të vendosur nën kontroll politik sistemin e drejtësisë, mbajtja e pandikuar dhe larg kontrollit e medias së lirë, nuk është vetëm një interes publik, por një mision në drejtim të së ardhmes së vendit dhe ruajtjes së vet demokracisë”, thuhet në argumentin e kreut të shtetit. Meta e mbyll dekretin me shprehjen “jam i detyruar T’ju paralajmëroj se, mosreflektimi nga ana e Kuvendit do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës”.
Për ligjin e AKEP, autoritetit që kontrollon webet me domain “.al”, parashikon që në këtë të bllokojë adresat e medieve online, si dhe të vendosë gjobë deri në 1 milionë lekë të reja, nëse nuk zbatohen vendimet e dhëna nga AMA. “Shqetësimet për përhapjen e lajmeve të rreme, apo ndikimit negativ të dezinformimit, duhet të adresohen në mënyrë të tillë që çdo mjet ligjor mbrojtës ndaj këtyre fenomeneve të mos rrezikojë në asnjë rast, të vendosë në disbalancë, apo të krijojë rrezikun e keqpërdorimit të këtyre mjeteve ligjore për të cenuar të drejtën për informacion, lirinë e shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të drejta këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare”, thuhet në argumentimin e Presidentit.
Kthimi mbrapsht i paketës Antishpifje është i pritshëm nga ana e mazhorancës, pasi vetë kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar këtë akt të presidentit. Kjo paketë është kundërshtuar ashpër nga ana e komunitetit ndërkombëtare, si dhe shoqatat e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit. Rezerva dhe komente kundër ka pasur edhe BE-së, por edhe përfaqësuesi i Lirisë së Medias, Harlem Desir, i cili ka kërkuar që të rishikohet disa dispozita por që nuk u morën në konsideratë, pavarësisht se Rama pretendon se ndryshimet janë bërë në përputhje me OSBE-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.