Politike

Votohet "Antishpifja", ish-ministri Bushati abstenon, opozita e përçarë. Basha, thirrje Metës: Mos e dekreto

Me 82 vota pro, mazhoranca miratoi në Kuvend paketën Antishpifje të pjesës së ligjit të kompetencave që ka AMA . Ndaj ligjit të parë të kësaj pakete 13 deputetë votuan kundër, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim. Ndërsa paketë e dytë e ndryshimeve në ligjin Autoritetit të Komunikimeve Elektronike mori 87 vota pro, 10 kundër, 2 abstenim, ndërsa pesë nuk votuan. Deputetët kanë votuar edhe një propozim të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, sipas të cilit vendimet e Bordit të AMA-s, ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.


Në këtë votim të pasdites së vonë të seancës të së mërkurës mungonte kryeministri Edi Rama, i cili kishte udhëtuar jashtë Shqipërisë. Nga radhët e mazhorancës ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati abstenoi të dyja paketat e ligjit "Antishpifje", si dhe në të gjitha amendamentet e propozuara nga ana e kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla. Në sallë i vetmi që mungonte për arsye personale, ishte deputeti Bashkim Fino.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kërkoi paraditen e së mërkurës nëmbledhjen e grupi të PS-së tërheqjen e ligjit, sepse bie në kundërshtim me standardet dhe ka pasur debate të forta, e kundërshti edhe nga pala opozitare. Opozita parlamentare u shfaq e përçarë në këtë votim. Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Myslim Murrizi, Halit Valteri, Adriatik Alimadhi, Fatjona Dhimitri bojkotuan seancën përpara nisjes së votimit. Pjesa tjetër e opozitës votuan pro, kundër apo asbtenim.
Nimet Musai, Majlinda Halili, Zef Shjefni, Ligoraq Karamelo ishin nga deputetët që votuan pro.


Në rendin e ditës së seancës së fundit parlamentare për këtë vit, ishin shkarkimi i Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe votimi i dekretit për emërimin e Arben Ahmetajt, në postin e ministrit të shtetit për Rindërtimin.
Arben Malaj u shkarkua si anëtar i Bordit Mbikëqyrës me 72 vota pro dhe 10 kundër. Parlamenti po ashtu ka miratuar zgjatjen e gjendjes së emergjencës me 92 vota pro. Ndërkaq, Arben Ahmetaj u konfirmua si ministër i Rindërtimit, duke marrë 97 vota pro nga anëtarët e Parlamentit. Në bllok u kaluan edhe paketa fiskale, buxheti i shtetit dhe nisma për rivlerësimin e pasurive, si dhe u rrëzuan dy dekretet e presidentit Meta për rishikimin e dy ligjeve, "Për rininë", dhe "Koorporatën e Investimeve".

Reagimi i Bashës

Pas këtij votimi ka ardhur në mënyrë të menjëhershme reagimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha. Me anë të statusi në rrjetet sociale, Basha i bën thirrje presidentit Ilir Meta që të mos ta dekretojë. Sipas tij në kulmin e një krize të rëndë ekonomike, të një gjendje të jashtëzakonshme, kur mijëra familje janë në të ftohtë, pa strehë, pa ujë, pa drita, pa ngrohje, Edi Rama me urgjencë miratoi ligjin e censurës.


"Sot kur të gjithë e kemi parë dhe dëgjuar se si Edi Rama bleu zgjedhjet me krimin, se si krimi i lidhur me pushtetin po vjedh çdo pasuri te këtij vendi, Rama me urgjencë tenton ti mbyllë gojën gazetarëve shqiptarë. Sot kur po zbardhet përditë e më qartë përgjegjësia e zyrtarëve të kësaj qeverie për 24 jetët e humbura në Thumanë, me urgjencë miratohet ligji kundër fjalës së lirë. Sot kur priten te fillojnë hetimet për shitblerjen e votave në Durrës dhe Dibër, për mega skandalin e Unazës së Re, për dështimin e qeverisë në menaxhimin e krizës së tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, miratohet me urgjencë ligji që do ti ndalojë portalet të publikojne këto fakte. Miratimi i ligjit kundër fjalës së lirë u bë me urgjencë sot sepse qeveria Rama po përgatit vjedhjen e rradhës, kësaj here mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit. I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë këtë atentat kundër fjalës së lirë që rikthen ligjin famëkeq të diktatures për agjitacion e propagandë", deklaron Basha.


Kryedemokrati u shpreh se me këtë ligj asnjë nuk mund të ndalojë opozitën që të denoncojë skandalet apo faktet abuzive të qeverisë. " Ju bëj thirrje të gjithë gazetarëve dhe analistëve, të gjithë opinionistëve dhe personave publikë të mos intimidohen dhe të vazhdojnë bashkë me opozitën të denoncojnë çdo aferë dhe skandal të kësaj qeverie në ikje! Asgjë dhe askush nuk do na e mbyllë dot gojën!", thekson Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë