Njerez

Rrëfimi i emigrantit: Si desh më shkatërroi jetën ëndrra angleze

Muaji gusht për Besin është periudha më e bukur e vitit. Ai thotë se rikthehet në Shqipëri për të takuar prindërit, miqtë dhe shokët, por edhe për të kaluar disa ditë pushime me bashkëshorten e tij. Edhe këtë vit nuk e prishi traditën. Tregon se ka ardhur që në datën 3 dhe do të qëndrojë deri në datën 26.

Megjithatë, ndryshe nga herët e tjera këtë vit ka vendosur të qëndrojë më gjatë se 2 javë që qëndronte zakonisht për të zbuluar arsyet duhet të kthehet disa muaj pas në kohë.

Intervista

Pse është ndryshe ky gusht për ty?

Histori e gjatë. Ta them troç, më 9 mars u nisa me një grup prej 6 personash, që të gjithë shqiptarë nga Italia për në Angli. Lashë Milanon dhe udhëtova drejt Napolit dhe më pas Barcelonës për të përfunduar në Bilbao. Mëngjesin e datës 12 mars kam qenë në Getaria (qytezë baske) buzë Oqeanit (Atlantik) në veri të Spanjës.

Udhëtove me letra të rregullta deri këtu?

Po po! Kam letra të rregullta italiane. Të gjithë kishim letra të rregullta italiane dhe me këto letra na thanë që të udhëtonim drejt Spanjës.

Kush ju tha?

Çunat.

Cilët çuna?

Ne vinte na vizitonte shpesh një djalë nga Krraba e Tiranës, që punonte si kamionist dhe transportonte mallra për llogari të një kompanie italiane në drejtim të Anglisë. E njohnim prej kohësh pasi kemi punuar dikur bashkë në vjelje mollësh e dardhësh në Teramo. Rrinte tek ne disa ditë ku na tregonte për jetën e Londrës, se si bëhej leku andej e të tjera.

Ishe i pakënaqur me pagesën në Itali?

Jo jo! Ishte më shumë kureshtje e lakmi. Shihja në Instagram jetën që bënin disa të afërm që janë aktualisht në Londër, ndaj kërkova që të shkoja atje. I kërkova ndihmë për strehimin njërit prej tyre. Ai u shpreh i gatshëm, por më tha se me letrat italiane që kisha nuk mund të shkoja të punoja, madje as të qëndroja. Për këtë më vendosi në kontakte me ca çuna edhe me ndihmën e këtij kamionistit, që kundrejt 6 mijë eurove do të m’i rregullonin gjërat.

Shqiptarë ishin këta çunat? Si do t’i rregullonin gjërat?

Shqiptarë, shqiptarë. Në dialekt m’u dukën nga veriu. Më shumë nuk di, sepse që komunikimin e parë ma bënë të qartë që të mos bëj shumë pyetje, vetëm t’u jap ato që kërkojnë. Më kërkuan 3 mijë euro paradhënie dhe tre të tjera kur të mbërrija në Angli. Ua dhashë dhe më thanë që të rrija i qetë dhe të prisja që të më kontaktonin vetë. Me sa mbaj mend ka qenë diku nga mesi i janarit. Në fund të janarit më kërkuan disa foto me pak mjekër dhe më thanë që të hapja një Instagram fals për të komunikuar në vazhdim me ta, pasi në telefon kishin frikë. Nga data 20 shkurt më shkruajnë nga një adresë e panjohur, ku më thonë se çdo gjë është gati. Vendosëm të takoheshim më datë 21 në një pikë karburanti në autostradën Milano-Torino.

Shkove në takim? Nuk kishe frikë se mund të të kapnin dhe të të dëbonin edhe nga Italia?

Kisha frikë, por kur mendoja se u kisha dhënë 3 mijë euro dhe kur shihja postimet në Instagram të të afërmve që jetojnë në Londër (qesh)…Shkova tek vendi që më thanë, por nuk është se i takova dot. Më dhanë në dorë menjëherë një pasaportë italiane së bashku me ca shënime që mezi i lexova.

Në emër të kujt ishte pasaporta dhe çfarë shkruhej tek udhëzimet?

Pasaporta ishte me një emër italian, që s’e mbaj mend sot dhe me fotografinë time. Hoqa menjëherë letrën që më kishin shkruar dhe e futa në xhep të xhaketës. Kur shkova në shtëpi u futa në banjo ta lexoja. Nuk i kisha thënë njeriu për planin tim dhe nuk doja që ta merrte vesh nusja. Aty më kërkohej që të isha gati se brenda pak ditësh do të më njoftonin për nisjen. Dy-tre ditë më vonë nisa të fejuarën për në Shqipëri. E gënjeva dhe i thashë se vetë do të vija më vonë sapo të mbaroja një punë që kisha në dorë në Itali. Po prisja të më njoftonin, po me kalimin e ditëve s’po kisha më durim dhe futem në Instagram t’i shkruaj asaj adrese që më kishte shkruar. Pashë tek mesazhet që nuk i dërgoja dot asgjë, ishte e çaktivizuar. Aty mendova se ma futën!

Nuk të kontaktuan më?

Jo më kontaktuan në fillim të marsit me një tjetër adresë. Më dhanë një adresë dhe një emër në Napoli ku duhet të shkoja ta takoja para datës 6 mars. U paraqita në adresën që më dhanë në datën 5 mars. Ishte një banesë e braktisur dhe e mbushur me emigrantë nga të gjitha vendet. Duhej të takoja një person me emrin Roko.

Shqiptar, apo italian?

As e mora vesh se ça ishte. As italishten nuk e fliste mirë. Na futën në një dhomë të vogël, ku ishim rreth 15 vetë. Pesë ishim shqiptarë. Mbaj mend që djalë nga Fushë-Kruja. Ai e kishte për herë të 7 që e provonte. Ishte kapur nga Holanda, Danimarka dhe Franca. Këtë herë do e provonte së bashku me ne nga Spanja, po pa pasaportë false, thjesht si klandestin.

Sa qëndruat aty? Kur u nisët për në Spanjë?

Për tre ditë kemi qëndruar në atë ndërtesë, që natën boshatisej dhe ditën mbushej plot prap. Nuk e di ku shkonin, po dukej që një pjesë e mirë punonin si shpërndarës droge apo në prostitucion. M’u shpif dhe isha bërë gati që të braktisja çdo gjë e të kthehesha sërish në Milano, deri kur na thanë që mbrëmjen e 9 marsit do të niseshim. Udhëtuam me traget për Barcelonë. Zbritëm atje dhe letrat italiane i ktheva me postë sërish në Milano, ku i priste një miku im. Direkt, ashtu të lodhur nga udhëtimi morëm trenin për në Bilbao. Nuk e mbaj mend orën, po ka qenë mëngjes herët. Për 7 orë kemi qenë në tren. Zbritëm në Bilbao dhe kemi qëndruar vetëm pak, sa për të blerë ujë e cigare. Më pas i hipëm një mikrobusi.

Sa vetë ishit këtu? Kishte ndonjë drejtues grupi?

12 vetë ishim dhe na drejtonte një shqiptar. Ai fliste gjithmonë italisht për të mos u kuptuar që ishte shqiptar, por nja dy-tre herë i shpëtonte ndonjë e sharë shqip. Kur e pyeta, po ti shqiptar je, më tha që jo, po ngaqë rrinte shumë me shqiptarët, kishte mësuar disa sharje shqip.

Ku ju çuan?

Se ç’ishte një qytezë e vogël me emrin Kitara a Gitara, ku kishte vetëm pensionistë dhe emigrantë që prisnin anijet e transportit të mallrave dhe gomone për t’u hedhur në Angli, apo Francë. Aty u rehatuam nëpër çadra të improvizuara. Ditën e dytë nisi një shi i fortë me erë që na e mori me vetë çadrën. U lagëm u bëmë ujë. Morëm plevitin! Kështu, mes lagështisë, të ftohtit dhe pagjumësisë qëndruam 8 ditë në pritje. Na mashtronin duke na mbajtur me shpresë se së shpejti do të vinte anija jonë, deri kur na thanë pastaj që me anija mallrash nuk iknim dot, por do të udhëtonim me gomone për në Francë dhe aty do të merrnim anijen e mallrave për në Angli. Unë nuk e kisha për herë të parë gomonen. Kam udhëtuar në 2002-2003 drejt Italisë. E dija sa e rrezikshme ishte, po prap rashë dakort. Do të udhëtonim natën, po shyqyr Zotit nuk ndodhi me ato dallgë që kishte deti (oqeani), rrezikonim shumë.

Rruga e ndjekur nga Besi në përpjekje për të mbërritur në Angli. Gazeta Si, 14 gusht 2019

Pse nuk u nisët, çfarë ndodhi?

Dëgjuam sirena policie dhe të gjithë filluan të shpërndaheshin. Isha aq i lodhur dhe i nevrikosur, më shumë me veten sesa me trafikantët, sa vendosa të qëndroj në vend. Me vete kisha vetëm pasaportën false dhe çantën me rroba dhe ushqime. Shyqyr Zotit më shkoi në mendje ta djeg pasaportën, që të mos i hapja probleme vetes. E dogja dhe prita që të vinin të më arrestonin. Kur erdhën (policët) pasaporta ishte djegur dhe hirin e shpërndava me këmbë për të zhdukur gjurmët. Pasi më vunë prangat nisën të kontrollonin nëpër çanta. Më pyetën për emrin dhe u dhashë një emër tjetër. Sa për çantën u thashë që nuk kisha çantë, se ma kishin vjedhur në kamp.

Të gjithë shqiptarët u kapën?

Po të pestë u kapëm, përveç drejtuesit të grupit, që s’e mora vesh si shpëtoi. Po mbrapa na thanë që në momentin e aksionit të policisë ai kishte qenë buzë detit duke përgatitur gomonen. Ndoshta ka ikur me gomonen. Katër shqiptarëve të tjerë u gjetën ca dokumenta me vete. Dy më duket ishin si unë me pasaporta italiane false, që nuk kishin arritur t’i hidhnin. Në komisariat më pyetën vazhdimisht se ku e kisha pasaportën, po u thashë që nuk kisha asnjë dokument me vete. U tregova që jam nga Shqipëria, që deri atje kisha ikur vetë, pa organizimin e ndonjë grupi dhe se pasaportën dhe dokumentet e tjera më kishin humbur së bashku me çantën. Më kërkuan një numër telefoni në Shqipëri për të kontaktuar. U dhashë një numër jofunksional, që e aktivizoja sa herë vija në Shqipëri dhe të paregjistruar me emër e mbiemër.

A të besuan?

S’e di a më besuan apo jo, po pas pesë ditësh në paraburgim e mbyllën me mua dhe më dhanë vetëm një paralajmërim për shkelje të paligjshme të kufirit.

Po me të tjerët, çfarë u bë?

Me sa kam marrë vesh, ata janë ende brenda. Në shtator më duket se kanë gjyqin e fundit, pasi akuzohen si trafikantë.

Si arrite që të rikthehesh në Itali duke shpëtuar paq në të gjithë këtë ndodhi?

Pasi më nxorrën nga paraburgimi më transportuan tek një kamp refugjatësh afër Barcelonës. Këtu me bashkuan me një grup që do t’u dorëzohej italianëve dhe u nisëm të shoqëruar nga policia për në Itali. Italianët na morën në dorëzim në Siçili. Në Spanjë nuk më morën shenjat e gishtërinjëve, po kisha frikë mos do i merrnin në Itali dhe do t’u dilnin të gjitha të dhënat e mia. Fati im që atë ditë kishte fluks të madh klandestinësh afrikanë që u ishin dorëzuar italianëve për t’i riatdhesuar dhe shenjat e gishtërinjëve nuk u morën. Përfundova në Bari dhe nga Bari në Vlorë.

U ktheve në shtëpi?

Jo, ku të kthehesha?! Mora në telefon një mik i tregova të vërtetën dhe i mora 2 mijë euro borxh. Kam qëndruar një natë rreth portit të Vlorës dhe gjeta mundësinë për t’u rikthyer sërish në Itali. Zbrita në Bari ku më dërguan dokumentat e rregullta italiane dhe aty u çlirova. Shkova në Milano dhe gjëja e parë që bëra fola në telefon me të shtëpisë dhe me të fejuarën.

Nuk i kishte kontaktuar fare gjatë kësaj periudhe?

Jo, jo! Ata nuk dinin asgjë dhe akoma nuk dijnë asgjë. Po një i afërm që punojmë bashkë në Milano e dinte, por i kisha thënë që t’i gënjente. Hera u thoshte se jam në punë, herë që më ishte prish telefoni e kështu arsyesh. Po erdhi një moment kur ishin bërë merak dhe i trembeshin më të keqes, aq sa kishin bërë edhe denoncim për zhdukjen time. Denoncimin e tërhoqën sapo i kontaktova. E vetmja që i kam treguar është e fejuara. Po shyqyr që u mbyllën gjërat pa “qeder”.

A do ta provosh më Anglinë?

Ça thua?! Unë kam fshirë edhe Instagramin, mos i shoh më atë të afërmit kur postojnë nga Londra (qesh).

Një pyetje e fundit, po me lekët ça u bë? I more mbrapsht?

Jo! Po as që i dua më. Humba nja 5 mijë euro, po i quaj si para të shpenzuara për një mësim të mirë që mora tani në moshën 30-vjeçare, ose për turizëm…(qesh)

Shënim: Personazhi i mësipërm nuk dëshiron të identifikohet. Emri Besi nuk është emri i tij i vërtetë.

Intervistoi : Mentor Kasa


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë