Ngjarje

Si italian në Rinas, por veshja alla shqiptarçe e tradhëton

Artenis Culaj 19 vjeç është nga Kopliku. Nga një ëndërrimtar për Britaninë e Madhe ai tashmë nuk mund të udhëtojë askund. Prej orësh mbahet  i paraburgosur në ambientet e drejtorisë së Policisë Tiranë. Për të prokuroria ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë (këtë të hënë), arrest me burg, një kërkesë që pritet të shqyrtohet ditën e martë nga një gjyqtar i gatshëm. Vepra për të cilën ai dyshohet është falsifikim dokumentesh dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Derisa të sqarohet se cilën vepër ka kryer konkretisht teksa po tentonte të kalonte aeroportin e Rinasit i veshur shumë thjesht dhe “shqiptarçe”, me shumë gjasë stacioni i tij do të jetë paraburgimi.

Historia

Megjithatë i riu ka folur sapo është pyetur nga krimi ekonomiko-financiar. Ndërsa pas tij u kapën edhe tre të rinj të tjerë, për të cilët ka dyshime se “garantuesi” i udhëtimit drejt Europës, shtetasi Ismail Bylykbashi ju kishte siguruar pasaporta false si shtetas të huaj. Prokuroria e cila po heton për të zbuluar rrjetin që siguronte daljen nga Shqipëria përmes kësaj rruge thotë se Artenisi do të udhëtonte me linjën ajrore “ADRIA Air” drejt Lubjanës. 19 vjeçari mbante në dorë një pasaportë italiane dhe u paraqit në sportel si shtetasi Italian, Thomas Rossi. Por e ecura dhe veshjet tipike të stilit shqiptar e kanë bërë të dyshimtë, ndaj punonjësja e policisë gjatë intervistimit paraprak ka kërkuar ndihmë për një kontroll të dytë të tijën dhe bagazheve. Disa orë më vonë i riu u rrëfye.

“Kisha ëndërr të emigroja në Angli. Tre javët e fundit fillova të kryej takime. Në qytetin e Shkodrës takova Ismail Bylykbashin i cili më premtoi se do më ndihmonte. Folëm dhe ramë dakord që pagesa do të kryhej sapo të mbërrija në Angli, pra sapo të mbërrija në destinacion. Ismaili më kërkoi një fotografi, të cilën më tha se e donte që të më nxirrte një kartë identiteti italiane që siç shpjegoi më pas, do ta përdorja sapo të mbërrija në Francë. Diskutuam që nga Franca do vazhdoja në Irlandë dhe në fund destinacioni do ishte Anglia”, tregoi 19-vjeçari.

Pasi të dy kanë rënë dakord, kanë shkëmbyer numrat e telefonit dhe më vonë “garantuesi” e ka njoftuar që duhej të nisej drejt Rinasit. Pikërisht në aeroport i riu është ndarë nga familja dhe ka vazhduar përpara vetëm për pak metra më tej e kanë njoftuar se duhej të kryhej kontrolli. Në këtë moment, siç kujton i riu , “garantuesi i   udhëtimit” ka nxjerrë nga çanta e tij një zarf dhe i ka thënë ta mbajë, një porosi të cilën ai ka pranuar ta kryejë në mirëbesim. Por kur policia kontrolloi më vonë çantën e tij,  gjeti aty katër karta identiteti të falsifikuara në emër të disa personave të tjerë dhe për këtë shkak 19-vjeçari është njëlloj i dyshuar si Bylykbashi, edhe pse në fakt rezulton se ai nuk ka udhëtuar asnjëherë jashtë vendit. E kundërta ndodh me të dyshuarin kryesor, i cili është nga Durrësi dhe jeton në rrugën “Via Garibaldi” në komunën Panikale Itali. Ai siç tregon sistemi Tims, rezulton si udhëtar i rregullt, por ajo që e ka vendosur në vështirësi është kamera e aeroportit dhe komunikimet në telefon.

Aeroporti i Rinasit - Gazeta Si, 12 gusht 2019

Të huajt në çantën e shqiptarit

Përveç se u prezantua si italiani Thomas Rossi, në një kohë që është lindur dhe rritur në Koplik në lagjen Culaj, Artenisi kishte në çantë edhe tre karta identiteti false. Ato ju përkasin shtetasve italianë Mattia Montecucco, Alessio Barboni dhe Chiara Brustega. Por dy “nga të huajt” u zbuluan në Rinas pak më vonë, teksa kaluan pikën e kontrollit për të udhëtuar me pasaporta me të njëjtin emër. Mattia Montecucco rezultoi të ishte 25 vjeçari Fatmir Losha , ndërsa Alessio Barboni ishte Klodian Agolli 30 vjeç. Policia thotë për Gazeta Si se nga ekzaminimi i dokumenteve për kartat e identitetit u vërejtën më pas ndërhyrje mekanike tek fotografitë, tek të cilat ishte e dyshimtë vazhdimi i vulës mbi fotografi, ndërkohë që shkrimi është i standardit zyrtar. Nga konkluzioni i ekspertëve, mëson  Gazeta Si, është e sigurt që këto dokumente janë falsifikuar.

Ku je? Hetimi i thelluar zbulon kryesorin

Por edhe pse Bylykbashi është treguar i kujdesshëm dhe ka shpejtuar të humbasë gjurmët me dokumentet, karta identiteti të cilat ja ka dorëzuar adoleshentit, ai nuk fshin dot bisedat në whats app. Aty është gjetur fotografia e një vajze nga Shqipëria me emrin Mirjeta Frroku, fotografi që është e ngjashme me atë të kartës së identitetit me emrin e shtetases, Chiara Brustenga. Në whats app-in e Bylykbashit, një numër italian, me pamjen e Marjet Frrokut i dërgon Bylykbashit këtë mesazh

“Si kalove, ku je ? Jam e fejuara e Edit .. Ku je? Unë jam tek uscita”. Siç thotë eksperti i kriminalistikës që ka këqyrur telefonin për efekt të hetimit që po kryen drejtoria kundër trafiqeve të paligjshme, më pas bashkëbiseduesja i dërgon një imazh që ngjason me sallat e terminaleve. Më vonë shpjegon për Gazeta Si eksperti, një person tjetër e pyet Bylykbashin se ku ndodhej pasi “goca e tij ishte duke pritur”. I njëjti person këmbëngul duke e pyetur “Ku ndodhesh se më ngeli nusja në rrugë?”

Komunikime të ngjashme ka edhe me persona të tjerë, mes të cilave edhe se si do ndryshohej fotografia e shtetasit Italian Montecuco.

Eksperti për të sqaruar pozicionin paraprak të adoleshentit që ëndërronte Anglinë, por që mendohet se ka kryer vetëm një krim, tregon vetëm një bisedë që i sqaron të gjitha. Biseda zhvillohet mes “ëndërrimtarit” dhe trafikantit. Siç mëson “Gazeta Si” adoleshenti fillimisht prezantohet në telefon, ku dhe i dërgon një mesazh në fillim të muajit gusht. “Mirëmbrëma”, thotë i riu.. “Nipi i Shpëtimit jam”. Më vonë një numër me emrin Soni i dërgon trafikantit foto të pasaportës së Artenisit që ishte origjinalja. Sërish i njëjti numër i shkruan; “Kjo është bileta 300 euro,  bileta jote dhe 300 euro bileta ime. Në orën 12.30 të jesh në Rinas”.

Foto ilustruese e nje pasaporte italiane - Gazeta Si, 12 gusht 2019

Dy italianët e tjerë të rremë

Së bashku me Artenisin të arrestuar janë edhe Klodjan Agolli dhe Fatmir Losha, të dy me pasaporta false italiane.

Klodiani thotë se është nisur për të udhëtuar drejt Parisit dhe se rastësisht në transit ka takuar Fatmirin. Por pasi ka kaluar transitin dhe do hipte ne avion, policia e ka shoqëruar për të kryer një verifikim. E kanë vendosur përballë një personi (Bylykbashit), të cilin ai ka tundur kokën në mënyrë mohuese dhe ka thënë që “nuk e njoh”. “E bleva biletën në Sukth dhe nuk e kam idenë se përse fotografia ime ndodhej në një dokument tjetër, në çantën e një personi që unë nuk e njoh”, pohoi i riu. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Fatmir Losha, i cili ka bërë të paditurin mbi faktin që në fotografinë e tij ishte shkruar emri i një të huaji dhe aq më tepër që një dokument ndodhej në çantën e një të panjohuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë