Gazeta Si – Një bankë e nivelit të dytë është grabitur mesditën e kësaj të marte, 2 qershor, pranë kryqëzimit te zona e “Komunës së Parisit” në Tiranë në rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Sipas policisë, një person i maskuar është futur në bankë dhe i ka marrë një shumë parash një qytetareje, që po i depozitonte në arkë.
Personi ende i paidentifikuar, i veshur me të zeza dhe i maskuar hyri në bankë dhe nën kërcënimin e një arme, iu afrua një gruaje që kishte me vete rreth 15 milionë lekë të vjetra në një çantë, të cilat sapo po i depozitonte në bankë dhe ia ka marrë.
Grupi hetimor ka dyshime se autori e ka ndjekur gruan çaste më parë deri në momentin e hyrjes në bankë.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se autori është afruar pranë bankës me një skuter elektrik nga kryqëzimi i Komunës së Parisit dhe e ka lënë jashtë bankës.
Më pas, autori është futur si klient në bankë dhe pasi ka marrë paratë është larguar nëpërmjet rrugës “Sulejman Delvina”, ku dyshohet se ka braktisur skuterin në një garazh.
Më pas është larguar drejt zonës së bllokut nëpërmjet rrugicave të zonës. Grupi hetimor është duke punuar për të sqaruar rrethanat e plota, si dhe për të identifikuar autorin e grabitjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje