Njerez

Shqipëria po plaket dhe po tkurret, në një vit ‘humbi’ mbi 27 mijë banorë

Nga Gazeta ‘Si’- Shifrat e reja nga INSTAT tregojnë se skenari më pesimist i popullsisë së Shqipërisë po realizohet.

Në një vit, popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 1.2%, duke u ulur në 2.3 mln banorë.

Rënia e popullsisë është ndikuar kryesisht nga emigracioni, i cili edhe gjatë vitit 2025 mbeti negativ. Migracioni neto rezultoi në minus 28.531 persona, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë ishte pozitive me 1.147 persona, pasi numri i lindjeve tejkaloi atë të vdekjeve.

Gjatë vitit 2025 u regjistruan 22.541 lindje dhe 21.394 vdekje. Ndërkohë, raporti gjinor në lindje mbeti pothuajse i pandryshuar, me 107.9 djem për çdo 100 vajza të lindura.

Të dhënat tregojnë se vetëm qarku i Tiranës ka shënuar rritje të popullsisë, me 0.7% më shumë banorë krahasuar me vitin 2025. Në krahun tjetër, rënia më e fortë është regjistruar në Kukës, me 2.59%, dhe në Shkodër, me 2.56%.

Tirana vazhdon të përqendrojë pjesën më të madhe të popullsisë së vendit. Më 1 janar 2026, kryeqyteti përbënte 32.8% të popullsisë totale, duke mbetur qarku më i populluar i Shqipërisë. Pas tij renditen Fieri me 9.7%, Elbasani me 9.5% dhe Durrësi me 9.4% të popullsisë.

Një tjetër statistikë ogurzezë është rritja e moshës mediane në vend, që tregon se popullsia dominuese është në plakje. Mosha mediane është rritur nga 44.3 në 45 vjeç, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve është rritur nga 33.3% në 35.7%.

Po ashtu, raporti i varësisë së përgjithshme, që mat numrin e personave në moshë joaktive për çdo 100 persona në moshë pune, është rritur nga 57.1% në 59.4%, duke sinjalizuar një barrë në rritje për tregun e punës dhe sistemet e mbrojtjes sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë