Gazeta Si – Lufta kundër krimit të organizuar, atij kibernetik, evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, do të vijojnë të jenë prioritet edhe për vitin 2026, duke marrë parasysh rekomandimet e qeverisë.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, paraqiti këtë të martë rekomandimet drejtuar prokurorëve dhe drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke vënë theksin te sfidat e reja të kriminalitetit modern.
Gjatë deklaratës së tij, Gogu u ndal veçanërisht te krimi kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit, duke theksuar se ai ka evoluar me shpejtësi dhe përdor metoda gjithnjë e më të sofistikuara.
Sipas tij, pastrimi i parave po kryhet gjithnjë e më shpesh përmes kriptomonedhave, mashtrimet organizohen online, ndërsa infrastruktura publike dhe institucionet po përballen me sulme digjitale.
“Pastrimi i parave bëhet në kripto valuta, mashtrimi organizohet online, infrastrukturat publike sulmohen digjitalisht, grupet kriminale përdorin teknika më të sofistikuara komunikimi dhe pastrimi duke vepruar në shumë juridiksione. Ndaj në rekomandimet e 2026 kërkojmë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorisë, investime teknologjike dhe trajnime të vazhdueshme”, – tha Gogu.
Sipas ministrit, një nga treguesit më domethënës është fakti se 37% e procedimeve të SPAK-ut janë iniciuar me nismën e vetë strukturës, duke shënuar një rritje prej 19.8% krahasuar me më parë. Ndërsa çështjet e mbartura janë reduktuar me 78%.
Në fjalën e tij, kreu i SPAK, Klodian Braho, bëri me dije fillimisht se sfidat e reja në luftën ndaj krimit kërkojnë teknologji të re dhe buxhet të shtuar.
“Hetimet ndaj grupeve kriminale dhe krimit në tërësi kërkojnë më shumë teknologji. Sfidat e reja duhet që të shoqërohen dhe me mbështetje buxhetore, që të luftohet pastrimi i parave. Analiza e rekomandimeve do të shërbejë se cilat masa mund të merren mënjeherë dhe cilat kërkojnë mbështetje financiare. SPAK synon që të jetë institucion i pavarur, i hapur për bashkëpunim, por edhe me integritet në hetimet e tij”, tha Braho.
Sipas tij nevojitet bashkëpunim, pasi krimi tashmë ka kalur kufijtë kombëtarë.
“Lufta ndaj krimit e korrupsionit nuk mund të bëhet vetëm nga një institucion i vetëm. Duhet një bashkëpunim gjithnjë e më i madh me Policinë e Shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera, që të kemi rezultate më të mira”, u shpreh Braho.
Nga ana e tij, edhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, i vlerësoi këto rekomandime.
Ai përmendi dhe disa arritje të realizuara nga Prokuroritë: “Ne kemi vënë si prioritet institucional prej vitesh tashmë çështje që lidhen me pastrimin e produkteve të veprave penale dhe viti 2025 ka qenë viti më i mirë që kemi pasur qëkur kjo çështje u kthye në prioritet, edhe në kuptim të procesit të integrimit por edhe të proceseve të tjera, kështu që mendoj se meriton vlerësim për arritjet nga ana e prokurorëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje