Gazeta Si – Dy punonjës të një banke të nivelit të dytë, janë arrestuar nga agjentët e krimit ekonomik të policisë së kryeqytetit, pasi akuzohen se zhvatën rreth 200 mijë euro nga llogaritë e qytetarëve.
Policia thotë se 5 punonjës të tjerë u lanë në “arrest shtëpie” dhe 4 u pezulluan nga detyra. Konkretisht, janë arrestuar drejtori Albin Keta dhe zëvendësi i tij, Gilbert Hoxha.
Operacioni u zhvillua pas denoncimeve të vazhdueshme të disa qytetarëve të cilët ishin klientë në këtë bankë dhe kishin zbuluar se nuk kishin paratë e tyre në llogari. Dyshohet se punonjësit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë zhvatur paratë e klientëve.
Sipas informacioneve paraprake, dëmi përllogaritet rreth 200 mijë euro. Hetimet kanë zbuluar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total.
Hetimet nisën në vitin 2025 pas denoncimit të shtetasit me inicialet I.O., se nga tre llogaritë e tij në një bankë të nivelit të dytë, janë tërhequr shuma me një vlerë prej 500.000 lekësh nga persona të pa autorizuar.
Ndërkohë, që një tjetër kallëzim u krye nga vetë banka, e cila denoncoi rastin për tërheqjen e shumave pa autorizim ndaj klientes A.K., në të njëjtën degë.
Nga hetimet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u evidentua se nga klientët e bankës, janë kryer 30 tërheqje pa mandat si dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim disa depozita me afat në euro dhe dollarë.
Në rastin konkret nga hetimet rezultoi se ndaj personave në hetim, shtetasit E.Q., I.D., E.K., B.M., A.K., G.H., G.B., D.D., O.K., R.S. B.N. dhe Zh.B. ekziston dyshim i arsyeshëm se janë autorë të mundshëm të veprave penale: ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’.
Shtetasit A.K., dhe G.H., zv.drejtor dhe drejtor i degës, ndaj të cilëve u kërkua masa e siguisë ‘Arrest në burg’, rezultoi se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale.
Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar, ata kanë përvetësuar shumat monetare të dy kilentëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, pa mandat, ndëhyrjes së kundërligjshme në sistem nëpërmjet konvertimeve valutore, hapje/mbyllje depozitash si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim.
Kjo skemë vjedhjeje e koordinuar krijon dyshim të arsyeshëm mbi konsumimin e veprës penale për të cilën janë në hetim. Këto veprime ata i kryen në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të bankës, në cilësinë e arkëtarit, supervizorit si dhe të shërbimit ndaj klientit.
Masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ u vendos për shtetasit G.B., D.D., O.K., R.S., B.N., dhe Zh.B., për kryerjen në mënyrë të përsëritur për veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin funksional në sistemin bankar, ata përvetësuan shuma monetare të dy klientëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false apo ndërhyrjes në sistem pa autorizimin e tij.
Kjo skemë përfitimi e realizuar nga punonjësit e bankës sipas funksionit, funksiononte sipas mekanizmit: arkëtar/shërbim klienti nëpërmjet aksesit eskluziv mbi fondet e klientit kryhen ndërhyrje dhe manipuluan sistemin bankar, veprime të cilat verifikohen dhe autorizohen nga niveli drejtues në hierarki, përgjegjës operacional dhe drejtor dege, të cilët kanë detyrimin për verifimin, kontrollin dhe autorizimin final për kryerjen e transaksionit bankar.
Në lidhje me shtetasit e tjerë në hetim, E.Q., I.D., E.K. dhe B.M., u kërkua dhe pranua masa e sigurimit personal ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për veprën penale ‘Falsifikimi kompjuterik’.
Nga hetimi rezultoi se këta shtetas kanë kryer veprime dhe transaksione bankare në kushtet kur mungonte kontrata në një ose disa raste duke krijuar premisat për ushtrimin e veprimtarisë së jashtëligjshme të subjekteve të tjerë të sipërcituar të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë vjedhur pasurinë.
Ndërkohë vijojnë hetimet, pasi dyshohet se numri i klientëve të vjedhur është edhe më i madh. Skema e përdorur është përdorimi i mandateve të tërheqjeve false.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje