Mendim

Roli paraprirës i arbëreshëve në rritjen e ndërgjegjes kombëtare për pavarësi

Nga Akademik Matteo Mandalà - Njihet roli që kanë lozur arbëreshët gjatë gjithë shek. XIX për të sensibilizuar dhe informuar qarqet politike europiane mbi çështjen shqiptare, si dhe për të shtjelluar arsyet që i shtynin ata të mbronin kauzën e kombit shqiptar. Ky kontribut i tyre, që shtrihet përgjatë gjithë periudhës së romantizmit, përbëhet nga një sërë veprash politiko-letrare, studimesh historike e gjuhësore, e së fundi, nga një numër i konsiderueshëm gazetash dhe revistash. Ndër periudhat më aktive përmendim sigurisht atë nistore mes viteve të para të shek. XIX dhe vitit 1848 që shënoi edhe dështimin e madh politiko-ushtarak të kryengritjeve për bashkimin e Italisë. Pikërisht kësaj periudhe duhet t’i referohemi për të kërkuar shfaqjen e parë të ideve dhe bindjeve ideologjiko-kulturore që më pas do të përbënin thelbin e Rilindjes së mirëfilltë.

Në fakt, duke e vëzhguar dy shekuj më pas, kontributi që intelektualët arbëreshë të fillimit të shek. XIX i dhanë procesit të krijimit të identitetit kombëtar shqiptar, shfaqet me të vërtetë befasues. Kjo jo vetëm nga pikëpamja sasiore, e as vetëm nga pikëpamja letrare, sikundër mendohet rëndom, por kryesisht nga ajo ideologjike falë ngjizjes së disa nocioneve dhe paradigmave, si lashtësia historike, veçoritë etniko-kulturore, identiteti gjuhësor, ekzistenca e një pantheoni kombëtar etj., të cilat do të përbënin një sistem të mirëfilltë ideor, që fillimisht u përpunua në mjediset kulturore arbëreshe gjatë shekullit XVIII, më vonë u fuqizua ideologjikisht gjatë romantizmit, dhe më në fund kaptoi Adriatikun për t’u përhapur mes intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë gjatë gjysmës dytë të shekullit XIX.

Nuk është ky vendi për të rimarrë polemika tashmë të vjetruara, por në kuadrin e një rishikimi të pashmangshëm të historisë së ideologjisë kombëtare shqiptare, më lejoni të propozoj, në vija parimore dhe të përgjithshme, disa pika kyçe.

E para, vlen për të theksuar se në historinë kulturore të popujve nuk ka “kthesa” të befta, pra të tilla që të mos vijnë si vazhdimësi e natyrshme, logjiko-praktike, në rrjedhën historike të proceseve përkatëse. Ashtu si në shkencat natyrore, edhe në ato humane sentenca leibniziane natura non facit saltus ka rëndësi epistemologjike të dorës së parë. Për pasojë, nuk është argument historikisht serioz por, përkundrazi, përbën një interpretim krejtësisht të gabuar, teza që ia njeh meritën e “kthesës” kombëtare shqiptare pamfletit që Sami Frashëri botoi në vitin 1899, pra në prag të shek. XX, në Bukuresht. Siç dihet tashmë, qysh para Kongresit të Berlinit dhe para Lidhjes së Prizrenit panë dritë jo një, por shumë manifeste politiko-ideologjike që evokonin nacionalizmin shqiptar dhe kërkonin pavarësinë e trojeve ku banonin shqiptarët. Mes tyre kujtojmë veprën e shkruar frëngjisht nga Pashko Vasa me titull La vérité sur l’Albanie et les Albanais, e cila, meqë u botua në vitin 1879 në Paris, pra fill pas Kongresit të Berlinit, na detyron ta zhvendosim vëmendjen në një periudhë më të hershme, që vërtet shënoi një përparim të dukshëm në ndërtimin e diskursit nacionalist shqiptar.

Pika e dytë merret me një çështje që në pamje të parë është e natyrës metodologjike, por që në thelb ka synime ideologjike: praktika e përshtatjes së modeleve interpretuese që janë krijuar për të studiuar realitete shoqërore specifike të Europës së Lindjes, duke ia veshur ato pa asnjë qasje kritike realitetit kompleks ballkanik të periudhës në kapërcyell të shek. XIX-XX, nuk mund të përligjet ndryshe veçse me synimin për t’i dhënë një drejtim të paravendosur arbitrarisht rezultateve të kërkimit. Për më tepër, përshtatja e modeleve të tilla dhe injorimi i analogjive me zhvillimet historike të vendeve fqinje, siç është p.sh. rasti i formimit të mendimit politiko-ideologjik në mjediset italiane të rilindasve grekë të cilët, duke jetuar jashtë Ballkanit, gjatë shekullit XVIII pergatitën revolucionin në Greqi, nuk mund të mos ngjallë dyshimin, se p.sh., në disa interpretime të historisë së nacionalizmit shqiptar propozuar të propozuara vite më përpara fshehen në vetvete të tjera synime, që nuk përkojnë madje as me modelet teorike mbi të cilat autorët thonë se janë mbështetur.

Nuk është vendi këtu të shtjellojmë hollësisht këtë aspekt që lidhet me diskutimin e teorisë së përpunuar nga Miroslav Hroch dhe që më pas u rimor nga Eric J. Hobsbawn, por një gjë duhet ta themi: as Hroch as Hobsbawn nuk do ta kishin pranuar idenë e copëzimit të rrjedhës historike, sikurse bëhet në interpretimet të sapopërmendura, duke mohuar a duke lënë në harresë periudhën e gjatë të përpunimit të miteve dhe të simboleve që hodhën bazat e diskursit kombëtarist shqiptar jashtë trojeve etnike ballkanike.

Përkundrazi, në mbështetje të modelit të tyre teorik, ata do të kërkonin dëshmi e prova të ekzistencës së kësaj faze të parë të themelimit të kategorive themelore, pa të cilën nuk do të kishim dy fazat e tjera të zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare. Etnia, gjuha, gjaku, prejardhja, përkatësia, feja, këto janë elementet pa të cilat asnjë lëvizje kombëtare nuk do të ishte zhvilluar dot.

Dhe më në fund, pika e tretë: Mospërfillja e historisë kulturore arbëreshe të shek. XVIII gjatë shqyrtimit të origjinës së nacionalizmit shqiptar ka tiparet e një manipulimi të mirëfilltë. Në fakt gjatë shekullit XVIII lind dhe zhvillohet prirja dhe interesi ndaj koncepteve identitet, popull, etni, mbi të cilat do të shartohet më pas ajo që historiani italian Federico Chabod e ka quajtur “ideja e zhvilluar e kombit”. Mohimi i këtij fakti do të na shpinte pashmangshëm në përsëritjen e po atyre interpretimeve të gabuara që ende sot pengojnë kuptimin e drejtë të vetëdijësimit kombëtar të shqiptarëve si dukuri historike.

Shpesh e quajtur si “folkloristike”, si fryt i pavetëdijshëm i përpjekjeve të disa intelektualëve europianë në kërkim të veçantive të popujve përkatës, faza pas-iluministe dhe para-romantike që shoqëron zhvillimin e koncepteve të kombit dhe të shtetit, të identitetit kombëtar dhe të popullit e që paraprin lindjen e nacionalizmave si reagim ndaj regjimeve absolutiste të dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XIX, fshihet njëanshëm nga horizonti i studimit të kësaj dukurie historike. Historia, sikurse thuhet zakonisht me një shprehje gjermane, është një fortlaufendes Kontinuum, një lumë i pashtershëm që formon shkulm pas shkulmi një oqean të madh.

Mjeshtëria e historianit, sikurse thoshte Roland Barthes, nuk mund të ngatërrohet, as me atë të magjistarit e as me atë të priftit, të vetmit që falë frymës së shenjtë kanë të drejtën t’i qëndrojnë besnikë një skeme dogmatike, të pranojnë çka përputhet me të dhe të hedhin poshtë gjithçka që i bie ndesh asaj. Detyra e historianit është t’i gjejë rrënjët dukurisë që studion, të zbulojë shkaqet, të shpjegojë dinamikat, të përshkruajë shndërrimet, e t’i bëjë këto duke respektuar atë kuadër epistemologjik që njeh te koha paradigmën e madhe të vijimësisë. Këtë rezultat po synojnë të arrijnë aktivitet kërkimore që gjatë këtyre dekadave kanë kryer dy katedrat albanologjike të Kozencës dhe të Palermos.

Është një rezultati i cili ka karakter epistemologjik, sepse ka të bëjë me nevojën e ndryshimit a të përditësimit të kufijve kohorë të Rilindjes kombëtare në tekstet akademike dhe shkollore shqiptare. Rilindja nuk lindi ashtu papritur si kërpudhë pas shiut nga një qarkore a nga një letër personale që dikujt iu shkrep t’i shkruante të nipit një ditë të bukur aty nga mesi i shek. XIX, por ishte rezultat i një procesi të gjatë ideologjik që e zuri fillin më se një shekull para lindjes së Romantizmit. Pak rëndësi ka se ç’emër do t’i vëmë (post-iluminizëm a pre-romantizëm), kryesorja është që, siç thoshte Antonino Guzzetta dhjetë vjet më parë, kjo e vërtetë e cila tashmë ka dalë në dritë të diellit, të pranohet edhe nga historiografia shqiptare.

PS: Nga konferenca shkencore “Rrugëtimi shqiptar për Pavarësinë”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë