Vende dhe Udhetime

Restoranti i vogël ukrainas që ia doli…

Në një histori frymëzuese, një zinxhir i vogël ushqimesh deti ka sfiduar luftën dhe është zgjeruar në Moldavi dhe Rumani.

Nga Paula Erizanu - Biznesi i fundit që mendohet se mund të lulëzojë në kohë lufte është një restorant. Por, në një mbrëmje të së premtes, e gjej veten në prezantimin e një pjate të re në një restorant ukrainas të quajtur “Chernomorka” (Deti i Zi) në Kishinau, Moldavi.

Stafi përbëhet kryesisht nga refugjatë ukrainas; klientët janë vendas dhe ukrainas. Çadrat dhe shezllonet e plazhit lajmërojnë hyrjen, ku njerëzit rreshtohen për të provuar specialitetet e restorantit. Ulur para kuzhinës së hapur, shikoj menunë, ku habitem kur shoh ushqimin kryesor moldav mămăliga (polenta) me djathë deleje të servirur me midhje, kallamarë ose kërminj të pjekur ukrainas.

40-vjeçarja Olga Kopylova është themeluesja e restorantit e cila ka kaluar gjashtë muajt e fundit duke zgjeruar zinxhirin e saj të restoranteve nga Ukraina në Moldavi, Rumani dhe më gjerë. Por ajo tashmë po mendon për projektin e saj të radhës, Kozy, "qyteti i dhive": një qytet i vogël ku do të jetojnë dhitë, i pajisur me postën, monedhën dhe bashkinë e tyre, në fshatin moldav të Pohrebea, 35 km nga Kishinau. Ajo më fton të vizitoj kantierin të nesërmen dhe më prezanton me personin që do të më çojë atje, Ivanin, drejtorin teknik të zinxhirit të restoranteve.

Një 35-vjeçar energjik, Ivan ulet pranë meje ndërsa unë jam duke pritur për ushqimin tim. E pyes se nga është. Ai më thotë se ka lindur në Luhansk, por kohët e fundit ka jetuar në Hostomel, afër Kievit, "pikërisht aty ku filloi lufta".

Themeluesja e Chernomorka Olga Kopylova: "Njerëzit na mbështesin sepse duan të ndihmojnë Ukrainën"

Muzika në restorant dëgjohet mirë, duke alternuar mes popit bashkëkohor amerikan dhe këngëve të vjetra ruse. Kjo e fundit më duket shqetësuese dhe e ndaj mendimin me Ivanin.

“Gjuha ime amtare është rusishtja dhe i kam parë të dyja anët e luftës”, më thotë ai. “Kam të afërm në të dy vendet... Epo, tani nuk kam më”, korrigjon ai veten. "Ne kemi ndërprerë komunikimin që nga lufta".

Kjo është hera e dytë që Ivan ikën nga sulmi i Rusisë. Ai drejtoi një shtypshkronjë në Donetsk deri në vitin 2014, kur për herë të parë shpërthyen luftimet në Ukrainën lindore.

“Unë u tmerrova nga lufta dhe mbeta vetëm me një çantë sportive”, thotë ai. Nëna e tij është ende në Luhansk dhe sapo ka mbyllur biznesin e saj të mobiljeve.

Të nesërmen në mëngjes, Ivan ndan pjesën tjetër të historisë së tij ndërsa udhëtojmë për në Pohrebea.

“Gruaja ime ishte tetë muajshe shtatzënë në shkurt. Ajo ka një sëmundje të zemrës, ndaj e kishim rregulluar lindjen me një nga kardiologët më të mirë në vend. Në vend të kësaj, na u desh të iknim në Ukrainën perëndimore pasi kaluam tre javë në një bodrum nën bombardime dhe ajo lindi në një spital të vogël, ku disa gra lindën nëpër korridore. Tanket ruse ishin parkuar jashtë, duke përdorur spitalin si mburojë”.

Pasi vajza e tyre lindi, Ivan donte të largonte familjen e tij jashtë vendit përmes një korridori të gjelbër të koordinuar midis Rusisë, Ukrainës dhe Kryqit të Kuq. Por ura ku ata po planifikonin të kalonin shpërtheu para tyre. Kështu pritën derisa u krijua një korridor tjetër. Gruaja e tij do ende të kthehet, por Ivan nuk dëshiron që fëmijët e tij të shohin luftën. Dhe nëse kthehet, nuk do të lejohet të largohet më nga Ukraina, si një njeri në moshë luftarake; ai mundi të ikte vetëm për shkak të problemeve të foshnjës dhe gruas së tij.

Para pushtimit rus të Ukrainës, Chernomorka kishte 40 degë dhe planifikon të hapë 18 të tjera.

Ndërsa Ivani më tregon historinë e tij, ne udhëtojmë me "paqeruajtësit" rusë në lumin Nistru (Dniester) që ndan Moldavinë dhe rajonin separatist të Transnistria, ku 1500 trupa ruse janë vendosur që nga lufta e vitit 1992 midis Kishinevit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska. (Pavarësisht se ndodhet në bregun e majtë me Transnistrinë, Pohrebea kontrollohet nga Moldavia).

"Ata tashmë më njohin mua", thotë Ivan. “Kur kaloj pranë tyre, luaj himnin e Ukrainës”. Ushtarët na ndalojnë për të kontrolluar letërnjoftimet dhe makinën tonë. Më kapin të dridhura teksa shoh armët e tyre dhe flamurin rus të qepur në uniformën e tyre.

I them Ivanit se ndoshta do ta filloj pjesën me historinë e tij.

 "Lufta dhe biznesi"... këto janë dy histori të ndryshme”, përgjigjet ai. Por kjo është pikërisht ajo që më tërhoqi tek Chernomorka. Në vend që të falimentojë nga lufta, një biznes po zgjerohet ndërkombëtarisht. Gjithashtu çfarë i lidh ushqimet e detit me dhitë?

Në Pohrebea, na përshëndesin Kopylova dhe partneri i saj vendas, arkitekti moldav Serghei Mîrza, i cili më çon në një xhiro në kantierin e ndërtimit, nëpër kasolle të vogla të bardha të ndërtuara me baltë.

"Fillimisht, mendova se kjo ishte një shaka", më thotë një nga ndërtuesit, "por e shoh se po bëhet serioze".

Planet e arkitektëve për qytetin Kozy.

Kopylova tregon sallonin e bukurisë së dhive, stadiumin sportiv, komisariatin. Pranë tyre, do të ketë një restorant Chernomorka dhe, lart në kodër, një vend i mrekullueshëm ku vizitorët mund të qëndrojnë gjatë natës.

"Është si një vend brenda një vendi", thotë Kopylova.

E pyes se si e lindi ideja.

“Ne kemi një vend të ngjashëm në Mykolaivka. Teksa hapja restorantin atje, pashë një dhi të bukur në një kodër dhe mendova se do të ishte mirë të kisha një dhi në restorant, të shëtiste. Më pas ne e morën atë. Tani kanë 140 dhi atje. Me mbylljen e restorantit për shkak të granatimeve, Kopylova do të sjellë 40 nga ato dhi në Pohrebea dhe do t'i dërgojë të tjerat në një vend të ri në Bukovel, Ukrainë. Kozy pritet të hapet në shtator. Katër vende të tjera për prodhimet e detit do të pasojnë në Poloni dhe Gjermani.

E lindur në qytetin e vogël Balaklava në Krime, Kopylova filloi si kamariere. Në vitin 2004, ajo vendosi të provonte fatin e saj në kryeqytetin e Ukrainës.

"Unë arrita në Kiev me disa qindarka dhe një fëmijë", thotë ajo. Duke u ngjitur në pozicione menaxheriale në restorante, ajo gjithashtu shiste kuti me ushqim deti nga shtëpia.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush do të paguante për midhjet”, thotë Kopylova.

"Në Krime, njerëzit preferojnë mishin më shumë se peshkun, kështu që unë kam kapur midhje vetëm kur isha adoleshent kur na mbaruan të gjitha ushqimet tona".

Në vitin 2013, ajo hapi tavernën e parë Chernomorka në Kiev. Por vitin e ardhshëm, pikërisht teksa po shijonte frytet e sukseseve të saj të para si biznesmene, Rusia aneksoi Krimenë. Kopylova nuk u pengua. Ajo ndryshoi burimin e saj të ushqimeve të detit në Odesa dhe që atëherë nuk është kthyer më në Krime.

Kopylova duket se lulëzon në fatkeqësi. Zinxhiri i saj u rrit gjatë Covid-19, duke kaluar në një skemë të madhe shpërndarjeje. Deri në shkurt të këtij viti, Chernomorka kishte 40 degë dhe kishte plane për të hapur 18 të tjera. Pastaj Rusia pushtoi Ukrainën.

"Shqetësimi im i parë ishte të largoja vajzën time nga vendi im", pranon Kopylova. “Pastaj pyeta stafin tim se kush donte të qëndronte në Ukrainë dhe kush donte të ikte, në mënyrë që ne t'i ndihmonim ata të largoheshin”.

Kozy, "qyteti i dhive" është një ide nga restoranti i ushqimeve të detit Chernomorka.

Ata që qëndruan filluan të sigurojnë ushqim për njerëzit që fshiheshin në metronë e Kievit, si dhe për ushtarët dhe të moshuarit, diçka që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në prill, ndërsa luftimet u zhvendosën drejt lindjes, restorantet filluan të rihapen, duke punuar me kapacitet 70 për qind.

Ndërkohë Kopylova ka udhëtuar mijëra kilometra nëpër Europë për të zgjeruar zinxhirin e saj.

"Ne jemi gati të bëjmë peshk për të gjithë botën në mënyrë që Ukraina të fitojë" është një nga sloganet e Chernomorka. Ekipi mbështetet në investime nga europianë të tjerë, si dhe nga emigrantët ukrainas.

"Njerëzit na mbështesin sepse duan të ndihmojnë Ukrainën", thotë Kopylova.

Nga ana e saj, Chernomorka përpiqet të ndihmojë azilkërkuesit ukrainas të cilët nuk janë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre jashtë vendit. Ish mësues, punonjës administrate dhe inxhinierë po punojnë tani si kamerierë, kuzhinierë dhe pastruese në restorantet në Moldavi dhe Rumani.

Kopylova pranon se nuk ka pasur shumë kohë të mendojë për luftën por ajo që di është se secili prej tyre po lufton në mënyra të ndryshme.

Burimi: Financial Times. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë