Nga Gazeta ‘Si’– Kur Emmanuel Jonathan Okello vendosi të hapte një restorant, ai e dinte saktësisht çfarë do të kishte në menu: Rolex-e.
“Ekziston një shprehje e zakonshme: në Ugandë, ne nuk e mbajmë Rolex-in në dorë. Ne e hamë atë,” tha ai.
Sot, kjo është kthyer në një pjatë kombëtare në vendin e Afrikës Lindore dhe madje edhe më gjerë. Ushqimi i thjeshtë i rrugës e ka marrë emrin, sipas Okellos, nga mënyra se si përgatitet: vezë të mbështjella me bukë chapati indiane.
“Rolex është një fjalë që vjen nga ‘rolled eggs’ (vezë të mbështjella),” shpjegoi ai. “Njerëzit që e krijuan morën chapati-n, që fillimisht u soll nga indianët, dhe nisën të fusnin omletën brenda. Pastaj e mbështillnin kur e shërbenin. Kështu, për mungesë të një fjale më të mirë, njerëzit filluan ta quanin rolex.”
Chapati-t mbërritën në Ugandë me indianët, të cilët britanikët i sollën për ndërtimin e hekurudhave në fillim të shekullit të kaluar. Ushqimi indian u bë veçanërisht popullor në rajonin Busoga, pranë kufirit me Kenian.
Me kalimin e kohës, ugandezët e përshtatën chapati-n sipas shijes së tyre- pak më të butë, por me skaje më krokante.
Disa thonë se është më afër parathas indiane, por përbërësit bazë mbeten të njëjtë: miell gruri, kripë, ujë i vakët dhe pak vaj. Brumi rrotullohet në toptha dhe piqet në një pllakë të rrumbullakët si petull.
Ajo që nisi si ushqim i lirë për punëtorët në lindje të vendit, sot gjendet në çdo treg të Ugandës, por edhe në kafene moderne e restorante luksoze me tarraca në vende të tjera.
Kalimi nga ushqim rruge në pjatë kombëtare erdhi kryesisht falë studentëve. Një rolex në rrugë kushtonte rreth 20 centë amerikanë- perfekt për buxhetin e një studenti dhe mjaftueshëm i ngopshëm për të kaluar ditën.
Kështu e zbuloi edhe Okello këtë ushqim dhe u dashurua me të.

“Menduam se mund të bënim gjithçka”
Uganda tashmë organizon një festival vjetor kushtuar rolex-it për të festuar ushqimin e saj kombëtar të rrugës.
Në versionin më tradicional, vezët rrihen dhe gatuhen në formën e një omlete të hollë. Omleta vendoset mbi chapati, shtohen lakër dhe domate, dhe më pas gjithçka mbështillet si ërap.
Zbulimi i madh për Okellon ndodhi gjatë një udhëtimi në Jinja, pranë burimit të Nilit, ku takoi një shitës rruge që shtonte mish të skuqur stomaku në mbushje.
“Dhe më pëlqeu shumë,” tha ai. “Aty mendova se mund të bënim gjithçka me rolex-in.”
Ai nisi të shkruante kombinime të ndryshme: rolex me sallam viçi, mish pule me salcë, curry, bacon, avokado, mish të grirë- pothuajse çdo kombinim të mundshëm.
Për ata që nuk dinë çfarë të zgjedhin, restoranti i tij ofron “Chef’s Special”, një rolex me gjithçka brenda.
“Madje njëherë bëmë edhe rolex me fruta,” tha ai. “Nuk pati shumë sukses sepse ugandezët nuk eksperimentojnë shumë me ushqimin, ndaj e hoqëm nga menuja. Por kishte disa që e pëlqenin.”
Restoranti i tij, me emrin domethënës “The Rolex Guy”, mbush një boshllëk në treg: më cilësor se shitësit e rrugës, por jo aq i shtrenjtë sa restorantet luksoze. Rolex-i më i pasur në menu kushton rreth 5.50 dollarë.
Një pasion kombëtar
Autori Jonathan Kabugo ka shkruar një libër të tërë gatimi me titull “How to Rolex”, ku sjell versione kreative të recetës klasike.
Sipas tij, rolex solli një revolucion në kuzhinën ugandeze. Tradicionalisht, shumica e ushqimeve në Ugandë përbëheshin nga mish ose perime me salcë, të shoqëruara me shumë karbohidrate si bananet ose zhardhokët.
Rolex-i e bëri ushqimin më praktik, duke i mbështjellë të gjitha në një vakt të vetëm që mbahet në dorë.

“Kjo është arsyeja pse u bë kaq popullor mes studentëve të Universitetit Makerere në vitet 1990,” tha Kabugo. “Është i shpejtë, praktik dhe nuk kërkon ndonjë aftësi të jashtëzakonshme për t’u përgatitur.”
Ai shton se rolex-i u dha mundësi shumë të rinjve të hynin në biznes dhe të siguronin jetesën.
Ndërkohë, receta vazhdon të evoluojë bashkë me kulturën ugandeze. Në Kampala jetojnë komunitete të mëdha etiopiane dhe eritreane, të cilat kanë filluar të bëjnë rolex me shiro- një gjellë kremoze me qiqra ose fasule të bluara.
60 milionë njerëz nuk mund të gabojnë
Në kafenenë moderne Endiro Coffee shërbehet një rolex i frymëzuar nga sallata greke, me domate të thata, ullinj, spinaq dhe djathë feta.
Ndërsa Okello po eksperimenton me një “pizza rolex”, ku chapati pritet dhe përzihet me vezët për të krijuar bazën e picës.
Pjata është përhapur në të gjithë Afrikën Lindore- nga Kenia te Ruanda dhe Burundi- por është Uganda ajo ku rolex-i është kthyer në simbol kombëtar.

“Nuk ka asgjë që përfaqëson më shumë kuzhinën ugandeze sesa rolex-i,” tha Fathi “Chef Coco” Reinarhz, një shef kuzhine i lindur në Burundi dhe rritur në Belgjikë.
Në restorantin e tij Epicure në Johannesburg, ai përgatit një version ku vezët zihen, grihen dhe përzihen me mish të grirë me curry, përpara se të mbështillen në chapati.
“Kur sjell kuzhinën e atij rajoni, duhet patjetër të kesh rolex-in,” tha ai. “Është si të kesh një restorant italian pa pica ose pa makarona.”
Sa i përket ngatërrimit me orët luksoze Rolex, Kabugo thotë se emri tashmë është bërë pjesë e identitetit ugandez.
“Janë 60 milionë njerëz -çfarë mund të bësh?” tha ai duke qeshur. “Mendoj se kompania duhet të ndihet e nderuar që emri i saj u bë kaq popullor.”// Marrë nga CNN
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje