Gazeta Si – Për herë të parë që nga arrestimi i tij, Ilir Beqaj ka dalë jashtë kafazit në seancën gjyqësore. Në Gjykatën e Posaçme, për procesin e “Sterilizimit”, ai është ulur në krah të avokatit të tij, ku po gjykohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjykata argumentoi se Beqaj në këtë proces ka masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, se është vetëm një i pandehur dhe se në vijimësinë e procesit nuk është shfaqur ndonjë specifikë që të cenojë sigurinë.
Për shkak të masës së butë ndaj Beqajt tek “Sterilizimi”, as prokurori i çështjes nuk pati kundërshti për nxjerrjen nga kafazi, por i kërkoi gjykatës të mbajë parasysh faktin se masa “arrest në burg” është për një tjetër çështje.
Ky ndryshim vjen pas kërkesave të vazhdueshme të Beqajt për të dalë nga kafazi me argumentin se nuk mund të bënte një mbrojtje efektive.
Ndërsa e njëjta kërkesë i është refuzuar ish-presidentit Ilir Meta dhe kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Sa i takon gjyqit, përmes avokatit të tij, Beqaj kërkoi pushimin e çështjes, ose pezullimin e saj dhe dërgimin për interpretim në Kushtetuese.
“Beqaj nuk mund të merret i pandehur për akuza që nuk janë formësuar në formën e kërkuar nga ligji. Kërkojmë kontroll incidental kushtetues. Kërkojmë pushim të menjëhershëm të çështjes, pezullim të gjykimit dhe dërgim në Kushtetuese”, tha avokati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje