Treg

Rënia e euros/ Eksportuesit: Po mbijetojmë. Kemi nisur shkurtimin e vendeve të punës. Do ketë protesta!

Nga Gazeta ‘Si’ - Eksportuesit, të dorëzuar përballë ecurisë së kursit të këmbimit, tashmë ndihen me lakun në fyt prej kostove të prodhimit në rritje dhe rënies së ndjeshme të fitimeve.

Bilancet e para të humbjeve të cilat llogariteshin në rreth 7 mijë euro atëbotë kur monedha nisi luhatjet e para, tani janë thelluar në rreth 50 milionë euro.

LEXO EDHE:
Si u prekën bizneset nga rënia e euros në Shqipëri/ Çmimet e importit ranë, por ato të prodhimit u rritën ndjeshëm, përfshi ushqimet

Prishja e ekuilibrit relativisht të qëndrueshëm euro/lek në nivele të tilla i gjeti të papërgatitur për t’u përballur me pasoja të tilla, të cilat ata i konsiderojnë fatale.

Sektori manifakturë i veshjeve dhe këpucëve, që numëron rreth 200 mijë të punësuar, përllogaritet me humbjen më të lartë.

“Dëmi ekonomik në këtë sektor ka filluar të thellohet që në muajin janar, ndikuar nga rritja e kostove të punës. Në këtë situatë humbasim konkurrueshmërinë”, thotë për Gazetasi.al Edvin Prençe, Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport, ndërsa shton se sipërmarrësit e kompanive eksportuese po rishikojnë shkurtimet e punonjësve.

Prençe thekson se dëmi ekonomik shkaktuar nga kursi i këmbimit përllogaritet në rreth 50 milionë euro

Shkurtimet e punonjësve kanë nisur

“Shkurtimet e vendeve të punës kanë filluar ndjeshëm në zonat rurale (Krujë, Laç, Fushëkrujë, Lezhë). Fillimisht me pezullim të përkohshëm të disa linjave prodhuese që detyrimisht në rast se nuk ka një reflektim dhe mbështetje nga qeveria, do mbyllen përfundimisht”, vëren Prençe mandej.

Pas një situate të vështirë të rekrutimit të punonjësve, për të dhe eksportues të tjerë, shkurtimi i vendeve të punës është hapi i parë drejt falimentimit.

Shumë sektorë të kësaj industrie kanë nisur t’i adresojnë punonjësit drejt zyrave të punës për asistencë. Pas shtatorit pritet që një një pjesë tjetër të reduktojnë linjat ose të diversifikojnë biznesin.

Të njëjtën gjë ka deklaron edhe Filip Gjoka, kreu i Shoqatës së Bimëve Medicinale.

“Në rast se ne do të marrim masa për heqjen e punonjësve, të cilët mezi i kemi marrë nga India duke paguar një sërë kostosh dhe duke stabilizuar disi sektorin përsa i përket punësimit, do të ishte hapi i parë drejt falimentimit tonë”, thotë ai.

Sektori manifakturë i veshjeve dhe këpucëve përllogaritet me humbjen më të lartë.

Të gjendur në këto kushte, eksportuesit sugjerojnë një kurs hibrid ose një fashë të mbrojtur.

“Situata është e rënduar dhe mendoj që me këtë kurs këmbimi do na duhet të mbijetojmë për një kohë të gjatë. Në këto kushte duhet një ndërhyrje në optikën mikro/makro ekonomike për të krijuar stabilitetin e nevojshëm për sektorin që detyrimisht të orientohet në investime në automatizim, promovim, certifikim të bizneseve për t’i orientuar drejt Made in Albania dhe ndërhyrje emergjente për t’i dhënë frymëmarrje dhe likuiditetin e nevojshëm”, deklaron më tej Prençe për Gazetasi.al.

Në këtë hark kohor eksportuesit, të cilët e konsiderojnë vetën si “zemra e ekonomisë shqiptare” i janë adresuar për ndihmë jo vetëm qeverisë por edhe institucioneve përtej kufijve.

Muajin e shkuar shoqatat në një letër drejtuar FMN-së shprehën shqetësimin se nga luhatjet e kursit të këmbimit do të preken nga goditje të jashtme.

Në letër ata nënvizuan se forcimi i monedhës kombëtare nuk po vjen nga forcimi i ekonomisë së vendit për shkak të rritjes së produktivitetit, rritjes së konkurencës, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe të ardhurave nga remitancat.

Duke qenë e kundërta e vërtetë, sipas eksportuesve, luhatjet e përkohshme po i dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin.

Shoqatat paralajmërojnë protesta

Në mungesë të mbështetjes nga ana e qeverisë, shoqatat e eksportuesve paralajmërojnë protesta.

“Do lihet kohë deri në mesin e shtatorit për të parë si do jetë situata, së bashku me ata që do i bashkohen nismës tonë, në rast të mos mbështetjes së negociatave nga qeveria, mund të protestojmë në mënyrë paqësore para Bankës së Shqipërisë apo Kryeministrisë”, deklaroi Gjoka.

Ndërkohë Prençe vëren se në rast mosveprimi nga ana e qeverisë do të ketë jo vetëm rënie të eksporteve por edhe impakt social sidomos në zonat rurale ku nuk ka aktivitete të tjera ekonomike përtej këtij sektori me njerëz që sipas tij do dalin nga sistemi i punës dhe që e do e kenë të vështirë të riintegrohen më pas.

Kursi, ecuria dhe faktorët që ndikuan

Të premten e tetë shtatorit(kursi i fundit zyrtar nga Banka e Shqipërisë) euro e mbylli javën në 107.32 lekë duke humbur rreth 0.3 pikë krahasuar me një ditë më parë.

Rënia u rikthye pas një jave forcimi, ku monedha europiane arriti 110 kundrejt lekut, por nuk zgjati shumë. 

Në korrik, euro preku kufirin e 1=100 lekëve, por gushti, që ka edhe më shumë fluks turistësh, e përmirësoi. Turizmi përmendet si faktor kryesor i zhvlerësimit të monedhës europiane, por rritjet e shpeshta të euros brenda pak ditëve e vënë në dyshim këtë argument.

Ndonëse sezoni veror tipikisht ndikon në zhvlerësimin e monedhave të huaja, ky zhvlerësim në fakt pati nisur që në fillim të vitit.

Ekspertë të pavarur kanë folur për spekulim të qëllimshëm të kursit të këmbimit dhe për masë të parasë informale.Nga ana tjetër BSH-ja nuk parashikon stabilizim të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë