Treg

Nga largimi i brand-eve te shkurtimi i punonjësve, fasonet nuk po dalin nga kriza

Nga Gazeta ‘Si’-Pas humbjeve të mëdha nga rënia e euros, sektori fason tashmë po përballet edhe me shkurtimin e punonjësve.

Edvin Prençe, kryetari i Shoqatës “Pro Eksport Albania” deklaron se punonjësit e larguar nga industria janë mesatarisht rreth 30 në ditë, shifër kjo që po të llogaritet deri në fund të muajit është goxha e lartë dhe alarmante sipas tij.

Prishja e ekuilibrit euro/lek dhe largimi i disa markave të njohura drejt tregjeve afrikane apo aziatike me krah më të lirë pune janë faktorët negativë që kryesisht kanë ndikuar në këtë situatë.

“Shumë brand-e të huaja tashmë po largohen nga vendi ynë dhe ka një rënie drastike të porosive nga këto brande. Në korrik dhe gusht diferenca është në -27% të eksporteve shqiptare, referuar të dhënave të INSTAT për sektorin tonë.

Kjo shifër dyshifrore patjetër që është shumë e frikshme. Shumë magazina në nivel europian janë të tejmbushura dhe kanë materiale që nuk janë shitur. Gjithë këto handikape e problematika çojnë në reduktimin e porosive dhe mosmundësinë e bizneseve shqiptare të adaptohen me këto problematika”,- thotë Prençe.

Në fakt, shkurtimet e punonjësve ishin paralajmëruar që më herët dhe kishin nisur ndjeshëm së pari në zonat rurale, kryesisht në Krujë, Laç, Fushë Krujë dhe Lezhë.

Pas një situate të vështirë të rekrutimit të punonjësve, për të dhe eksportues të tjerë, shkurtimi i vendeve të punës është hapi i parë drejt falimentimit.

Bilancet e para të humbjeve të cilat llogariteshin në rreth 7 mijë euro atëbotë kur monedha nisi luhatjet e para, tani janë thelluar në rreth 50 milionë euro.

Sipas të dhënave nga INSTAT, eksportet për muajin gusht(të dhënat e fundit të disponueshme) kishin rënien më të madhe që nga pandemia.

INSTAT përmendi se ky është efekt i drejtëpërdrejtë i zhvlerësimit të euros në tregun vendas, por edhe nga rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve kryesore.

Sipas sektorit, ndërtimi dhe fasoneria ishin aktivitetet më të prekura nga kjo rënie, respektivisht me -14.3% dhe -3.8%.

Për t’u mbrojtur, eksportuesit kërkuan më herët nga qeveria një kurs hibrid.

“Duhet një ndërhyrje në optikën mikro/makro ekonomike për të krijuar stabilitetin e nevojshëm për sektorin që detyrimisht të orientohet në investime në automatizim, promovim, certifikim të bizneseve për t’i orientuar drejt Made in Albania dhe ndërhyrje emergjente për t’i dhënë frymëmarrje dhe likuiditetin e nevojshëm”, deklaroi Prençe për Gazetasi.al.

Në këtë hark kohor eksportuesit, të cilët e konsiderojnë vetën si “zemra e ekonomisë shqiptare” i janë adresuar për ndihmë jo vetëm qeverisë por edhe institucioneve përtej kufijve.

Para disa kohësh ata i dërguan edhe një letër FMN-së ku shprehën shqetësimin se nga luhatjet e kursit të këmbimit do të preken nga goditje të jashtme.

Në letër ata nënvizuan se forcimi i monedhës kombëtare nuk po vjen nga forcimi i ekonomisë së vendit për shkak të rritjes së produktivitetit, rritjes së konkurencës, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe të ardhurave nga remitancat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë