Ka ndodhur

Arrestohet autori i vrasjes së çiftit të moshuar në Dropull, Policia: Shkaku i krimit një konflikt i çastit

Gazeta Si - Thoma Mastora, 69 vjeç, dyshohet se është autori i vrasjes së çiftit të moshuar në Dropull, Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Policia e Gjirokastrës, thotë se në bazë të provave biologjike dhe shkencore, ka dalë në përfundimin e vrasësi është bashkëfshatar me viktimat.

Vrasja ka ndodhur për motive të dobëta dhe mosmarrëveshje të çastit mes autorit dhe viktimave, sipas drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa.

"Nga veprimet hetimore të kryera u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse. Nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjet dhe u sekuestrua dhe një vlerë rreth 5 mln lekë të reja që çifti kishte në banesë. U shoqëruan 35 persona, u kryen kontrolle, u bë eksperiment hetimor, Nga hetimet intensive u arrit të sqarohet motivi i ngjarjes dhe të dokumentimit autori i ngjarjes së rëndë,. Autori i këtij krimi dyshohet të jetë Thoma Mastora 69-vjeç banues po në këtë fshat. Ndalimi i tij u bë për veprën penale vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Konflikti është për motive të dobëta dhe mosmarrëveshje të mëprashme. Është për shkaqe të dobëta dhe konflikt i çastit. Janë sekuestruar prova dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi dhe është dërguar për ekzaminim", - deklaroi Ardian Çipa.

Sipas burimeve, autori i krimit makabër ditën e ngjarjes ka shkuar në banesën e çiftit të të moshuarve, aty ku dyshohet se edhe ka pirë kafe me këto të fundit dhe më pas i vrarë me sende të forta. E moshuara u gjet e pajetë në banesë, ndërsa 84 vjeçari u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tyre.

Për gjetjen e autorit policia kishte shoqëruar 35 persona, teksa janë sekuestruar dhe shumë sende në banesë, mes të cilave dhe ato me të cilat mendohet se është kryer dhe vrasja e dy të moshuarve.

Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në fshatin Brodishtë të Dropullit me sende të forta.

Policia nuk gjeti shenja të hyrjes me forcë në banesë, çka shtoi dyshimin e mëtejshëm se viktimat dhe autori njiheshin, kjo gjë u përforcua kur në shtëpi u gjetën dhe rreth 5 milionë lekë.

Çifti Ilia nuk kishin fëmijë biologjikë, por kishin një vajzë të birësuar të cilën nuk e kishin takuar prej 10 vitesh, e cila jetonte në Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë