Ne rrjet

Incidenti / Kush ishte Ebrahim Raisi dhe çfarë ndodh në Iran pas vdekjes së presidentit?

Gazeta Si - Ebrahim Raisi, 63 vjeç, fitoi zgjedhjet presidenciale të Iranit të vitit 2021, me një votë që regjistroi pjesëmarrjen më të ulët në historinë e Republikës Islamike.

Një figurë intransigjente, dikur kreu i gjyqësorit iranian, ai konsiderohet si një mbrojtës i Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, dhe disa analistë kanë spekuluar se ai mund të zëvendësojë liderin 85-vjeçar pas vdekjes së tij ose dorëheqjes nga posti.

Irani, jeta dhe karriera e Ebrahim Raisit

I lindur më 14 dhjetor 1960 në Mashhad, Raisi u rrit në një familje klerike dhe mori një arsim fetar. Siç raportohet nga Encyclopedia Britannica, supozohet se ai mori pjesë aktive në ngjarjet e viteve 1978-79 që çuan Shahun në mërgim dhe vendosjen e një sistemi qeveritar të bazuar në vizionin e Khomeinit, duke qenë se pas revolucionit iranian ai iu përkushtua deri në fillim të karrierës së tij për të mbështetur regjimin e sapolindur kundër opozitës së brendshme.

Në vitin 1985 ai u bë zëvendësprokuror në Teheran dhe në vitin 1988, gjatë luftës Iran-Irak, Khomeini urdhëroi ekzekutimin e mijëra të burgosurve politikë, të cilët ai i akuzoi për bashkëpunim me Irakun, duke emëruar Raisin në një komitet të ngarkuar me përcaktimin nëse të burgosurit ishin apo jo besnik ndaj qeverisë.

Për përfshirjen e tij në ekzekutimin masiv të mijëra të burgosurve politikë ai u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara. Pas ardhjes në pushtet të Ali Khameneit në vitin 1989, Raisi filloi ngjitjen e tij në sistemin gjyqësor iranian.

Pavarësisht pozicionit të tij të nivelit të lartë brenda regjimit, Raisi ka ndërtuar një imazh si kritik i qeverisë, parimor dhe i ashpër ndaj korrupsionit.

Ai u përplas me Hassan Rouhanin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, duke e kritikuar atë për përfundimin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore JCPOA (Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit).

Pas emërimit të tij në krye të drejtësisë në vitin 2019, Raisi ndoqi menjëherë çështje korrupsioni ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe biznesmenëve të shquar, ndonëse në mënyrë selektive.

Kur kandidoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, ai vazhdoi të pozicionohej si një mbrojtës kundër korrupsionit qeveritar dhe shprehu mbështetje për negocimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare bërthamore që merr parasysh interesat iraniane.

Si ka ndryshuar Irani nën drejtimin e Raisit

Nën drejtimin e Raisit, Irani pasuron uraniumin në nivele gati bërthamore dhe pengon inspektimet ndërkombëtare, forcon lidhjet me Kinën dhe besohet se ka armatosur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, si dhe ka nisur një sulm masiv me dron dhe raketa në Izrael gjatë luftës së tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Ai ka vazhduar gjithashtu të armatosë grupet në Lindjen e Mesme, si rebelët Houthi të Jemenit dhe Hezbollahun e Libanit.

Presidenca e Raisit dëshmoi gjithashtu protesta masive që shpërthyen në vitin 2022 mbi vdekjen në paraburgim të Mahsa Aminit, një kurdo-iraniane 22-vjeçare, e cila u arrestua me akuzën e shkeljes së kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë duke mos mbajtur shaminë në mënyrë korrekte. Vdekja e saj shkaktoi një valë protestash brenda dhe jashtë vendit, të cilat u shtypën ashpër brenda vendit.

Çfarë ndodh në Iran në rast të vdekjes së presidentit

Pas konfirmimit të vdekjes, së Ebrahim Rais gjatë rrëzimit të helikopterit, ngjarje që ndodhi pranë Jolfës, një qytet në kufirin midis Iranit dhe Azerbajxhanit, sipas kushtetutës iraniane do të hapej një periudhë e ashtuquajtur 50-ditore.

Këto janë 50 ditët e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të reja, ku zëvendëspresidenti Mohammad Mokhber Dezfuli do të merrte përkohësisht përgjegjësitë e qeverisë.

Në këtë periudhë kohore formohet një komision – i udhëhequr nga nënkryetari, kreu i gjyqësorit dhe kryetari i Kuvendit – i cili ka për detyrë të udhëheqë vendin drejt votimit.

Në këto orë të pasigurta, shumë njerëz po pyesin nëse Ayatollah Khamenei ka në mendje një njeri të aftë për të zëvendësuar Raisin shumë besnik.

Profesori iranian i shkencave politike në Universitetin e Tenesit (SHBA) dhe ekspertin për Lindjen e Mesme, Saeid Golkar: "Unë nuk mendoj se Khamenei ka një emër në kokën e tij, por ka njerëz që do të përpiqen të kandidojnë për një rol të tillë të rëndësishëm, si kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ish-kreu i IRCG-së, Mohassen Rezaee”.

Të dy tashmë janë përpjekur në të kaluarën të prezantohen për rolin presidencial, duke kaluar gjithashtu kontrollin e ashpër të Këshillit të Gardës - një instrument në duart e liderit suprem - por ata kurrë nuk kanë marrë vota të mjaftueshme.

“Një tjetër që mund të propozojë veten është edhe ish-kryetari i Kuvendit, Ali Larijani, por ai nuk e ka kaluar asnjëherë provimin e Këshillit”.

Është e qartë se vetëm emrat e miratuar nga Ajatollahu konkurrojnë në garën presidenciale, pranda: asnjë kundërshtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë