Bota

Iran, aksidentohet helikopteri i presidentit Raisi. Ende mister fati i tij. Khamenei: Shpresojmë të kthehet

Gazeta Si - Në Iran, një helikopter me presidentin e vendit Ebrahim Raisi u përfshi në një aksident misterioz dhe iu desh të bënte një ulje emergjente.

Mediat raportojnë se vendi është në ankth për presidentin e Republikës Islamike, i cili po udhëtonte në provincën e Azerbajxhanit Lindor.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei shprehu shqetësimin për incidentin. "Shpresojmë që Zoti ta kthejë presidentin e nderuar dhe shokët e tij në krahët e kombit, - tha ai sipas Al Jazeera-s. - Të gjithë duhet të luten për shëndetin e këtij grupi punonjësish publikë. Kombi iranian nuk duhet të shqetësohet, atje nuk do të ketë ndërprerje në punën e vendit”.

Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve "Fars" u bëri thirrje iranianëve të luten për Ebrahim Raisi dhe televizioni shtetëror transmetoi lutje për presidentin iranian, fati i të cilit ende nuk dihet.

Televizioni shtetëror transmetoi gjithashtu imazhe të besimtarëve duke u falur në faltoren e Imam Rezait në qytetin e Mashhadit, një nga vendet më të shenjta në Islamin Shiit.

Raisi ishte nisur për të inauguruar një digë në lumin Aras së bashku me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Ministri i Brendshëm iranian, Ahmed Vahidi konfirmoi në televizionin shtetëror se një nga helikopterët në autokolonën që transportonte Raisin, pati një ulje të papritur, ndoshta për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Njëzet ekipe shpëtimi janë në veprim. Megjithatë, zona malore e mbuluar me pyje e vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit. Kolona përbëhej nga tre helikopterë, dy prej të cilëve mbërritën në destinacionin e tyre dhe njëri u rrëzua.

Zona malore, e mbuluar me pyje, vështirëson punën e dyzet ekipeve të shpëtimit të përfshira në kërkim. Një zëdhënës i shërbimeve iraniane të emergjencës deklaroi, në fakt, se shpëtimtarët nuk ishin në gjendje të arrinin në vendin e uljes emergjente të helikopterit.

“Një helikopter shpëtimi u dërgua në vendngjarje, por nuk u ul për shkak të mjegullës së madhe dhe u desh të kthehej prapa”, tha agjencia iraniane e lajmeve IRNA.

“Mjegulla është shumë e dendur në zonë”, shtoi zëdhënësi. Të gjitha burimet e ushtrisë u përdorën për operacionet e kërkim-shpëtimit. Në vendngjarje janë dërguar edhe tetë autoambulanca.

Një zyrtar anonim i tha agjencisë së lajmeve "Reuters" se jetët e presidentit iranian Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin "në rrezik pas rrëzimit të helikopterit".

“Ne kemi ende shpresë, por informacioni që vjen nga vendi i përplasjes është shumë shqetësues”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë