Rend dhe Ligj

KLP, Raporti: Kuvendi kundër përzgjedhjes së prokurorëve

Zëvendësimi i Antoneta Sevdarit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë me prokurorin Vatë Stakaj kontestohet si proces nga ana e strukturës së posaçme të Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni i Pavarur të Monitorimit, komision që ndjek mënyrën e plotësimit të institucioneve të reja të drejtësisë.

Anëtarja Antoneta Sevdari u shkarkua nga sistemi i drejtësisë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, duke bërë që të krijohet një vend vakant në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pas kësaj Prokuroria e Përgjithshme, caktoi Vatë Stakën prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, që ishte edhe kandidatura e vetme që kishte shprehur interes.

Komisioni i Pavarur ka kontestuar procedurën e mënyrës se si u realizua votimi, si dhe të caktimit të komisionit prej tre anëtarësh Anila Leka, Adnan Xholi dhe Arben Kraja. “Konstatohet se nga Prokuroria e Përgjithshme nuk është mbajtur në konsideratë rekomandimi i Komisionit të Pavarur të Monitorimit, sipas raportit datë 14.12.2018. Në gjykimin e Komisionit, fryma e nenit 114 të ligjit nr.115/2016 për zgjedhjen e anëtarëve të KLP, si dhe parimi i transparencës së plotë të procesit, kërkon që zgjedhja me short e komisionit të votimit, i cila ka autoritetin të administrojë procesin e votimit vetëm për atë mbledhje (është komision ad hoc) duhet të bëhet në të njëjtën mbledhje të Prokurorëve, në prezencë të tyre, sikurse ndodh në çdo proces votimi të një organi kolegjial”, thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta “Si”.

Mbi bazën e këtij përcaktimi Komisioni i Pavarur bën të ditur se i ka sugjeruar Prokurorit të Përgjithshëm, Arta Marku, ndryshimin e nenit 7 të Rregullores, në rastin më të parë të mundshëm, duke futur në mbledhje në të njëjtën ditë zgjedhjen me short të komisionit të votimit dhe të anëtarit të ri të KLP, duke qenë pjesë e rendit të ditës në mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve të datës 11 prill, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Ndërsa pasqyrohet edhe fakti që prokurori Sokol Malaj në mbledhje ka paraqitur një kërkesë me firmën e 45 prokurorëve ku kundërshtohej votimi vetëm me një kandidaturë, pa pasur një alternativë tjetër përballë Stakës. Malaj në mbledhje propozoi edhe ndryshimin e fletës së votimit, duke vendosur përkrah kandidaturës dy opsione të votimit “Pro” apo “Kundër”, si dhe propozonte ndryshimin e rregullores duke kërkuar që nëse paraqitet vetëm një emër për t’u votuar, do të shpallej fituese vetëm nëse votojnë pro më shumë se 50% të anëtarëve.

Por këto kërkesa u kontestuan nga kryeprokurorja Arta Marku pasi binin ndesh me ligjin. Në fund të procesit u konstua se nga 216 vota, 135 ishin pro Vatë Stakës, duke u cilësuar si i zgjedhur anëtar i KLP, ndërsa 81 vota u cilësuan si të pavlefshme.

Në raport theksohet se në kuptimin e ligjit numërimi i votave dhe shpallja e rezultatit merr kuptim të plotë kur në fletën e votimit ka më shumë se një kandidat dhe votuesi zgjedh midis tyre, pra fryma e ligjit kërkon më shumë se një kandidat për një të zgjedhur. Por komisioni vlerëson se kandidimi i një personi të vetëm nuk mund të përjashtohet si mundësi nga ligji, pra nuk mund të cilësohet si kundër me të, kur kandidatura plotësohet kriteret dhe është plotësisht i lirë.

Raporti për votimin e Vatë Stakës

Komisioni ka hedhur poshtë edhe propozimin e bërë nga prokurori Malaj për ndryshimin e Rregullores për zgjedhjen e kandidatit të vetëm me mbi 50% të votave, duke e cilësuar se nuk do të kishte bazë ligjore.

“Komisioni i Monitorimit rekomandon që gjithsesi miratimi i modelit të fletës së votimit me një kandidat, duhet të bëhen me dy kuti, ku mund të shprehet vullneti i zgjedhësit “Pro” ose “Kundër”. Pavarësisht se numri i votave kundër nuk ndikon në zgjedhjen e kandidatit, një mënyrë e tillë votimi do të shprehë saktësisht vullnetin e zgjedhësve dhe do të maste saktësisht mbështetjen e tyre për kandidatin e KLP”, thuhet në raportin e firmosur nga 5 anëtarët e kësaj strukture të posaçme që drejtohet nga Artan Spahiu.

Për debatin mbi Bujar Sheshin dhe verifikimin

Në një mbledhje të zhvilluar në mars të 2019, Komisioni ka shqyrtuar edhe rastin për anëtarin tjetër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshin, për të cilin ka pasur përplasje të mëdha institucionale, lidhur me faktin se Autoriteti i Hapjes së Dosjeve e ka cilësuar si të papërshtatshëm për të qenë pjesë e kësaj strukture, pasi figuron se ka qenë ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit. Nxjerrja e këtij fakti pasi Sheshi u bë anëtar i KLP-së u konsiderua si skandal nga opozita. Por anëtari i KLP-së mohoi akuzat, madje bëri kallëzim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve dhe Gjykata Administrative e Tiranës ia ka pranuar kërkesën duke shfuqizuar vendimin e marrë nga Autoritetit i Dosjeve. Ndërkaq ky institucion ka këmbëngulur në qëndrimin e tij, duke bërë të ditur se do ta ankimonte vendimin e Gjykatës Administrative.

Por Komisioni i Pavarur i Monitorimit i ka përcjellë KLP-së rekomandimin e posaçëm për rastin Sheshi, i vlerësuar nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve në kushtet e pazgjidhshmërisë. “Duke qenë se në dijeninë e Komisionit të Pavarur, KLP nuk ka asnjë procedurë të nisur, për shqyrtimin e rastit, Komisioni i Pavarur i kërkon kryetarit të KLP-së, të përcjellë informacionin në lidhje me rastin, të parashikuar si në kushtet e pazgjidhshmërisë. Komisioni vëren ligji “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” e ka referuar të plotë dhe pa pasur nevojë për interpretime, kompetencën për vendimmarrje në raste të pazgjidhshmërisë së një anëtari të KLP-së. Kur ligjvënësi ka vendosur procedurën për vendimmarrje në këto raste, ka pasur parasysh pikërisht një rast si ky, kur kushtet e pazgjidhshmërisë verifikohen jo gjatë fazës së kandidimit, por kur anëtari është në detyrë”, thuhet në raportin e komisionit të Posaçëm.

Mbi bazën e këtij dokumenti është rekomanduar që të realizohet procesi i verifikimit të Bujar Sheshit nga ana e KLP-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Kryeprokurorja Arta Marku e pyetur këtë të hënë në komisionin e Sigurisë në lidhje me prokurorin Sheshi, deklaroi se nuk pranon komentet, duke shtuar se ka “secili kandidat ka përgjegjësinë e tij”. “Unë kam bërë edhe i kam dërguar drejt Autoritetit të Dosjeve kërkesën për verifikimin e anëtarëve, me të njëjtën mënyrë kam vepruar edhe me zotin Sheshi, tashmë ‘topi’ është aty”, tha Arta Marku.

Raporti i Komisionit për vlerësimin e situatës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë