Lajme

Gara për kryeprokurorin, a po përplasen prokurorët me Arta Markun?

Në Tiranë u mblodh Asambleja e prokurorëve për të zëvendësuar Antoneta Sevdarin, e cila u shkarkua nga vetingu si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kandidat ishte Vate Staka, por në fillim të kësaj mbledhje u mësua ndryshimi i axhendës.

Vate Staka, kandidat për anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Prokurori Sokol Malaj në emër të 45 kolegëve që kishin firmosur një propozim dhe mori fjalën befasisht. “Duam ndryshim të rregullores për zgjedhjen e kandidatit të vetëm Vate Staka për në KLP. Në rregullore duhet të shkruhet që nëse ai merr 50 plus një për qind të votave përfaqëson vullnetin e prokurorëve në KLP dhe vetëm kështu quhet kandidat", tha ai. Mbledhja u ndërpre, pasi kjo kërkesë e gjeti të papërgatitur kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku, e cila komentoi: “Mund të kishit treguar”. Në fakt, e gjitha kjo mund të jetë një përplasje mes dy kandidatëve për prokuror të përgjithshëm. Nga njëra anë do të jetë Arta Marku që insiston të çojë në KLP Vate Stakën, i cili do të ishte një votë në favor të saj në këtë institucion të ri të drejtësisë kur të vijë radha për të votuar dhe nga ana tjetër kandidatët e tjerë potenciale.

Prokurori Sokol Malaj

Por ndërkohë askush deri më tani nuk ka dorëzuar kandidaturën për prokuror të përgjithshëm megjithëse KLP ka shpallur të hapur garën. Megjithëse afati do të jetë deri në fund të muajit prill, lëvizjet kanë filluar, disa hapur e disa nën rrogoz. Rregullorja e KLP thotë se pasi me votat e anëtarëve listohen dhe pikëzohen kandidatët, nëse nuk arrihet votimi në parlament, atëherë fiton ai që është renditur i pari.
Me rifillimin e mbledhjes pas 15 minutave pushim, Arta Marku dhe Sokol Malaj shkëmbyen replika të forta.

“Ka kërkesë për ndryshim tip të fletës së votimit. Ajo nuk mund të ndryshohet. Fleta e votimit ka vetëm një emër deri tani, gara ka qenë e hapur dhe mund të kishit kandidatura. Ankimimi mund të bëhet brenda afateve”, tha Marku. Por replikoi Malaj, i cili tha se ky është një parim kushtetues. "Kush është dispozita ligjore që thotë prokurorja e përgjithshme e Përkohshme”, shtoi Malaj, i cili kërkoi që për propozimin të votojë asambleja e prokurorëve, në të cilin marrin pjesë 205 prokurorë.

Por pavarësisht debateve, Vate Staka u votua si kandidat për në KLP. Ai mori 135 vota pro dhe 81 kundër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë