Arsimi

Raporti i KSHH: Korrupsion, para e seks në këmbim të notës në universitet

Që prej muajit tetor të vitit 2018 e deri përpara pak ditësh, Komiteti Shqiptar i Helinksit, ka ndërmarrë sondazhin “Të rinjtë luftojnë korrupsionin në arsimin e lartë”. Në bazë të kësaj iniciative qëndron një anketim që komiteti kreu ndaj 1799 studentëve të universiteteve të ndryshme në vend si “Aleksandër Moisiu” Durrës, “Luigj Gurakuqi” Shkodër, “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe “Ismail Qemali” Vlorë. Pjesa më e madhe e studentëve të anketuar, rezultuan në universitetin Aleksandër Moisiu, në Durrës me 28.57 përqind të totalit.

Përgjithësisht studentët i përkisnin 3 viteve të studimit në sistemin Bachelor. Ndërsa, lidhur me gjininë e të anketuarve, evidentohet se pjesa më e madhe e tyre ishin vajza me një numër prej 79.43%, ndërsa 20.57% studentëve ishin djem.

Komiteti u shpreh se anketa është kryer duke u mbështetur në disa pika kryesore, prej të cilave ka dalë në pah prezenca e korrupsionit në universitete. Anketimi i studentësh nga të gjitha universitetet, evidentoi se numri i studentëve që kanë njohuri për ligjin e arsimit ishte në nivele të ulëta. Një tjetër pjesë shqetësuese ishte edhe fakti se, studentët kanë angazhim të ulët në struktura dhe lëvizje studentore. Vetëm 3.61% e të anketuarve bëjnë pjesë në lëvizje studentore dhe 2.33 % në struktura si Këshilli Studentor. Rreth 45,2% janë shprehur se nuk kanë mundësi të kandidojnë lirisht si përfaqësues të Këshillit Studentor sa herë bëhen zgjedhje në Fakultet. Për sa i përket pjesës së njohurive mbi procesin e zgjedhjeve për këshillat studentorë, pjesa më e madhe e studentëve, gati rreth 58.8 përqind e tyre tregojnë se nuk kanë aspak njohuri. Ndërsa ndikimi politik për sa i përket këtyre zgjedhjeve ishte më i lartë në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i ndjekur me pas nga universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Në raport thuhet se të dhënat, tregojnë se minohet vazhdimisht besueshmëria, pavarësia dhe meritokracia e këtyre strukturave që duhet të zgjidhen me votë të lirë, të paanshme dhe të ndershme.

Është pozitiv fakti që rreth 72.4% të studentëve treguan se, për sa i takon respektimit të barazisë në procedurat e ndjekura nga universiteti, ose fakulteti. Por, praktikat profesionale dhe këshillimet e karrierës në universitet, aplikimet për bursat jashtë Shqipërisë dhe pjesëmarrjes në konferenca shkencore, ngelen ende në vend. Gjithashtu, vazhdon “saga” e literaturës. Rreth 43,1 përqind, e studentëve të anketuar pranojnë se përdorin literaturë të hapur për përgatitjen e tyre në kurset akademike, ndërkohë që 1 në 3 studentë pranojnë se përdorin literaturë të detyruar nga pedagogu i lëndës në përgatitjen për kursin.
Të dhënat kanë treguar gjithashtu se një pjesë e vogël e studentëve nuk e shohin vlerësimin e tyre në seminare, ndërsa rreth 47.7 përqind e tyre pohojnë se procesi i sekretimit në provimet e vlerësimit përfundimtar ndodh gjithmonë. Nga ana tjetër cilësohet se një numër relativisht i ulët i studentëve kanë përfituar nga procesi i rishikimit të notës, mbështetur kjo edhe nga 32,6% të cilët kanë përfituar nga ky proces me raste.

Një tjetër shqetësim i madh që është konstatuar në këtë anketë, është se pedagogët kërkojnë favore seksuale nga studentët. Konkretisht rreth 25% e studentëve (ose 1 në 4 studentë) të anketuar referuan se kanë qenë subjekt i kërkesave apo presioneve për favore seksuale nga pedagogët në këmbim të notës. Ndërkohë që gjysma e studentëve referojnë problematikën e mos respektimit të afatit të deklaruar për të marrë përgjigje lidhur me dokumentacionin që ata kanë kërkuar. Nga anketimi rezulton se studentët e shohin vetën rezistencë ndaj fenomeneve korruptive dhe besojnë se mund mbështeten tek instancat e larta të universitetit si Dekani dhe Rektori, ndërkohë që Media zë vendin kryesor, për reagimin ndaj korrupsionit.

Gjithashtu KShH, ka shprehur edhe disa rekomandime për universitetet për të rritur cilësinë e tyre akademike, por edhe të parandaluar këto fenomene aspak të këndshme. Disa nga rekomandimet janë:

1- U rekomandojmë universiteteve të përfundojnë hartimin e akteve dhe dokumentacionit ligjor që parashikohen në ligjin nr. 80/2015, në bazë universiteti dhe fakulteti.

2- Rekomandojmë përfshirjen e demokracisë elektorale si pjesë e Statutit, Rregullores, Kodit Etik ndërkohë që vlerësojmë shumë të rëndësishme hartimin e një Rregulloreje të Zgjedhjeve për Këshillat Studentore në nivel universiteti.

3- Rekomandojmë përfshirjen e detyrimit për hartimin dhe pajisjen e çdo studenti, qysh në momentin e aplikimit në universitetin përkatës, me Paketën e Studentit (nominale) që synon njohjen e studentit me kuadrin ligjor të institucionit (Ligji IAL, Statut, Rregullorja e brendshme, Kodi i Etikës, Rregullorja e Zgjedhjeve, etj). Pjesë e kësaj pakete mund të jenë edhe “Kazuset studentore” që do aftësonin studentët për tu praktikuar dhe përfshirë në jetën e përditshme akademike.

4- I rekomandojmë universiteteve të prezantojnë dhe të bëjnë transparente instrumentet e komunikimit me studentët që do të çonin në evidentimin dhe bërjen publike të ndryshimeve të dokumentave të mësipërm. Kjo do të kontribuonte në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së strukurave drejtuese të univesiteteve apo fakulteteve, njëkohësisht do t’iu japë studentëve mundësinë e ushtrimit të të drejtave të tyre më mirë. Forcimi i këtyre elementëve në IAL do të nxisë rritjen e integritetit dhe parandalimin e akteve korruptive.

5- I rekomandojmë universiteteve krijimin në ambientet e dukshme të fakulteteve të “Këndit të Lëgjislacionit Universitar”, pranë Zyrave të Informacionit si dhe të “Këndit Elektoral” për proceset e ndryshme zgjedhore në institucion. Këto kënde mund mund të shfrtëzohen nga studentët dhe stafet e fakultetit/universitetit.

6- Ndërsa vlerësojmë arritjet e deritanishme, rekomandojmë gjetjen e instrumenteve elektorale të reja që garantojnë votën e lirë dhe të ndershme në Këshillat Studentorë. Rritja e transparencës, qysh në procesin e aplikimit, zgjedhjet e anëtarëve dhe funksionimit të Këshillave do të rriste besimin e studentëve në këtë strukturë dhe do të shërbente si faktor i rëndësishëm dhe një mjet efektiv për përfshirjen dhe adresimin e problematikave të studentëve në vendimarrjen e IAL.

7- Rritja e transparencës dhe bashkëpunimit të Qëndrave të Karrierës me studentët për sigurimin e mundësive të barabarta për përfitimin e praktikave profesionale, bursave të studimit, pjesëmarrjes në konferenca për të gjithë studentët vlerësojmë se mund të shoqërohet ofrimin e informacionit me anë të një sërë burimesh, jo vetëm në fazën e hapjes së aplikimeve por për të gjithë procesin nga fillimi dhe deri në përfundim të tij (si psh, sa studentë aplikuan, kush fitoi, me cilin universitet, partnerët e huaj, nëse u vendosën ura bashkëpunimi, vlerësimet e përfituesve nga këto mundësi, vlerësime të zyrave të huaja të bashkëpunimit për studentë dhe pedagogët që përfituan në programe të tilla, etj).

8- Teksa vlerësojmë progresin institucional për standardin e cilësisë dhe transparencës në elementë të kurrikulës universitare, duke nxitur edhe nga problematikat e evidentuara gjatë “Coffe Hours” me studentët, KShh rekomandon prezantimin e një standardi të ri në jetën universitare që ofron mundësinë e zgjedhjes së lirë të materialit që do të përdoret nga studenti në përgatitjen akademike përkundrejt literaturave opsionale të syllabuseve të përgatitura nga titullarët akademike të lëndës.

9- Përdorimi i librave të licencuar në procesin mësimor, me çmim të deklaruar dhe preferencial për studentët rekomandojmë se mund të forcohet sikurse rekomandohet që vetë pedagogët autorë (të brendshëm apo të jashtëm) të mund të dhurojnë minimalisht deri në 5 kopje të librit pranë bibliotekës së fakultetit përkatës ku përdoret teksti.

10- Rekomandojmë përfshirjen më shumë në kurrikulën universitare të njohurive mbi kulturën, etikën e pronësisë intelektuale dhe cilësimit të plagjiaturës në produkte studentorë dhe akademike.

11- Rekomandojmë përmbushjen e detyrimeve ndaj studentëve për njohjen e tyre me vlerësimin nga seancat e seminareve dhe vlerësimin e detyrave në grup apo individuale gjatë procesit lëndor, kjo, para provimeve.

12- Rekomandojmë forcimin edhe më tej të sjelljes institucionale për përmbushjen e detyrimeve për trasparencës gjatë provimeve, përmes një procesi sekretimi, sipas procedurave të përcaktuara në Rregullore. Vlerësojmë se transparenca do të garantohej cilësisht nëpërmjet prezantimit dhe mirëfunksionimit të një sistemi online për vlerësimin e provimeve.

13- Rekomandojmë krijimin një seksioni në faqet zyrtare të fakulteteve, ku studentët anonimisht mund të paraqesin ankesat e tyre për raste të ndryshme të sjelljeve joetike dhe akteve korruptive në jetën universitare.

14- Rekomandojmë që të prezantohen dhe aplikohen forma efektive të kontrollit dhe vlerësimit të brendshëm në universitete si psh përmbushja e instrumentave të anketim vlerësimit që mundëson monitorimin e stafit administrativ për rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies për plotësimin e kërkesave të studentëve, në përputhje me afatet e përcaktuara, këto të parashikuara nga Ligi si pjesë e vlerësimit të brendshëm të institucionit universitar.

 

Më Shumë