Para

Qeveria në alarm për borxhin e fshehur

iceberg me para, borxhi i fshehur i buxhetit

Audituesit e qeverisë, pranë Ministrisë së Financave, të cilët kontrollojnë përdorimin e fondeve buxhetore, ndezën e alarmin e kuq për rritjen e frikshme të borxhit të fshehur që këtë vit, kap shifrën e 70 miliardë lekëve, me një rritje 27% nga viti i kaluar.
Mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e thesarit (SIFQ) më 2019. Shihet se situata ka dalë jashtë kontrollit nga ndryshimi i destinacionit të shpenzimeve, në kundërshtim me pasqyrat e buxhetit të shtetit që miratohen në Kuvend. Audituesit zbardhin të gjithë zinxhirin e defekteve që rikthyen borxhin e fshehtë, ndërsa Ministria e Financave ka faturuar shlyerjen e këtij detyrimi përtej mandatit qeverisës

Nuk është i largët viti 2013, kur morali i qeverisë në ikje ra përdhe edhe nga paaftësia për të shlyer 72 miliardë lekë borxhe ndaj bizneseve dhe individëve, të cilat ishin krijuar ndër vite nga kontratat e papaguara për punë e shërbime, nga faturat e vendimeve të gjykatave, mosrimbursimi në kohë i TVSh-së etj.

Kjo praktikë e dëmshme, që u bë shkak për dobësimin e ekonomisë dhe rritjen e borxhit publik me të paktën 5,3%, nuk duhet të ishte përsëritur, pasi leksioni i hidhur i 2013-s, solli një seri ligjesh dhe udhëzimesh që e parandalonin rikthimin e tyre. Donatorët, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar investuan miliona euro asistencë teknike për të forcuar kapacitetet e menaxhimit, në drejtim të moskrijimit të borxheve të fshehura. Ende pa përfunduar shlyerja e valës së parë, nisi krijimi i detyrimeve të reja.

Që nga viti 2014 deri në vitin 2020, borxhet jashtë llogarive fiskale, zëri që përfaqëson detyrimet e prapambetura, arritën në 70 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nivel thuajse i njëjtë me atë të vitit 2013. Stoku i detyrimeve të fshehura u zgjerua me 27% brenda vitit, për shkak se tashmë janë kontabilizuar edhe rreth 100 milionë euro të fituara kundër Shqipërisë nga biznesmeni Francesco Becchetti, në gjykatat ndërkombëtare.

Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, zbuloi në një raport të posaçëm, se në vitin 2019, mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e Thesarit (SIFQ).

Për herë të parë, kjo drejtori, që ushtron edhe funksionet e auditit në qeveri, vuri alarmin e kuq, duke e konsideruar me risk të lartë krijimin e detyrimeve të prapambetura. Procesi i auditit zbuloi se krijimi i detyrimeve erdhi nga keqfunksionimi i të gjithë zinxhirit, që nga procesi i planifikimit e deri te përdorimi i fondeve, teksa akumulimi i tyre ka dalë jashtë kontrollit, kryesisht prej kapaciteteve të mangëta menaxhuese.

Burime nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave shpjeguan se detyrimet e prapambetura, gjatë kësaj periudhe, janë krijuar kryesisht nga katër arsye kryesore. Së pari, në disa raste, kontratat për investime realizohen përtej parashikimeve buxhetore.

Së dyti, autoritetet kontraktuese ndryshojnë destinacionin e fondeve nga një projekt në një tjetër. Shpesh, projekti i ri ka nevoja më të mëdha për financime dhe bëhet shkak për akumulim detyrimesh. Së treti, problematike në drejtim të krijimit të detyrimeve mbetet fakti se 70% e fondeve për investime apo mirëmbajtje alokohej në dy muajt e fundit. Së katërti, autoritetet kontraktore vuajnë nga një nivel i ulët menaxhimi, shpjegoi burimi nga Drejtoria e Thesarit.

Ish-drejtori i Auditit të Buxhetit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Azmi Stringa, tha se, gjatë kontrolleve në një vit, çeljet e thesarit ishin 60 miliardë lekë më shumë se buxheti i miratuar.
Zoti Stringa tha se ligjet që parandalojnë krijimin e detyrimeve janë të rrepta, por nuk janë zbatuar, shumë persona duhet të hetoheshin, por deri më tani, nuk është marrë as edhe një masë administrative, tha ai.

Stoku i detyrimeve të prapambetura tashmë ka dalë jashtë kontrollit edhe sipas Drejtorisë së Auditit të Qeverisë në Ministrinë e Financave, e cila dha alarmin që paraqet rritja e tyre në një raport të posaçëm. Audituesit e qeverisë, për herë të parë, kanë nënvizuar me ngjyrë të kuqe dhe me germa kapitale rrezikun e lartë që po buron nga borxhi i fshehur. 90% e këtij detyrimi mbi 50 miliardë lekë do të mbartet në llogaritë fiskale përtej këtij mandati qeverisës, sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave në rishikimin e fundit të kuadrit fiskal.

Ligji për Menaxhimin Buxhetor në RSH është shumë i rreptë për marrjen e angazhimeve (firmosje kontratash) nga institucionet publike pa pasur fondet në dispozicion. Kur nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme merr përsipër angazhime jashtë fondeve të parashikuara në buxhet ose në kundërshtim me këtë akt apo akte të tjera ligjore është përgjegjës për shlyerjen e detyrimit.

Pra e thënë thjesht, nëse firmoset një kontratë pa fonde buxhetore e cila sjell pastaj detyrime të prapambetura këto nuk do t’i paguajnë qytetarët me taksat e tyre, por titullari i institutionit që ka shkaktuar me veprimet e tij të kundraligjshme këtë detyrim.

Burimi: www.monitor.al/

https://www.monitor.al/qeveria-jep-alarmin-per-borxhin-e-fshehur-2/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë